1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bisedimet Prishtinë-Beograd

15 Prill 2010

Qeveria e Kosovës dhe qeveria e Serbisë kanë dallime të thella rreth nisjes së dialogut për çështje të interesit të përbashkët ashtu siç kërkon komuniteti ndërkombëtar.

https://p.dw.com/p/Mx24
Fotografi: AP GraphicsBank

Qeveria e Serbisë kërkon, që këto bisedime të nisin fillimisht me çështjen e statusit të Kosovës. Ndërkohë zyrtare nga qeveria e Kosovës thonë se statusi i Kosovës është i zgjidhur, ndërsa me qeverinë e Serbisë mund të diskutojnë për çështje praktike, që ndërlidhen edhe me serbët e Kosovës.

Zyrtarë të lartë të qeverisë së Kosovës thone se ata janë të gatshëm që të hyjnë në bisedime teknike me autoritetet e Serbisë, mirëpo janë kategorikë kundër kërkesës se Beogradit zyrtar, që serish të bisedohet për çështjen e statusit. Zyrtarë të qeverisë së Serbisë thonë se për ta çështja e statusit të Kosovës akoma nuk është zgjidhur dhe në këtë pikë ata pranojnë të fillojnë bisedime me Prishtinën zyrtare. Këto qëndrime pasuan deklaratat e shumë dipomatëve perendimorë, të cilët kërkojnë dialog teknik dhe relaksim marrëdhëniesh ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Ministri serb për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, gjatë një vizite të merkurën në veri të Mitrovicës, tha se për Beogradin statusi i Kosovës është i pazgjidhur.

Qëndrime diferencialisht të ndryshme

“Ne jemi të vetëdijshëm se problemet, me të cilat ballafaqohemi nuk mund t'i zgjidhim vetë dhe se ne duhet të bisedojmë me shqiptarët. Por ne konsiderojmë se statusi i Kosovës nuk është i zgjidhur ende, sepse gjendja është e tillë, që dikush ka fituar të gjitha, kurse ne serbët nuk kemi fituar asgjë”, thotë Goran Bogdanoviq. I fundit, që u angazhua për dialog teknik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, mirëpo jo për çështjen e statusit, ishte diplomati amerikan ambasadori në Prishtinë, Kristofer Dell.

“Bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit mund të ndodhin vetëm atëherë, kur qeveria e Serbisë të heqë nga agjenda e diskutimeve statusin e Kosovës, integritetin territorial dhe ndarjen e Kosovës, si dhe të pajtohet, të diskutojë vetëm për çështje praktike”, thotë ambasadori amerikan, Kristofer Dell. Mirëpo ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq, thotë se Serbia nuk po angazhohet për ndarjen e Kosovës, por për kthimin e plotë të saj në kufijtë e Serbisë.

Rame Manaj
Zëvëndëskryeministri i Kosovës, Ramë Manaj.Fotografi: DW

“Rrëfimet, që dëgjohen nga diplomatët e caktuar ndërkombëtarë në Prishtinë, se Beogradi po bën çmos për ndarjen e Kosovës, janë absolutisht të pavërteta. Ne Kosovën e cilësojmë pjesë territoriale e Serbisë”, thotë Goran Bogdanoviq. Qeveria e Kosovës tashmë ka kohë që zhvillon dialog me serbët e Kosovës dhe angazhohet që ata të integrohen në shoqërinë kosovare dhe të marrin pjesë në institucione. Zëvëndëskryeministri i Kosovës, Ramë Manaj, i tha DW-së, se Beogradi zyrtarë nuk duhet të manipulojë me serbët e Kosovës, por t'i shtyjë ata që të jenë pjesë e realitetit të ri kosovar.

“Pjesa e komunitetit serb, e cila fatkeqësisht ende mbetet e manipuluar nga politika zyrtare e Beogradit, heziton dhe ka vështirësi në gatishmërinë e tyre për integrim dhe për lojalitet ndaj shtetit dhe realitetit të ri të krijuar në Kosovë, megjithatë ka progres në këtë dialog, në këtë bashkëbisedim ne veçanti me serbët, që jetojnë në pjesët e brendshme të Kosovës dhe më pak me ata në veri”, thotë zëvëndëskryeministri, Rama Manaj.

Sidoqoftë analistët politikë thonë se bisedimet teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit janë të pashmangshme, mirëpo problemi mbetet, nëse ato do të sjellin ose jo rezultate. Analistët thonë se bisedimet teknike, mund të ndodhin, pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë të japë mendimin e saj rreth ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës, proces ky, që sipas autoriteteve në Prishtinë ka vonuar edhe shumë njohje të shtetit të Kosovës.

Autor: Bekim Shehu.

Redaktoi: Angjelina Verbica