1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Berlin: Rezistencë e re në luftën kundër krimit klanor

15 Shtator 2020

Në Berlin bënë bujë deklaratat e reperit Bushido ndaj shefit të klanit Abou-Chaker. Në landin e Renanisë Veriore-Vestfalisë (NRW) policia bën çdo javë bastisje kundër klaneve kriminale.

https://p.dw.com/p/3iTJN
Deutschland Prozess Bushido Abou Chaker
Reperi gjerman Bushido dëshmon në gjykatëFotografi: Getty Images/R. Keuenhof

Ai u bë i njohur si reper gangster. Që nga viti 2018 Bushido jeton nën mbrojtjen e policisë. Kur muzikanti 41-vjeçar shkon këto ditë në gjykatën e Berlinit, atij i prin një autokolonë me drita blu dhe kur zbret, rrethohet nga truproja me jelekë antiplumb dhe balaclava.

Bushido, që ka origjinë tuniziane dhe emri i tij i vërtetë është Anis Ferchichi, është dëshmitari kryesor dhe bashkë-paditës në procesin kundër Arafat Abou-Chaker dhe tre vëllezërve të tij. 44-vjeçari është kreu i një klani kriminal me prejardhje arabe. Bushido dhe Abou-Chakerët patën një marrëdhënie të ngushtë biznesi për shumë vite. Si dëshmitar Bushido e përshkruan lidhjen më tepër si një lloj varësie. Ai flet për pagesa kundër vullnetit dhe biznese të errëta - dhe për imponim. Shefi i klanit Arafat Abou-Chaker dhe vëllezërit e tij duket se e kanë kërcënuar masivisht Bushidon, kur ai donte t'i jepte fund lidhjes së biznesit.

Vështrime brenda botës paralele

Bushido ka dëshmuar për disa ditë. Dhe në të njëjtën kohë ka dhënë edhe një pasqyrë të botës paralele të klaneve kriminale. 30 për qind të të ardhurave të tij ka qenë i detyruar t'ia paguajë Abou-Chake-rit, shpjegon reperi dhe producenti i muzikës - para taksave. Nëntë milion euro duhet të kenë qenë gjatë viteve. Edhe pas vdekjes së Arafat Abou-Chaker-it, atij i është dashur të vazhdojë t'u paguajë trashëgimtarëve të tij. Kur prokurorja pyeti, se çfarë mund ta priste nëse refuzonte, nga reperi gangster erdhi përgjigja: "Veprime verbale deri në fizike, jo me letra avokati.”

Këtu mund të shihet, se si në Gansta-Rap bëhen shumë para, thotë Tom Schreiber, ekspert i çështjeve të brendshme i Partisë Socialdemokrate (SPD) në Dhomën e Përfaqësuesve të Berlinit. Schreiber thotë në intervistën për DW: "Përpjekja për të fituar pushtet, ndikim, për të marrë para, ushtrimi i presionit - këto janë elementet kryesore në fushën e krimit të organizuar. Dhe kërcënimi luan një rol vendimtar këtu."

Deutschland Leipzig Bundesverwaltungsgericht | Prozess Rapper Bushido
Fotografi: picture-alliance/dpa/S. Willnow

Frikësimi si parim biznesi

Prokurori i Përgjithshëm Ralph Knispel e njeh frikësimin e dëshmitarëve. Knispel punon për prokurorinë e Berlinit prej tri dekadash. Sot ai drejton sektorin e krimeve kapitale dhe ndjek krimet e rënda të kryera nga klanet. Për të çështja kundër Arafat Abou-Chaker dallon nga shumica e proceseve kundër anëtarëve të klaneve, sepse në rastin e Bushidos një dëshmitar po dëshmon me të vërtetë në gjykatë. Kjo nuk ndodh shpesh. Dëshmitarët gjatë marrjes në pyetje nga policia ndonjëherë japin informacione të gjera, në dukje të vlefshme për të dhënë dënimet, por që rregullisht nuk përsëriten më vonë në seancën gjyqësore", thotë Knisper për DW. Shpesh dëshmitarët humbasin guximin në seancën gjyqësore. „Shpesh ata i relativizojnë ose i tërheqin dëshmitë”, vëren Knisper.

