Bilanc pozitiv për veprimtarinë e deritanishme të qendrës gjermane për mbrojtjen ndaj veprimtarive terroriste | Gjermania | DW | 09.08.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Bilanc pozitiv për veprimtarinë e deritanishme të qendrës gjermane për mbrojtjen ndaj veprimtarive terroriste

Dhjetorin e kaluar në Berlin u krijua qendra anti-terror, e cila merret me analizimin e të dhënave për aktivitete të ndryshme terroriste në Gjermani. Ministri gjerman i Punëve të Brendshme, Oto Shili, është i kënaqur me veprimtarinë e deritanishme të kësaj qendre.

Ministri i Brendshëm gjerman Otto Schily me Joerg Ziercke, djathtas, Shef i Entit Federal të Kriminalistikës (BKA) dhe August Hanning, majtas, President i Shërbimit Informativ Gjerman (BND)

Ministri i Brendshëm gjerman Otto Schily me Joerg Ziercke, djathtas, Shef i Entit Federal të Kriminalistikës (BKA) dhe August Hanning, majtas, President i Shërbimit Informativ Gjerman (BND)

Ministri gjerman i Punëve të Brendshme, Oto Shili, është i mendimit se qendra për mbrojtjen ndaj veprimtarisë terroriste, e themeluar në fund të vitit 2004 në Berlin ka qenë e sukseshme në veprimtarinë e saj. "Përmes kësaj qendre të përbashkët të federatës dhe të landeve gjermane për luftimin e terrorizmit përfiton siguria, sepse institucionet bashkëpunojnë më mirë dhe më intensivisht me njëri-tjetrin. Në këtë mënyrë kemi pasur mundësi që t'i analizojmë dhe sqarojmë më mirë paralajmërimet për rreziqet për goditje terroriste." - tha në Berlin MPB, Shili.

Në Berlin Treptow punojnë në një qendër të përbashkët 180 ekspertë për luftimin e terrorizmit. Ata u takojnë 40 institucioneve të ndryshme gjermane. Këtu mblidhen të gjitha informacionet që analizohen dhe në këtë mënyrë nuk ka më firo, mendon shefi i Entit Federal të Kriminalistikës, Jërg Zierke: "Ne e kemi përmirësuar kohën e reagimit në krahasim me më parë. Kjo ka të bëjë jo vetëm me informacionet që i vënë në dispozicion landet federatës por edhe federata landeve. Ne jemi bërë më të shpejtë, më të strukturuar, më efektivë."

Një hap i rëndësishëm është bërë për mbrojtjen prej terrorit islamik duke përfshirë në veprimtarinë e kësaj qendre edhe Entin federal për Migrimin dhe Refugjatët. Ministri Shili shpjegon se: "Në këtë mënyrë mund të sqarohen shumë shpejt dhe drejtpërdrejtë çështje që kanë të bëjnë me statusin e të huajve. Në luftimin gjithëpërfshirës të terrorizmit luajnë rol edhe sanksionet ndaj të huajve."

Deri në fund të këtij viti pritet që qendra për luftimin e terrorizmit në Berlin të zgjerohet. Edhe pse Shili mendon se Gjermania nuk është tepër e rrezikuar prej goditjeve terroriste, ai thotë se kërkohet vigjilencë. Ekspertët e qendrës anti-terror kanë theksuar se objekt i goditjeve terroriste mund të jenë dy aktivitete të mëdha që do të zhvillohen në Gjermani. Festa botërore e rinisë katolike, që zhvillohet javën e ardhëshme në Këln dhe Kampionati Botëror i Futbollit në qershor 2006.

Shefi i Entit Federal të Kriminalistikës, Jërg Zierke, mendon se në të gjithë botën kemi një gjendje të rrezikshme dhe një kërcënim global. Megjithatë edhe ai tërheq vëmendjen që njerëzve nuk duhet t'u krijohet përshtypja se Gjermani ndodhet drejtpërdrejt në prag të ndonjë akti terrorist. Ministri Shili dëshiron që megjithë sukseset e kësaj qendre të arrihet që edhe me ligj të garantohet që Enti Federal i Kriminalistikës të ketë të drejtë të ndërhyjë edhe në mënyrë parandaluese.

"Më duket marrëzi që Enti Federal i Kriminalistikës të angazhohet vetëm pasi ndodh një akt terrorist dhe një vepër penale, dhe që nuk kryen veprimtari parandaluese." - thote Shili.

  • Data 09.08.2005
  • Autor Judith Hartl
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar37
  • Data 09.08.2005
  • Autor Judith Hartl
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar37