1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Berani: Institucionet më në konfuzion sesa shoqëria civile dhe mediat

Esat Ahmeti3 Dhjetor 2006

Për rolin e mediave dhe raportet mes gazetarëve flet Evliana Berani, prorektore ne Universitetin Privat AAB në Prishtinë, gazetare dhe redaktore në revistën 'Albanica Ekskluzive' dhe konsulente në Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim UNDP

https://p.dw.com/p/Arai

Deutsche Welle: Duke bërë një krahasim mes periudhës 2000-2004 dhe vitit 2006, Evliana Berani flet fillimisht për një shtendosje të marrëdhënieve ndëretnike në përgjithësi dhe të raporteve mes gazetarëve shqiptarë dhe serb në veçanti.

Evliana Berani: Eshtë mirë që përmende një mundësi të krahasimeve mbështetur në parametrat realisht dinamik, sepse asgjë nuk do të mund të shkëpusim dhe të themi diçka substanciale nëse gjërat i shikojmë vetëm nga perspektiva e vitit, po e zëmë 2006. Nëse shpalosim të dhënat për krahasimet dhe gjendjen faktike, atëherë vërejmë se realisht marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë në përgjithësi janë më të shtendosura se sa në fillim. Mbaj mend se në vitin 2000 gazetarët shqiptarë dhe gazetarët serbë thuajse nuk kishin asnjë formë të bashkëpunimit. Domethënë tek të dy palët dominonte një disponim me orientime nacionale e shumë më pak një disponim me orientim profesional. Domethënë edhe lajmi si lajm shikohej mbi baza nacionale e jo mbi faktin është apo nuk është lajm.

Deutsche Welle: Po sot mund të flitet për një gjendje tjetër?

Evliana Berani: Krahasuar me vitin 2000 unë kujtoj se në vitin 2006 të dy palët edhe pala serbe edhe ajo shqiptare qëndrojnë dukshëm më mirë kur është në pyetje standardi profesional dhe etika profesionale. Kjo në asnjë mënyrë nuk do të thotë se gjinden në shkallë në të cilën duhet të jetë një profesionist. Kanë ngjyrime duke filluar nga ato etnike, nacionale, dhe me prapavija të grupeve të interesit.

Deutsche Welle: I kthehemi përvojës suaj personale. Ju shpeshherë në cilësinë e organizatores e herë të pjesëmarrses aktive jeni nëpër takime, konferenca e seminare ku së bashku takohen shqiptarë e serbë dhe trajtohen tema të ndryshme. A mund të flitet me të vërtetë për një shtendosje të marrëdhënieve apo janë rënduar ato në prag të zgjidhjes së statusit?

Evliana Berani: : Unë vërtetë mendoj se janë të shtendosura. Unë gjithmonë kam parasysh parametrat krahasues do të thotë ato të vitit 2000 dhe këto të vitit 2006. Natyrisht kur në tryezë vijnë çështjet shumë të rëndësishme, siç është përshembull statusi i Kosovës atëherë divergjencat edhe tensionet mes gazetarëve dhe grupeve të ndryshme etnike vazhdojnë të shtohen por sipas të gjitha sondazheve kjo ndodh vetëm gjatë periudhës kur proceset për çështjet e tilla vazhdojnë. Megjithatë prej çastit kur pala shqiptare dhe serbe takohen e vërej se relacionet fillojnë të shtendosen. Për mua ky është parametri dhe indikatori kryesor i cili flet se gazetarët si dhe qytetarët në përgjithësi në kohë të qeta, në kohë kur nuk kanë para vetes një katalizator i cili do tu përkujtonte peshën ose rëndësinë e interesave nacionale megjithatë i janë kthye shumë më shumë problemeve të tyre të jetës dhe përditshmërisë.

Deutsche Welle: Kur flasim për jetën e përditshme, në një raport të USAID-it dhe UNDP-së, thuajse 65 përqind e të anketuarëve mendojnë se korrupcioni është i pranishëm në Kosovë. Në anketë me siguri që janë përfshirë shqiptarë dhe serbë. Sa dallojnë qëndrimet e tyre sa i përket kësaj dukurie?

Evliana Berani:: Dallimet e shqiptarëve dhe serbëve në raport me korrupcionin nuk mendoj se janë shumë të mëdha, për këtë flet pikërisht sondazhi që e përmendet. Të dy palët mendojnë se korrupcioni është relativisht prezent me një diferencë të vogël ku serbët mendojnë se ka më pak korrupcion sesa shqiptarët...

Deutsche Welle: Zonja Berani, sipas mendimit tuaj kush është duke bërë më shumë për afrimin e komuniteteve në Kosovë, institucionet apo shoqëria civile?

Evliana Berani: Për fat të keq shoqëria civile në Kosovë është shumë e brishtë, ende nuk është e organizuar dhe nuk është në gjendje që në mënyrë të qartë t'i artikulojë interesat e të gjithë qytetarëve. Unë këtë e ndërlidh padyshim me pozitën shumë të keqe materiale në të cilën gjindet shoqëria civile sot. Shumica e OJQ-ve edhe më tej varen nga donatorët që do të thotë një pjesë të madhe të kohës së tyre duhet ta humbin në sajimin e projekteve, në vrapim për sigurimin e mjeteve dhe u mbetet shumë pak kohë që të merren me trajtimin e problemeve konkrete. Se kush është duke bëtë më shumë jo vetëm në afrimin e komuniteteve por në të gjitha segmentet e jetës në Kosovë, është një pyetje shumë delikate. Unë personalisht mendoj se shumë më mirë në këtë drejtim qëndrojnë mediat, ato janë shumë aktive, janë shumë të angazhuara dhe përkundër kushteve shumë të këqija po përpiqen që ta bëjnë maksimumin. Do të shtoja edhe një fjali për nivelin e institucioneve. Ato nganjëherë kam përshtypjen gjinden në konfuzion shumë më të madh sesa shoqëria civile apo edhe përfaqësuesit e mediave, gazetarët. Dhe ky konfuzion bartet realisht nga institucionet në këto dy shtylla bazë të zhvillimit të proceseve në Kosovë.