1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Berlin: AKK shefe e re në Ministrinë e Mbrojtjes

17 Korrik 2019

Kryetarja e CDU-së Annegret Kramp-Karrenbauer ka vendosur të marrë postin e ministres së Mbrojtjes. Por kush është "AKK"?

https://p.dw.com/p/3MBYP
Annegret Kramp-Karrenbauer, Parteivorsitzende der CDU, spricht auf dem Landesparteitag der CDU Sachsen-Anhalt
Fotografi: picture-alliance/dpa/H. Schmidt

Ish-kryeministrja e landit të Zarës, Kramp-Karrenbauer ka marrë postin e kryetares së CDU-së në dhjetor, duke i mundur kundërkandidatët Friedrich Merz dhe Jens Spahn. Spahn ishte edhe kandidati kryesor për postin e ministrit të Mbrojtjes, pas zgjedhjes së Ursula von der Leyenit si presidente e Komisionit Evropian. Von der Leyen do të largohet zyrtarisht të mërkurën (17.07) nga posti i saj ministror në kabinetin qeveritar të kancelares Angela Merkel. Ndërsa vendimi që Kramp-Karrenbauer të jetë pasuese e von der Leyen i ka bafasuar të gjithë. Në këtë mënyrë udhëheqja e ushtrisë gjermane vazhdon të mbetet në duart e një gruaje.

E besueshmja e Merkelit

Kramp-Karrenbauer llogaritet ndër bashkëpunëtoret e ngushta të kancelares Merkel. Por ajo ka edhe përvojën e duhur në skenën politike. AKK ka mbaruar studimet e shkencave politike dhe juridike, ndërsa në vitin 1998 është zgjedhur deputetet në Bundestag. Por shumë shpejt ajo u largua nga Berlini dhe është kthyer në ladin e Zarës.

Brenda 12 vitesh pune në këtë land ajo ka ushtruar detyra ministrore në shumë fusha dhe ka mbledhur përvojë - në Ministrinë e Brendshme, e Familjes dhe Gruas, Arsimit dhe Kulturës, Punës dhe Çështjeve sociale, Drejtësisë. Në vitin 2011 u zgjodh kryeministre e landit të Zarës. Ndërsa tani do të bëhet ministre e Mbrojtjes në Gjermani.

Karriera dhe realiteti

AKK u zgjodh anëtare e kryesisë së CDU në vitin 2010. Në shkurt të vitit vitit 2018 u zgjodh sekretare e Përgjithshme e CDU. Ndërsa më pas edhe kryetare e CDU. Kramp-Karrenbauer është e njohur për afërsi me njerëzit dhe politikane që respekton realitetin. Ajo është e martuar me Helmutin prej 35 vitesh dhe ka fëmijë tani të rritur. Ndonjëherë mund të shihet rrugëve edhe me motoçikletë, ndërkohë që rregullisht shikonte ndeshjet e futbollit apo hokejit në akull në Mannheim. Burri i saj është inxhinier, por e ka lënë profesionin për t'u kujdesur për fëmijët dhe për të ndihmuar gruan e tij.

Detyra e re dhe rreziqet

Si ministre e Mbrojtjes ajo duhet të marrë vendime dhe të japë urdhëra ushtarake. Detyra kryesore e ministres së re do të jetë modernizimi i Bundeswehrit. Ushtria gjermane ka vuajtur një kohë të gjatë nga kursimet që kanë shkaktuar probleme të mëdha me armë dhe pajisje. Përveç kësaj, ushtria ka probleme edhe me gjetjen e kuadrove të duhura teknike në treg, sepse sipërmarrjet e tjera paguajnë më mirë. Ursula von der Leyen ka nisur reformat financiare, por ato nuk kanë përfunduar.

Detyra e re e Kramp-Karrenbauer do të jetë një sprovë e rëndësishme, sepse Ministria e Mbrojtjes është një sektor shumë i komplikuar politik. Edhe von der Leyen ka pasur probleme serioze në këtë ministri, si për shembull me aferën e pagesave për këshillime apo kostot tepër të larta të riparimit të anijes "Gorch Fock".

Kramp-Karrenbauer nuk është shquar deri tani për deklarata lidhur me politikën e mbrojtjes. Në një intervistë për revistën "Der Spiegel" ajo ka kërkuar përmirësimin e buxhetit për mbrojtjen.