1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bin Laden dhe ekonomia - Sa na ka kushtuar terrori deri më sot

4 Maj 2011

Sa na ka kushtuar terrori deri më sot? Vetëm kostoja e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit llogaritet me rreth 60 miliardë dollarë. Por dëmet e përgjithshme të terrorizmit vështirë se mund të llogariten.

https://p.dw.com/p/118Na
Bin Laden dhe Al Kaida i kanë kushtuar miliarda ekonomisë botëroreFotografi: AP

Osama bin Laden u eliminua. Bursat në botë festojnë, çmimi i naftës ulet. Këto janë pasojat afatshkurtra ekonomike të suksesit të pjesshëm në luftën kundër rrjetit terrorist të Al-Kaidës. Sigurisht që ato janë të papërfillshme po të marrim parasysh koston ekonomike që i ka shkaktuar terrori islamist ekonomisë botërore.

Edhe pas vdekjes së Osama bin Ladenit, ekspertët nuk heqin sinjalin e alarmit. Robert Halver nga Baader Bank në Gjermani thotë: "Terrorizmi është si edhe më parë një faktor në tregun e kapitalit, edhe pas vdekjes së Osama bin Ladenit. Ne duhet që në muajt dhe vitet e ardhshme të llogarisim me rreziqe të mëdha."

USA Jahrzehnt Flash-Galerie 2001 September 11
Data që vulosi emrin e bin Ladenit 11. 09.2001 u sulmua Qendra Botërore e TregtisëFotografi: AP



Por sa i ka kushtuar botës lufta kundër terrorizmit?

"Nuk ka asnjë shifër të saktë që përmbledh saktësisht koston e terrorit", thotë Tilman Brück, drejtues i departamentit të ekonomisë botërore në Institutin Gjerman të Ekonomisë në Berlin. Megjithatë mund të krijohet një ide për përmasat e kësaj kostoje - dhe ato janë të paimagjinueshme.

Kështu ka shumë vëzhgues që mendojnë se terrorizmi i ka shkaktuar vendeve të industrializuara së paku shuma miliardash dy deri në tre shifrore - madje secilës nga ato. Shkak dhe pretekst për këtë shpërthim kostosh ka qenë, sipas vëzhguesve, porosia e dhënë nga Osama bin Laden për sulmin terrorist ndaj kullave binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork.

Nga 9.11. deri tek kriza botërore

Asokohe bankat e bankënotave në një aksion të përbashkët të përqëndruar pompuan para në tregje, me qëllim të ruajtjes së likuiditetit dhe pengimit të recesionit botëror. Veçanërisht i zellshëm dhe zemërgjerë me paranë u tregua shefi i atëhershëm i US Notenbank, Bankës Amerikane të Bankënotave, Alen Greenspan. Ai i furnizoi bankat me kaq shumë para, saqë ato nuk dinin ç'të bënin me to. Kështu lindi ideja që qytetarëve amerikanë me të ardhura të vogla t'iu rraseshin kredi hipotekash.

Pasojat janë të njohura: Fillimisht shpërtheu kriza e imobilieve dhe hipotekave në SHBA, pastaj kriza mbarëbotërore që solli edhe recesionin botëror. Për të luftuar krizën, qeveritë perëndimore duhet të vinin në dispozicion shuma të mëdha për shpëtimin e bankave dhe ruajtjes së koniunkturës - gjë që mund të cilësohet si njëra nga pasojat e kostos që sollën sulmet terroriste të 11. Shtatorit. Krahasuar me këtë kosto recesioni, kostoja direkte prej 60 miliardë dollarësh e sulmeve terrroriste të 11.Shtatorit, ku humbën jetën rreth 3.000 vetë, duket e vogël.

Kosto të pamatshme


Ka edhe kosto të tjera që mund të mblidhen, por prapë nuk arrin dot në shifra të sakta, por vetëm në vlera të përafërta. SHBA i rritën shpenzimet e tyre për sigurinë e brendshme që nga viti 2001, nga 46 miliardë deri në 76 miliardë dollarë për vit, aeroportet përforcuan elementët e sigurisë, në portin Bremerhafen në Gjermani, sheshi më i madh i transportit përtej oqeanit, çdo kontenjerë kontrollohet imtësisht - të gjitha këto janë kosto të larta për shoqëritë e fluturimit, ato të transportit të anijeve, por edhe ngadalësim të tregtisë botërore- por është vështirë t'i masësh ato.

Një bilanc ka dy anë. Kjo edhe po të kujtojmë që kostot e njërit janë fitime të një tjetri. Kështu firmat e sigurisë po përjetojnë një boom të vërtetë, po ashtu edhe prodhuesit e skanerëve apo aparateve të kontrollit në aeroporte dhe porte.


Autor: Rolf Wenkel/Lindita Arapi
Redaktoi: Mimoza Cika - Kelmendi

Alan Greenspan
Alan Greenspan dha para pa hesap për bankat amerikane pas 11. ShtatoritFotografi: PA/dpa