Beteja për Kievin | Evropa | DW | 15.11.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Beteja për Kievin

Putin takohet me kandidatin e opozitës ukrainase

Kandidati presidencial i opozitës ukrainase Jushçenko (djathtas) me socialistin Moroz

Kandidati presidencial i opozitës ukrainase Jushçenko (djathtas) me socialistin Moroz

Në Ukrainë zien fushata zgjedhore. Kandidati i klikës sunduese dhe kryetar i qeverisë Viktor Janukoviç po përpiqet me të gjitha mjetet që të bëhet president. Ai ia ka dalë që televizioni të sinkronizohet me qëndimet e tij dhe ky i thur lavde nga mëngjesi deri në mbrëmje. Janukoviç i ka mobilizuar autoritetet publike dhe forcat e sigurimit në mënyrë që gjatë votimit këto të garantojnë që nëpunësit e shtetit, studentët, të sëmurët dhe të moshuarit, madje edhe ata që nuk janë më ndër të gjallët e megjithatë figurojnë në listat e votuesve, të votojnë për të. Ai mashtron dhe manipulon ku mundet.

Që prej raundit të parë të zgjedhjeve vëzhguesit perëndimorë kanë konstatuar, se votimi nuk ishte aspak i lirë dhe i drejtë, kritikë që nuk u morr seriozisht nga Janukoviçi. Në fund të fundit pas votimit të 21 nëntorit botës së jashtme do ti duhej të bashkëpunonte me atë që de facto mban pushtetin në Kiev.

Më tepër rëndësi ka fakti që Kremlini duket se nuk beson më në fitoren e Janukoviçit. Për të dytën herë brenda pak javëve presidenti i Rusisë Vladimir Putin udhëtoi në Ukrainë për të ndërhyrë në fushatën zgjedhore. Deri tani Kremlini e mbështeti në mënyrë masive Janukoviçin: me para, me emisione propagandistike të televizioneve moskovite, të cilat mund të shihen edhe në Ukrainë, madje edhe me shprehje të hapura të simpatisë për kandidatin e pushtetit.

Por tani duket se Putini po devijon. Në fundjavë ai u takua jo vetëm me kreun e shtetit ukrainas, por edhe me Viktor Jushçenkon. Pragmatiku Putin duket se po e njeh vullnetin e ukrainasve, shumica e të cilëve mbështet Jushçenkon.

Në këtë mënyrë gara në Kiev është përsëri e hapur. Javën e ardhshme Jushçenko mund të zgjidhej në pallatin presidencial, pasi megjithë parregullsitë në raundin e parë fitoi opozitari Jushçenko. Dhjetëra mijëra vetë dolën rrugëve për të protestuar kundër manipulimeve dhe përzierjes së Rusisë në fushatën zgjedhore ukrainase. Kështu Moska rrezikonte të humbiste ndikim në vendin më të rëndësishëm fqinj.

Jushçenko dallon dukshëm nga kundërshtari i tij politik Janukoviç. Jushçenko synon afrimin e Ukrainës me strukturat perëndimore, kërkon t'i çojë përpara reformat ekonomike, të kufizojë korrupsionin që gëlon, të respektojë lirinë e shtypit, të mbështesë ndërtimin e njëshoqërie civile në Ukrainë.

Kushdo që t'i fitojë zgjedhjet: çdo qeveri në Kiev do të përpiqet për marrëdhënie të mira me Moskën, jo vetëm prej arsyeve ekonomike. Ekonomitë kombëtare të të dy shteteve janë të ndërthurura ngushtë. Sipërmarrje të shumta ruse kanë investuar në ekonominë ukrainase. Në fund të fundit edhe Kievi është i varur nga nafta dhe gazi rus.

Ndërkohë ndikimi i Polonisë mbi Kievin është dukshëm më i vogël. Edhe ministri i jashtëm polak Vlodimierz Cimosheviç u përpoq këto ditë të takohej me presidentin ukrainas. Ai donte të protestonte kundër manipulimeve masive në raundin e parë zgjedhor, por kreu i shtetit ukrainas nuk kishte kohë për të. Për të takimi me homologun e tij nga Moska ishte më i rëndësishëm.

  • Data 15.11.2004
  • Autor Miodrag Soric
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArFp
  • Data 15.11.2004
  • Autor Miodrag Soric
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArFp