BE publikon listën e shoqërive ajrore me mangësi të mëdha sigurie | Studimi në Gjermani | DW | 16.11.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

BE publikon listën e shoqërive ajrore me mangësi të mëdha sigurie

Ndër temat e shtypit të sotëm gjerman zgjodhëm atë të politikës së jashtme gjermane, gjendjen në Francë dhe atë të publikimit të një liste të zezë në Evropë me emrat e shoqërive ajrore me mangësi serioze në masat e sigurisë.

Avioni i rrëzuar në gusht 2005 pranë brigjeve të Sicilisë

Avioni i rrëzuar në gusht 2005 pranë brigjeve të Sicilisë

Në lidhje me politikën e jashtme gjermane gazeta Frankfurter Allgemeine shkruan:

Natyrisht që marrëdhënia me Amerikën duhet të marrë përsëri formën e duhur. Kjo prek fillimisht tonin dhe stilin, të cilat kanë të bëjnë shumë me personat përgjegjës, por prek edhe përmbajtjen. Natyrisht, që dëshirohet që Gjermania të përmbushë "detyrën" e saj dhe të shtynte përpara procesin e bashkimit evropian. Megjithëse Fisheri është përpjekur me faza të kontribuojë, në kohën e Shrëderit ky motorr nuk ka ecur si më parë. Fuqia e tij nuk u rrit as me faktin që Shrëderi u lidh ngushtë me presidentin francez Shirak. Mosbesimi që shprehin sot anëtarët vegjël dhe të rinj të Bashkimit Evropian ndaj lidhjes gjermano-franceze, sepse dyshojnë se këto të dyja po kërkojnë udhëheqjen ekskluzive, bën pjesë tek anët negative të qeverisë Shrëder-Fischer.

Kalojmë në një temë tjetër. Gazeta Stuttgarter Zeitung shkruan mbi gjendjen në Francë. Shumë tregues flasin se francezët nuk kanë besim as tek Sarkozy e as tek Villepin, që këta të jenë në gjendje të hartojnë dhe realizojnë modele më të përshtatshme integrimi e sociale. Duhet pritur një votë tjetër proteste, për më tepër që opozita socialiste merret mjaft me veten e vet. Që prej pesë vjetësh, populli po e shfrytëzon çdo datë zgjedhjesh për t'u tërhequr veshin pushtetarëve. Në zgjedhjet e fundit presidenciale prej kësaj përfitoi radikali i djathtë Le Pen. Se kush do të përfitojë në vitin 2007 prej kthimit të shpinës politikanëve me emër, kjo është ende e hapur; megjithatë një gjë dihet, Franca nuk përfiton prej kësaj.

Gazeta Kölnische Rundschau trajton miratimin nga Parlamenti Europian për publikimin e një liste të zezë me emrat e shoqërive ajrore me mangësi serioze në masat e sigurisë.

Shpeshtimi tmerrues i rrëzimeve të avionëve verën e kaluar i shtoi tej mase thirrjet për rregulla dhe kontrolle më të rrepta. Institucionet e Bashkimit Evropian kanë kuptuar dhe po japin zgjidhje të shpejta, jo si zakonisht. Duke filluar nga viti i ardhshëm do të publikohet një listë e zezë me emrat e "shoqërive ajrore të mbaruara". Edhe më e rëndësishme: Çdo shoqëri që futet në këtë listë, do të dënohet në mbarë Evropën me ndalimin e fluturimit. Ky përjashtim i përbashkët për ofruesit joseriozë është një sinjal i rëndësishëm sigurie për gjithë udhëtarët... Kritire të qarta të sigurisë sa vjen e bëhen më të rëndësishme në një degë, e cila po ndjen një trysni të jashtëzakonshme të çmimeve. Prandaj po rritet rreziku që në kurriz të klientëve të kursehet atje ku nuk duhet kursyer.

Për të njëjtën temë në gazetën Mannheimer Morgen lexojmë:

Ato quhen Air Koryo, International Air Service apo Phuket Airlines. Enti francez i aviacionit civil pati reaguar që në muajin gusht, duke publikuar një listë të zezë me emrat e shoqërive ajrore, të cilat për shkak të mangësive të mëdha në masat e sigurisë, nuk lejoheshin të ngriheshin apo të uleshin nga pistat franceze. Tani reagoi edhe Bashkimi Evropian duke i përjashtuar krejt nga hapësira ajrore evropiane shoqëritë e pasigurta. Edhe shoqëritë e shumta serioze kanë interes që konkurrentët e rrezikshëm të mos lejohen të fluturojnë; sepse aksidente si rrëzimi në verë i avionit Boeing të shoqërisë ajrore qipriote Helios Airline, i japin nam të keq gjithë sektorit. Toleranca e kuptuar gabim mund të jetë vdekjeprurëse në këtë kuadër.

  • Data 16.11.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arsp
  • Data 16.11.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arsp