Biletë kinemaje për kallashnikovin | Gjermania | DW | 02.04.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Biletë kinemaje për kallashnikovin

Portret i Qendrës Ndërkombëtare të Konversionit

Armë të vogla të sekuestruara

Armë të vogla të sekuestruara

Presidenti gjerman Johanes Rau do të marrë sot pjesë në cerenominë festive të 10-vjeçarit të Qendrës Ndërkombëtare të Konversionit në Bon. Kjo qendër kërkimore e quajtur shkurt BICC është themeluar në vitin 1994 dhe është një krijesë e fundit të luftës së ftohtë: me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik u zhduk kërcënimi reciprok ushtarak mes vendeve të NATO-s dhe atyre të Paktit të Varshavës. Por shëmbja e dhunës shtetërore në hapësirën e ish-Bashkimit Sovjetik pati si rezultat edhe shpërbërjen e ushtrive dhe shitjen e armëve jashtë vendit, pjesërisht përmes kanaleve të tregtisë së paligjshme. Për këtë arsye detyra e qendrës në Bon duhej të ishte të analizonte transferimin e infrastrukturës ushtarake në fushën civile dhe paqësore.

Shpallja zyrtarisht e përfundimit të një lufte në shumicën e rasteve nuk nënkupton edhe rikthimin e paqes në vend. Përkundrazi, luftimet vazhdojnë edhe pse jashtë kuadrit zyrtar të luftës. Ushtarët e liruar papritur nga ushtria që deri para pak kohe ishte e përfshirë në luftime ndërkombëtare përshkojnë vendin të armatosur, plaçkisin dhe përleshen me ushtarakë. Për Qendrën Ndërkombëtare të Konversionit një skenar i tillë është pjesë e punës së përditshme. Detyra e studiuesve të kësaj qendre me seli në Bon është gjetja e zgjidhjeve për integrimin e ish-ushtarëve në jetën civile. Kështu thotë Peter Krol, drejtues i qendrës: "Ne mendohemi se ku mund të angazhohej një ushtar i tillë. Ai mund të integrohej psh në sistemin policor në ndërtim e sipër të vendit ose ndoshta mund të punonte si mekanik."

Por një gjë është e qartë: përsa kohë në një vend enden ish-ushtarë e mercenarë pa punë dhe detyra nuk mund të ketë paqe për kohë të gjatë, shoqëria nuk mund të ecë përpara dhe zhvillimi ekonomik mbetet në vend. Për këtë arsye ushtarët duhet të riintegrohen dhe armët duhet të zhduken nga jeta e përditshme: armët e vogla të paligjshme si kallashnikovët rusë apo modeli gjerman G-3 janë një tjetër temë me të cilën merren studiuesit e Bonit. Sami Faltas është përgjegjës për këtë fushë: "Problemi është se këto armë nuk kontrollohen, ato janë në duart e njerëzve të gabuar ose janë të paligjshme dhe keqpërdoren. E mqs janë të vogla, të lira dhe të thjeshta për t'u pëdorur ato mund të shkaktojnë shumë dëme nëse ndodhen në duar të paautorizuara."

Më shumë se 600 milionë armë të vogla vlerëson Faltas qarkullojnë në të gjithë botën. Reduktimi i këtij numri është i domosdoshëm nëse synohet krijimi i perspektivave afatgjata. Përsa kohë këto armë janë lehtësisht të disponueshme në shumë vende nuk mund të vendoset autoriteti shtetëror. Por bindja e popullsisë për dorëzimin e armëve tek autoritetet është një detyrë e vështirë. Prandaj studiuesit në Bon nuk ngurrojnë të ndjekin edhe rrugë të pazakonta thotë Faltas, si psh në rastin e Ballkanit: "Ju lutemi dorëzoni armët, në këmbim do të merrni një biletë kinemaje, një biletë llotarie ose në vend të shpërblimit individual do të ndërtojmë rrugën e fshatit. Kjo është një metodë shumë interesante."
Metoda sjell suksese por Faltas tërheq vëmendjen: "Të gjitha këto programe mund të arrijnë diçka nëse njerëzit kanë vullnetin e mirë për këtë. Një keqbërës nuk do t'i dorëzojë kurrë armët për një biletë kinemaje, as ai që mendon se në tregun e zi mund të përfvitojë një çmim të lartë. Duhet të jemi realistë."

Në vendet afrikane thotë Faltas duhet vepruar krejt ndryshe: mqs autoritetet shtetërore nuk zotërojnë më asnjë pushtet ato kanë nevojë për mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare: "Një vend si Mali në Afrikën perëndimore, një vend shumë i varfër me një qeverisje relativisht të mirë do t'i kontrollonte me shumë dëshirë armët e vogla. Vullneti politik është i pranishëm por mqs vendi është kaq i varfër dhe shumë pak i zhvilluar kontrolli nuk mund të realizohet. Për këtë arsye është e rëndësishme të organizohen programe trainimi për ushtarakët dhe policinë në mënyrë që ata të fitojnë afësitë e nevojshme për kryerjen e këtij kontrolli. Pjesë e kësaj është edhe mbështetja financiare që ata të kenë mundësi të blejnë automjete me të cilat të mund të kontrollojnë kufijtë dhe të ndalojnë kontrabandën e armëve.

Disa vjet më parë qeveria gjermane vendosi shkatërrimin e një tipi arme - G-3 - që ishte përdorur për dekada me rradhë nga ushtria gjermane. Ai do të zëvendësohej nga një model i ri. Në këtë mënyrë u shmang mundësia e shitjes së modelit të vjetër jashtë vendit. Kjo është sipas Faltas një mënyrë model të vepruari. Por gjermanët nuk u kujdesën të shkatërronin edhe municionin. Kjo ishte fatale thotë studiuesi nga Boni dhe duhet bërë në të ardhmen. Pasi në fund të fundit thotë Faltas është plumbi ai që vret dhe jo arma e pambushur.

  • Data 02.04.2004
  • Autor Silke Ballweg
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar72
  • Data 02.04.2004
  • Autor Silke Ballweg
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar72