BE pa unitet në politikën e imigrimit | Evropa | DW | 08.10.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

BE pa unitet në politikën e imigrimit

Masat ndihmojnë vetëm në planin afaftgjatë

Pikë kontrolli pasaportash në një aeroport të Berlinit

Pikë kontrolli pasaportash në një aeroport të Berlinit

Vërshimi i refugjatëve mbi enklavat spanjolle Ceuta dhe Melilla po preokupon jo vetëm Spanjën, por të gjithë Bashkimin Evropian. Evropa nuk mund të kthehet në fortesë, nuk duhet ngritur një "Mur Berlini" i ri, tha komisioneri evropian për rendin Franco Frattini. Por megjithëse ka pajtim lidhur me vijat e përgjithshme, në Bashkimin Evropian ndërmerret shumë pak.

Gardhe edhe më të larta nuk do ta ndalin me kalimin e kohës refugjatin afrikan në përpjekjen për të mbërritur në Evropë; dhe në aspektin afatshkurtër qendra e Bashkimit Evropian në Bruksel mund të bëjë pak për lehtësimin e dramës së refugjatëve në Ceuta dhe Melilla. Në thelb politika e migrimit, e azilit dhe e refugjatëve është kompetencë e shteteve anëtare të BE-së, gjë që këto e ruajnë me shumë kujdes. Që prej takimit të nivelit të lartë në Tampere më 1999 ka pasur e ka përpjekje për ta rregulluar në rrafsh evropian politikën e imigrimit dhe të azilit. Parashtresën e fundit fundit e bëri në shtator Komisioni Evropian; por përveç standardeve minimale dhe propozimeve kuadër prej të cilave shtetet anëtare zgjedhin vetëm temat që u pëlqejnë nuk është arritur tjetër.

Drejtimin e përcaktojnë pesë shtetet më të mëdha në BE: Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia dhe Spanja. Ky grup është marrë vesh për një praktikë më të ashpër riatdhesimi, por është mjaft larg konceptit të përbashkët mbi imigrimin legal dhe drejtimin e fluksit të migrimit. Fatkeqësisht këtu bllokon para së gjithash ministri i brendshëm gjerman Otto Schily.

Schily e sa vjen e më shumë homologë të tij i varin shpresat tek koncepti i shteteve të treta të sigurta, në të cilat mund të kthehen refugjatët pa u menduar gjatë. Koncepti thjesht i kalohet për zgjidhje të tjerëve ose shtyhet jashtë kufijve të jashtëm të BE-së. Me shtetet afrikanoveriore Bashkimi Evropian po negocion marrëveshjet e riatdhesimit. Ofrohen ndihma financiare për financimin e kampeve të refugjatëve në vendet e transitit: Marok, Algjeri ose Libi. BE-ja e zbukuron emërtimin duke mos i quajtur këto kampe kampe, por "qendra kthimi". Me të drejtë parlamenti në Bruksel kundërshton që shtete si Libia apo Kina të shpallen "shtete të treta të sigurta", pa u kujdesur për fatin e mëtejshëm të të kthyerve.

Mullinjtë e Bashkimit Evropian bluajnë ngadalë, prej vitesh ministrat e brendshëm nuk merren dot vesh për një politikë të përbashkët. Ky është skandali, sepse ndërkaq çdo vit vdesin qindra, nëse jo mijëra njerëz gjatë përpjekjes për të kaluar në drejtim të veriut Detin Mesdhe. Kamerat e xhirimit si tani në Ceuta dhe Melilla rrallë janë të pranishme.

I ngarkuari i Kombeve të Bashkuara për refugjatët dhe shumë organizata të të drejtave të njeriut e akuzojnë BE-në për mosrespektim të konventave përkatëse për refugjatët; një gjykim asgjësues ky për politikën evropiane të migrimit. Prandaj komisioneri i rendit Franco Frattini do të bëjë më shumë reklamë për ndikimin pozitiv që mund të ketë migrimi legal në shoqëritë evropiane në mplakje. Të gjithë aktorët në Bruksel pajtohen se nevojitetnjë politikë më e mirë tregtare dhe zhvillimi, e cila do të përmirësonte kushtet në vendet e prejardhjes. Por edhe këtu përparaimi paraqitet i vështirë, efektet mund të priten vetën në afat të gjatë.

Pamjet dramatike tani nga Maroku dhe më parë nga ishulli italian Lampedusa nuk duhet të gënjejnë: Shifrat dokumentojnë një problem relativisht të vogël. Rreth 500.000 imigrantë ilegalë ia dalin çdo vit të depërtojnë në fortesën Evropë. Ata nuk përbëjnë ndonjë kërcënim për një popullsi 450 milionëshe evropiane. Për "vërshim" apo "përmbytje" nuk mund të bëhet fjalë. Sipas OKB-së në mbarë botën jetojnë 200 milion njerëz si migrantë, pra vetëm 0,25 për qind e tyre vijnë në Evropë. Shumica e refugjatëve shtegtojnë nga vendet e varfra po në vende të varfra.

  • Data 08.10.2005
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArD7
  • Data 08.10.2005
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArD7