1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE-Rusi unison për krizën financiare, por mosmarrëveshje mbi temat e tjera

(VFB)14 Nëntor 2008

Pavarësisht grindjes për Gjeorgjinë, BE-ja dhe Rusia janë dakord për një linjë të përbashkët në samitin e G-20-ës. Në samitin e Nisës nuk u morr vendim konkret për rifillimin e bisedimeve të partneritetit.

https://p.dw.com/p/Fuzy
Fotografi: DW-Montage/Bilderbox.de

Presidenti rus Dimtri Medvedjev dhe ai francez Nikola Sarkozi, që aktualisht është kryetari i radhës i Këshilit Presidencial të BE-së, të premten (14.11) në samitin BE-Rusi në Nisë të Francës, thanë, se të dyja palët kanë pozicione identike lidhur me temat e takimit të nivelit të lartë në Uashington. Samiti i G-20-ës në shtunën (15.11) në Uashington duhet të sjellë rezultate, ky është njri nga pozicionet e përbashkëta. Një tjetër takim i G-20-ës duhet ta pasojë atë të Uashingtonit sa më shpejt që të jetë e mundur: Presidenti rus Medvjedev tha, se mbështet kërkesën e Sarkozisë për një takim pasues, pasi presidenti i ardhëshëm i SHBA, Barak Obama, të marrë postin zyrtarisht. Presidenti francez Sarkozi, vuri në dukje gjithashtu, se synohet thellimi i bashkëpunimit ekonomik me Moskën. "Jam i bindur, që ne, Rusia dhe BE-ja, duhet të punojmë për një zonë të përbashkët ekonomike. Përmes një mardhënieje që mund të krijohet mbi këtë bazë do të shmangeshin konfrontimet, sepse ato vënë në pikëpyetje interesat e përbashkëta."

Por unisoni lidhur me temën e ekonomisë dhe të financave u pasua prej disharmonisë sa i përket konfliktit në Kaukaz. Nikola Sarkozi në emër të BE-së i kërkoi Rusisë "avancim në tërheqjen nga Gjerogjia". Rusia nuk i ka përmbushur të gjitha detyrimet, që janë marrëveshja e armëpushimit, tërheqja e ushtarëve rusë dhe vendosja e vëzhguesve të huaj, tha Sarkozi. Probleme ka edhe me qarkun Akalgori në Osetinë jugore, që deri në gusht administrohej prej Gjerogjisë, si dhe në fshatin Perevi, që përpara konfliktit në verë banohej nga shumicë gjeorjgiane. Sipas Sarkozisë, BE-ja është shumë e shqetësuar nga kërcënimi i Rusisë për dislokimin e raketave në eksklaven ruse në Kalindingrad. Kjo duhet të evitohet. Nga ana e tij presidenti rus Medvjedev i bëri thirrje SHBA-së, që të heqë dorë nga ndërtimi i sistemit të mbrojtjes prej raketave në Evropën Lindore. Për këtë ai kërkoi bisedime me bazë të gjerë për sigurinë në Evropë, duke theksuar, se duhet të shmangen veprimet e mëvetsishme.

Mes BE-së dhe Rusisë në samitin e Nisës nuk u arrit marrëveshje, se kur do të rifillojnë bisedimet e partneritetit. Këto bisedime u pezulluan për shkak të konfliktit në Kaukaz. Në fillim të javës në Bruksel u ra parimisht dakord, që bisedimet të rifillojnë mbi bazën e një marrëveshjeje të re partneriteti. Të dyja palët kanë interesa të mëdha reciproke veçanërisht në fushën e ekonomisë. Rusia është një nga partnerët më të rëndësishëm tregtarë për BE-në, që merr prej tregut rus gati një të tretën e energjisë.