BE për një luftë të përbashkët kundër terrorizmit | Evropa | DW | 26.03.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

BE për një luftë të përbashkët kundër terrorizmit

Emrohet edhe koordinatori i përbashkët për këtë luftë, ndërkohë që tejkalohen në masë të madhe mosmarrveshjet rreth kushtetutës evropiane

Shrëder dhe Shirak: masa të përbashkëta në luftën kundër terrorizmit

Shrëder dhe Shirak: masa të përbashkëta në luftën kundër terrorizmit

Pas shokut të Madridit, kryeministrat dhe presidentët e shteteve të Bashkimit Evropian kanë vendosur që seriozisht të merren me masat për mbrojtjen nga terrorizmi ndërkombëtar: ata kanë hartuar një dokument me të cilin parashikohet edhe ndërhyrja ushtarake. Thuhet se kundër rrjetit terrorist Al Kaida duhet ndërmarrë masat e duhura. Sa urgjente është kjo dëshmon supozimi se shërbimi sekret gjerman kishte informacione për njërin prej atentatorëve të Madridit. Bashkëpunimi mes shërbimeve sekrete duhet të përmirësohet, deklaroi kryeministri i Irlandë, Berti Ahern: "Ky nuk është një zbulim i ri, por pas Madridit duhet të verifikojmë të gjitha të dhënat me synim cuarjen përparë të punës me një impuls të ri politik. Evropianët presin prej nesh ndërmarrjen e këtyre masave".
Deri në qershor pritet të dakordohet paketa e ligjeve, e cila është inicuar pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, por ka dështuar për shkak të mospajtimeve mes shteteve anëtere. Kjo ka të bëjë me urdhërarrestin evropian, konfiskimin e pasurive të terroristëve, evitimin e spastrimit të parave të pista përmes të dhënave të përbashkëta dhe ekipet e përbashkëta hetuese. Të dhënat biometrike duhet të shënohen edhe në pasaporta dhe në viza.
Kryeministri i Luksemburgut Jean Claude Juncker foli për nevojën e futjes më të shpejtë në fuqi të masave kundër terrorizmit: "Qëllimi dhe kuptimi kryesor është terrorizimi i terroristëve. Kjo nuk mund të bëhet me tregime letrare. Për të luftuar terrorizmin ne duhet të ndërmarrim të gjitha masat që BE i ka në dispozicion. Gjetja e një rruge të mesme mes sigurisë dhe lirisë së individit, për të gjithë ne është një sfidë e madhe".
Zbatimi i këtyre ligjeve duhet të mbikcyret prej një koordinatori të posacëm për luftën kundër terrorizmit, holandezit Gijs de Vries.
Disa shtete kanë kritikuar emrimin e posteve tjera burokrate, sepse me rëndësi është vullneti politik dhe ndryshimi i vërtetë i gjërave.
Tanimë nuk bëhet fjalë për krijimin e një shërbimi të përbashkët sekret, por për zgjërimin e kompetencave të EUROPOL-it. Ndërkohë që duhet përmirësuar raportet me SHBA dhe vendet tjera.
Në një darkë të përbashkët përfaqësuesit e 25 vendeve të BE kanë rënë dakord që më së largu në qershor të miratojnë paketën e ligjeve kundër terrorizmit. Udhëheqësi i radhës Ahern thotë se ky paraqet një përparim drejt tejkalimit të mosmarrveshjeve rreth projektit të kushtetutës: "Ne nuk jemi marrë me detaje, por mjafton të dihet se ekziston një vullnet i mirë për përfundimin e këtyre gjërave".
Qeveria e re e Spanjës ka paralajmëruar të tërheqë bllokadën e saj ndaj propozimit të kushtetutës së BE. Ndërkohë që shenja për mundësinë e kompromisin kanë mbërritur edhe nga Polonia. Kryeministri i Polonisë, Leshek Miller thotë: "Ne duhet të kërkojmë kompromise dhe marrveshje. Sulmet e Madridit kanë treguar shumë qartë se është e domosdoshme nxjerrja e rregullave të sakta për një bashkëpunim më efektiv të BE. Neve na duhet një marrveshje për vendosjen e balancës mes vendeve të vogla, të mesme dhe të mëdha".
Gjermania ka treguar gatishmëri për ndryshimin e sistemit të votimit me shumicë. Në të ardhmen shumicën mund të përbëjnë 14 vende të cilat përfaqësojnë interesat e 55 përqind të popullatës. Përvec mënyrës së votimit, ekzistojnë mosmarrveshje edhe mbi dallimet rreth komisioneve evropiane. Vendet e vogla dha Danimarka kërkojnë që secili vend të ketë një komisioner, ndërsa me projektkushtetutë parashikohen vetëm 15 komisionerë.

  • