1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

180110 Obama Deutschland

18 Janar 2010

Me premtimin "Yes we can" Barack Obama hyri në fushatën zgjedhore dhe pastaj në janar 2008 në shtëpinë e Bardhë. Një vit më vonë është e qartë, se edhe një burim shprese si Obama nuk mund t'i zgjidhë të gjitha problemet.

https://p.dw.com/p/LYk8
Presidenti amerikan Barack Obama
Presidenti amerikan Barack ObamaFotografi: AP/DW-Montage

Krahasimet janë legjendare. Shumë më parë se të fitonte zgjedhjet presidenciale Barack Obama u krahasua me një frymë me John F. Kennedy-n, Martin Luther King-un apo me Abraham Lincoln-in. Në Berlin atë e brohoritën dhjetëramijëra gjermane dhe autobiografia e tij u bë bestseller në mbarë botën.

Por sa më të mëdha janë shpresat aq më shumë ngrihet për presidentin e ri Barak Obama, lartësia prej nga mund të bjerë. Shpresa e botës ishte që Obama ta zhbënte sa më parë të ishte e mundur politikën e jashtme agresive të Xhorxh W Bushit. Amerikanët nga ana e tyre shpresonin që presidenti, në vend të konflikteve globale, në mesin e krizës ekonomike të merrej më në fund me politikën e brendshme.

T'i plotësojë këto shpresa relativisht kontradiktore, është e vështirë edhe për një politikan me dhunti elokuence, si Barack Obama. Dhe me të vertetë konstaton Reinhard Rode, ekspert për politikën amerikane në universitetin e Halles, shkëlqimi i kandidatit Obama pas një viti në post është zbehur disi. "Në Evropë dhe të një pjesë e zgjedhësve ai është vlerësuar kaq lart si rezultat i zhgënjimit nga paraardhësi. Ai u shpall gati politikan i shenjtë. Dhe dikur pastaj vjen zgjimi dhe realiteti dhe ai tani ka ardhur."

Në SHBA përqindja për aprovimin ndaj qeverisjes së Obamës fillimisht mbi 70 përqind ka rënë tashmë në afro 50 përqind. Edhe në Europë Obama nuk vlerësohet më vetëm pozitivisht, sepse shpresat e shumë europianëve, se presidenti i ri i SHBA-së mund të zgjidhte si të thuash i vetëm problemet ndërkombëtare, janë zhgënjyer gjatë vitit të tij të parë në post, shpjegon Michael Zürn, ekspert për Amerikën në qendrën shkencore në Berlin. "Shumë prej shpresave të mëdha nuk janë arritur, kjo nuk diskutohet. Ne nuk kemi asgjë në dorë për rregullimin e tregjeve financiare dhe as në politikën ndaj klimës, as në çështje të ndryshme të Lindjes së Mesme nuk kemi bërë shumë përparime." Pa diskutim, që shumë shpresa nuk janë plotësuar.

Barack Obama dhe Angela Merkel
Barack Obama dhe Angela MerkelFotografi: AP

Në fakt Obama nuk mund të dëshmojë akoma asnjë sukses në politikën e jashtme, por ama ai jo vetëm që i ka dhënë fund stilit e Bushit, por në shumë sfera edhe politikës së tij të jashtme. Kështu Obama e shpalli të përfunduar erën e unilateralizmit, jo vetëm me retorikë. Në praktikë psh i ka bërë thirrje psh Iranit për bisedime, ka lehtësuar embargon tregtare kundër Kubës, ka iniciuar tërheqjen nga Iraku dhe ka ndaluar sistemin e mbrojtjes nga raketat në Evropën Lindore. Që reagimi ndaj këtyre masave nuk qe gjithnjë ai që shpresohej, bën të qartë vetëm, që në botën e globalizuar një president i SHBA-së nuk mund t'i zgjidhë më i vetëm konfliktet. Kjo vlen të thuhet edhe për problemin më të vështirë Afganistanin, ku Obama pas një hezitimi të gjatë ka vendosur për një shtim të ndjeshëm të trupave.

Masat më të rëndësishme e Obamës në politikën e jashtme nuk mund ti quash as gjeografike dhe kontraktuale, është më shumë hapja e Amerikës ndaj botës. Nën drejtimin e Obamës në politikën ndërkombëtare ka hyrë një ton i ri dhe qeveria amerikane nuk vepron më sipas motos "Me ne, ose kundër nesh", shpjegon Michael Zürn : "Koncepti multilateralizëm është përsëri një koncept për të cilin mund të flasësh. Edhe normat ndërkombëtare njihen si të tilla dhe për këtë është arritur diçka."

Ndërsa në politikën e brendshme Obama ka mundur të fitojë pikë me një temë, ku presidenti i fundit demokrat Bill Clinton e ka patur shumë të vështirë: Reforma shëndetësore. Natyrisht projekti që të gjithë amerikanët të hyjnë në sigurimin shëndetësor nuk është realizuar akoma. Por shanset janë të mira që projekti prestigjioz i Obamës të miratohet para votimit të në Kongres në nëntor.

Për shkak të situatës së vështirë, që gjeti, dhe shpresave të mëdha që vareshin tek ai Barak Obama e ka kryer mirë punën në vitin e parë të presidencës, mendon edhe Reinhard Rode: "Unë do t'i jepja një nëntë në politikën e brendshme dhe atë të jashtme. Me siguri jo njësh, po ky nuk ishte vit ku mund të merrje dhjeta."

Autor : Michael Knigge / Angelina Verbica

Redaktoi : Aida Cama