1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Birmani: "Zgjedhje me mashtrime të shumta"

8 Nëntor 2010

Në Birmani të dielën (7.11.) pas 20 vitesh u zgjodh një parlament i ri. Të paktën 27 milionë qytetarë me të drejtë vote ishin thirrur nga junta ushtarake për votime. Opozita pohon se zgjedhjet nuk ishin të lira.

https://p.dw.com/p/Q1Pv
Zgjedhjet në BirmaniFotografi: AP

Pas mbylljes së lokaleve zgjedhore të dielën në mbrëmje (7.11.) në Birmani ka filluar numërimi i votave. Por opozita dhe kandidatët e pavarur ankohen qysh tani për manipulime dhe mashtrim në zgjedhje. Si për shembull U Tin Aye nga Partia Demokratike e Birmanisë: "Ka shumë forma të ndryshme të mashtrimit në zgjedhje. Ne kemi dëshmi pasi që përfaqësuesit e partisë sonë ishin në disa lokale zgjedhore dhe e kanë parë që kutitë e votimit nuk ishin fare të vulosura."

Opozita: "Kaos në zgjedhje"

U Tin San, një kandidat i pavarur për dhomën popullore të parlamentit ankohet për kaosin e krijuar gjatë numërimit të votave. "Aty është një tollovi e vërtetë. Ky nuk është numërim i rregullt i votave", thotë ai.

Të gjitha gabimet apo manipulimet gjatë numërimit të votave nuk mund të kontrollohet, tha Zin Linn, zëdhënësi i opozitës birmaneze në mërgim.

Wahl in Birma
Masa të rrepta kontrolliFotografi: AP

"Partitë opozitare nuk kanë njerëz sa duhet për të qenë të pranishëm çdokund gjatë numërimit të votave. Përveç kësaj secili që dërgon një ankesë për parregullësi në zgjedhje duhet të deponojë një kaucion prej 1.000 dollarësh amerikan. Kush mund ta bëjö këtë?", pyet ai.

Pritet që partia e mbështetur nga junta ushtarake, Unioni për Solidaritet dhe Zhvillim (USDP) të fitojë shumicën e votave. USDP është parti e krijuar së voni nga një organizatë bamirëse e qeverisë ushtarake. Disa gjeneralë drejtues kanë hequr uniformat e tyre që si përfaqësues të partisë së re të marrin poste drejtues në qeverinë e ardhshme civile të vendit.

Reagimet amerikane

Presidenti amerikan Barack Obama tha dje (07.11.) në Indi se zgjedhjet në Birmani nuk ishin as të lira e as korrekte. Edhe sekretarja amerikane e shtetit Hillary Clinton e cila aktualisht ndodhet në Australi foli për zgjedhje jo të pastra në Birmani.

Wahl in Birma
Radhë të gjataFotografi: AP

"Ne i konsiderojmë zgjedhjet në Birmani si jo të pastra dhe kjo na thyen zemrën. Kjo për faktin se njerëzit në Birmani meritojnë diçka më të mirë. Australia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të punojnë edhe më tutje bashkarisht që të përkujdesen që një komision ndërkombëtar të hetojë shkeljet e të drejtave të njeriut nga liderët politik në Birmani dhe përgjegjësitë të japin llogari. Dhe ne shpresojmë që nga këto zgjedhje do të dalin disa politikanë të cilët do të trasojnë një rrugë tjetër, të cilët do ta kuptojnë se kjo gjendje nuk mund të vazhdojë dhe do të pranojnë potencialin e popullit të tyre", theksoi Clinton. Ende mbetet e paqartë se kur do të përfundojë procesi i numërimit të votave dhe rezultati i zgjedhjeve.

Autor: Bernd Musch-Borowska/Esat Ahmeti

Redaktoi: Bahri Cani