1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE pa buxhet

17 Nëntor 2010

Pas dëshimit të bisedimeve mes delegacioneve, parlamentit të BE-së dhe Këshillit të Ministrave në lidhje me buxhetin për vitin 2011 Bashkimi Evropian për momentin nuk ka buxhet për vitin e ardhshëm.

https://p.dw.com/p/QAkN
Janusz Lewandowski, Komisari i BE-së për buxhetin
Janusz Lewandowski, Komisari i BE-së për buxhetinFotografi: AP

Bisedimet për buxhetin e BE-së vazhduan deri vonë në mesnatë kur belgu, Melchior Whatelet, përfaqësues i Këshillit të Presidencës filloi të fliste në mënyrë filozofike: "Të mos jesh në një mendje kjo është e lehtë, vështirësia qëndron në gjetjen e kompromisit."

Komisari i BE-së për buxhetin, Janusz Lewandowski, tha se Komisionit të BE-së "i vjen shumë keq për këtë fiasko".

Një muaj e gjysmë përpara fillimit të vitit BE nuk ka ende një buxhet të aprovuar, ndërkohë që në lidhje me shifrat janë të gjithë dakord. BE-ja mund të harxhojë vitin e ardhshëm 126,5 miliardë euro. Kjo përbën një ngritje prej 2,9 % në krahasim me një vit më parë. Parlamenti i BE-së kishte kërkuar fillimisht më tepër dhe Këshilli, pra përfaqësia e qeverive të vendeve anëtare, i ishte përgjigjur deri në këtë masë. Mosmarrëveshje pati në lidhje me ndarjen e ardhshme të pushtetit në radhët e BE-së. Në lidhje me të drejtën e fjalës së parlamentit në çështjet e buxhetit. Deputetët kërkuan që e drejta e ushtrimit të fjalës së parlamentit në këtë çështje duhet rregulluar me një marrëveshje. Kjo do të ishte në fakt zbatimi praktik i asaj që është shkruar në traktatin e Lisbonës.

Në marrëveshjen e Lisbonës është shkruar se institucionet duhet të lidhen më tepër me njëri-tjetrin dhe jo që ta bllokojnë njëri-tjetrin - tha Lewandowski. Sipas njoftimeve të tij shumica e shteteve anëtare kishte qenë e gatshme për marrëveshjen. Vetëm disa prej qeverive i kishte hedhur poshtë në mënyrë strikte kërkesat e parlamentit.

Në kundërshtime kishte hasur sidomos ideja që BE-ja të mos jetë e varur vetëm prej kontributeve të vendeve anëtare, por që në një perspektivë afatgjatë të ketë të drejtë të mbledhë edhe taksa për llogari të vet. Sipas njoftimeve të qarqeve diplomatike rezistenca më e madhe ndaj këtyre ideve kishte ardhur nga qeveritë e Britanisë së Madhe dhe të Holandës.

Mosmiratimi i buxhetit të BE-së do të ketë pasoja në lidhje me realizimin e disa programeve të rëndësishme. Një ndër to është krijimi i Shërbimit Diplomatik Evropian. Më tej të prekura prej mosmiratimit të buxhetit do të jenë edhe mbështetja për fermerët si dhe ndihmat rajonale.

Fillimi i vitit 2011 nuk do të jetë i lehtë për ata që paguhen prej buxhetit të BE-së. Komisarit të buxhetit Lewandowski i duhet tani të përgatisë një projektbuxhet të ri dhe të shpresojë se bisedimet mes parlamentit dhe vendeve anëtare do të shkojnë më mirë.

Autor: Andreas Reuter / Pandeli Pani

Redaktoi: Esat Ahmeti