1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rriten investimet e huaja direkte në Europën Juglindore

Aida Cama
17 Qershor 2019

Investimet e huaja direkte në botë ranë me 30 përqind vitin e kaluar, por në EJL ato janë rritur. Vendi kryesor tërheqës ka qenë Serbia. Në Shqipëri investimet direkte shënuan një rritje të ulët krahasuar me vitin 2019.

https://p.dw.com/p/3KZ37
Sitz der UN Welthandels und Entwicklungskonferenz UNCTAD
Selia e Zyrës së OKB për Tregtinë e Zhvillimin, GjenevëFotografi: Imago Images/GFC Collection

Fluksi i investimeve të huaja direkte ka rënë vitin e kaluar me 30 për qind në gjithë botën për shkak të riatdhesimit të kapitaleve, politikave taksore dhe zhvendosjes së kapitaleve, bën të ditur UNCTAD, zyra e Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin. "Për vendet në zhvillim tendenca është ende inkurajuese,” thotë Navid Hanif, drejtor i zyrës për financimin e zhvillimit të qëndrueshëm, në konferencën për shtyp me rastin e publikimit të raportit vjetor të investimeve.

„Rrymat e kapitaleve vazhdojnë ende të shkojnë në drejtim të vendeve në zhvillim, megjithë uljen e investimeve me 1,3 milionë dollarë,” thekson ai. Vitin e kaluar, rrymat e investimeve direkte kanë qenë të përqëndruara në Azi dhe Afrikë, që ka shumë nevojë për investime e vazhdon të ketë vështirësi t' i tërheqë.

Pjesa më e madhe e vendeve të botës i kanë liberalizuar politikat dhe nxisin e krijojnë lehtësira për investimet direkte. Kufizimet e investimeve shkaktohen kryesisht nga çështjet e sigurisë dhe konkurrencës. "22 marrëveshje të mëdha janë bllokuar ose anulluar vitin e kaluar dhe kjo është tendencë e re në politikë,” thotë Navid Hanif, që vëren rritjen e tensioneve gjeopolitike dhe tensioneve tregtare në vitin 2018 dhe politika që i kufizojnë investimet e huaja.

Screenshot UNCTAD
Fotografi: unctad.org

Fokus në zonat e veçanta ekonomike

Në raportin botëror të investimeve, UNCTAD është fokusuar tek zonat e veçanta ekonomike, prej të cilave bota ka 5400 zona të veçanta ekonomike në 154 vende.

Zonat e veçanta ekonomike i shërbejnë zhvillimit të ekonomisë dhe krijimit të vendeve të punës. Por efektshmëria e tyre mund të rritet, nëse përmirësohen sistemet e matjes dhe evaluimit. "Këto zona duhet të ndikojnë jo vetëm në ekonomi dhe vende pune, por edhe në sistemin social dhe luftën kundër ndryshimit të klimës,” thotë Navid Hanif.

Serbia ka 14 zona ekonomike dhe Kosova 9.

Logo UNCTAD

Europa Juglindore renditet tek ekonomitë në tranzicion

Në raportin e investimeve, UNCTAD, i fut vendet e Europës Juglindore në grupin e vendeve në tranzicion. Investimet e huaja direkte janë rritur vitin e kaluar në Europën Juglindore me 34 përqind, duke arritur në 7,4 miliardë dollarë.

Serbia ka qenë tërheqësi më i madh i investimeve të huaja direkte me 4,1 miliardë dollarë, duke i rritur ato me 44 përqind në krahasim me një vit më parë. Rritja është shkaktuar prej një vale të madhe investimesh në kapitale aksionare. Në Shqipëri investimet direkte kanë qenë 1,294 miliardë dollarë, me një rritje të ulët në krahasim me një vit më parë. Në Maqedoninë Veriore investimet janë trefishuar, duke arritur 737 milionë dollarë, rritje e shkaktuar sidomos me investimet në prodhimin e automjeteve në zonat industriale.

Vendi me më pak investime të huaja direkte në Europën Juglindore është Bosnjë Hercegovina, me 468 milionë dollarë. Mali i Zi ka pasur 490 milionë dollarë investime të huaja direkte, 67 milionë më pak se një vit më parë.

Burimet më të mëdha të investimeve kanë ndryshuar në vite. Holanda dhe Qipro mbeten burime të rëndësishme për investime në vendet në tranzicion. Pas vijnë Franca dhe Kina. Gjermania dhe Franca vijojnë më tej në radhitje.