Abou-Chakerët që ndodhen në gjyq me Bushidon janë njëra nga disa familjet e mëdha arabe, që bien vazhdimisht në sy të policisë. Dhe me rreth 250 anëtarë klani, ajo nuk është më e madhja. Është për shembull klani Remmo me rreth 500 anëtarë. Një nga veprimet më spektakolare të tij ishte vjedhja e një monedhe ari njëqind kilogramëshe nga muzeu Bode i Berlinit në vitin 2017. Tre anëtarë të klanit u dënuan me disa vjet burg në muajin shkurt. Ari me vlerë më shumë se tre milion eurosh është zhdukur. Ndoshta është shkrirë.

Përmasa mbarëkombëtare e krimit klanor u bë e qartë në vjeshtën e vitit të kaluar. Zyra Federale për Kriminalitetin (BKA) trajtoi për herë të parë çështjen e klaneve kriminale në raportin e saj "Kriminaliteti i organizuar". Biznesi kryesor i klaneve: trafiku i drogës, i pasuar nga grabitjet. Numrin më të lartë të proceseve e ka landi federal NRW.

Klanet e përqendruara në NRW

Thomas Jungbluth drejton sektorin e krimit të organizuar në Zyrën e Policisë Kriminale të landit në Dyseldorf (LKA). "Në dallim nga grupimet e tjera, si krimi i organizuar italian ose rus, si dhe grupet e rokerëve, klanet kriminale janë shumë të lidhura njëri me tjetrin," shpjegon Jungbluth për DW. "Familja është gjithçka. Nderi i familjes duhet të mbrohet me çdo kusht. Dhe vlen e drejta e më të fortit. Këtu luajnë rol ide shumë arkaike". Në mes të gushtit Jungbluth qëndronte pranë ministrit të Brendshëm të Nordrhein-Westfalen, Herbert Reul, kur ky bëri paraqitjen e dytë të krimit klanor për NRW, që rezultonte me jo më pak se 111 klane aktive në vitin 2019.

Deutschland Prozess Bushido Abou Chaker
Fotografi: picture-alliance/dpa

Drejtësi paralele

Kriminaliteti klanor në NRW është i përqendruar në Esen, në metropolin e rajonit të Ruhrit, me rreth 600.000 banorë. "Nëse bëni shumë kundër klaneve, dilni padyshim në media", thotë kryetari i bashkisë Thomas Kufen në intervistë për DW. Për shumicën e njerëzve në Esen, kriminaliteti i klaneve nuk ka ndonjë efekt imediat, "sepse ato janë vepra penale drogë, prostitucion, pastrim parash, gjëra me të cilat njerëzit e zakonshëm në Esen nuk kanë asnjë lidhje". Sidoqoftë, ajo që ka zemëruar qytetarët ështe një subkulturë që ështe zhvilluar aty. Thomas Kufen përmend: Sjellje pa respekt, që japin përshtypjen se klanet zotërojnë rrugën, që vlen vetëm ligji i familjes dhe në rast konfliktesh bëhet presion për të mos shkuar në polici apo tek avokati; përpjekje për t'i zgjidhur konfliktet në rrethin e tyre kulturor - ku Kufen përmend edhe termin gjakmarrje. "Kjo është një strukturë paralele, drejtësi paralele, të cilën nuk mund ta tolerojmë kështu", paralajmëron ai.

Baret e shishave kazinotë kontrollohen vazhdimisht, kafenetë, dyqanet e shitjes me pakicë dhe parukeritë. Por vetëm represioni nuk mjafton, thotë Thomas Kufen, duhet të ofrohen edhe mundësi. Kufen është në dijeni për statusin problematik të shumë anëtarëve të klanit që - megjithëse kanë lindur në Gjermani - jetojnë këtu si persona pa shtetësi, që në fund të fundit vetëm tolerohen në Gjermani".

Dështimi i integrimit

Eksperti për çështjet e brendshme Tom Schreiber flet për dështimin e politikës dhe është i bindur se: "Nëse njerëzit nuk integrohen, as në tregun e punës dhe as nuk kanë mundësi, për shembull të mësojnë gjuhën gjermane, të bëhen pjesë e shoqërisë, por përjashtohen, atëherë nuk duhet të habitemi që formohen struktura të caktuara".