Besime të ndryshme, dëshira të njëjta - Iniciativë e grave kosovare për dialog ndërfetar | Shoqëria & Kultura | DW | 31.07.2010
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Shoqëria & Kultura

Besime të ndryshme, dëshira të njëjta - Iniciativë e grave kosovare për dialog ndërfetar

Në Prishtinë vepron një grup joformal i grave të besimeve të ndryshme, të cilat me aktivitete të larmishme synojnë afrimin ndërmjet komuniteteve nëpërmjet dialogut ndërfetar.

Tolerancë fetare - bashkëpunim mes grave myslimane dhe katolike në Kosovë

Tolerancë fetare - bashkëpunim mes grave myslimane dhe katolike në Kosovë

Në mesditën e së premtes, teksa në bashkësinë islame mblidhen burrat muslimanë për faljen e gjumasë, një motër nderi e besimit katolik hyn në Departamentin e Grave.

„Ezani na fton për falje!“ - thotë ajo me të qeshur, teksa zë vend në kolltukun përballë, ashtu lirshëm, si në vatrën e vet. Dhe, një ndjenjë të tillë Teuta Augustini e ka sa herë hyn në këtë portë, brenda së cilës takohet me motrat e besimeve të tjera tradicionale në Kosovë.

"T´jesh i krishterë katolik, kjo nënkupton dashurinë ndaj Zotit dhe ndaj njerëzve. Është ai dimensioni vertikal, raporti im me Krijuesin dhe dimensioni horizontal, njeriu me njeriun. Pikërisht në këtë lidhje është edhe shenja e kryqit, si simbol i shpëtimit“ - thotë ajo duke prekur kohë pas kohe kryqin e varur në kraharor.

Sipas saj gjithçka do të rrënohej sikur të mos ekzistonte boshti i shenjtë „Unë dhe Krijuesi“, pasi pyetjeve „Prej nga jam?“,“Ku shkoj?“ dhe „Përse e gjithë kjo?!“, secili duhet t'i japë përgjigje.

Dhe këtu, në Departamentin e Grave në kuadër të bashkësisë islame të Kosovës, takohet ky grup joformal i grave, aktivitetet e të cilit kanë filluar me iniciativën e organizatës ndërkombëtare ECRP, e cila kishte për qëllim afrimin e grave të besimeve të ndryshme. Këto aktivitete vazhduan edhe pas largimit të saj dhe numri i grave besimtare sillet prej 5 deri në 50-të. Pjesa më e madhe janë gratë e besimit mysliman dhe katolik. Numri simbolik i grave hebreje është shumë domethënës për këto besimtare, të cilat shpresojnë t´iu bashkangjiten edhe gra të besimit protestant. Ndërsa, brenda rrethit ato kanë arritur të fusin edhe serbe të besimit ortodoks.

Besa Ismajli mësuese e gjuhëz angleze.

Besa Ismajli mësuese e gjuhëz angleze.

„Kontaktet e para kanë qënë të vështira. Mirëpo, ne si myslimane bashkë me motrat katolike e kemi thyer bashkarisht atë mur. Dhe kështu, në vitin 2004 kemi rezultuar me kontaktin e parë; një kohë kur, enklavat e Kosovës kanë qenë të pathyeshme…“- kujton Besa Ismajli, myslimane.

Svetllana Stevic, ortodokse, me banim në Zvecan, sjell kujtimet nga takimet e rregullta, të cilat janë reduktuar disi për shkak të mungesës së fondeve:

“Jemi shoqëruar shumë. Nëpër takime flisnim për falje dhe pajtim dhe për mënyrën, se si ne gratë mund t´i kontribuonim një të ardhmeje më të mirë. Shkonim nëpër seminare, vizitonim xhamitë, kishat katolike dhe kishat ortodokse. Takoheshim në Prishtinë ose në Graçanicë dhe udhëtonim edhe nëpër vende të ndryshme. Do të dëshiroja që takime të tilla të përsëriten, sepse vërtet kemi për çfarë të bisedojmë“.

Megjithëse pa mbështetje nga qeveria por të papenguara nga institucionet fetare, gratë e këtij grupi shumëkonfesional kanë përfaqësuar Kosovën në konferenca të ndryshme ndërfetare, duke promovuar tolerancën fetare të Kosovës në rajon dhe në botë.

Kimete Zeqa, myslimane, ka marrë pjesë në konferenca në Maqedoni, në Shqipëri, në Bosnjë Herecegovinë, por edhe në Japoni, ku nga Takimi iTetë për Paqe dhe Tolerancë Fetare ajo ruan thënien e Ela Gandit: ”Paqja fillon në familje”.

“Është e vërtetë! Dhe unë këtë e them nga përvoja ime. Se, ne jemi dhjetë fëmijë, por baba im imam na ka mësuar ta duam njeriun. Ka nevojë njeriu për kontakte të tilla. Se, edhe pse në botë ka shumë komunitete fetare, secila prej tyre e ka synim paqen dhe tolerancën. Sepse, Krijuesi është një për të gjithë!“

Dhe aktivitete të duhet të vazhdojnë, mendon Svetllana, ortodokse, dhe shton: „Aty do t´mund të flasim si bashkëshorte dhe si nëna dhe të ndikojmë që mos të ketë urrejtje dhe hakmarrje, por të ketë falje dhe mirëkuptim në brezat e ardhshëm, ndërmjet fëmijëve tanë!“

Femra mund të bëjë shumë në kalitjen e mëtejshme të tolerancës ndërfetare dhe afrimin mes komunitetve në Kosovë, mendon Besa Ismajli, myslimane:

”Ne asnjëherë brenda grupit s´kemi pasur dallime, sepse ato që na bashkojnë janë shumë më të mëdha sesa ato që na dallojnë."

Kërkesa e këtyre grave të besimeve të ndryshme mbetet, që bashkëpunimi ndërfetar të futet në planprogram të qeverisë së Kosovës dhe siç investohet në grupe të shoqërisë civile të përziera etnikisht të investohet edhe në grupet e përziera të besimeve.

Autor: Ajete Beqiraj

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 31.07.2010
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/OZ0x
  • Data 31.07.2010
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/OZ0x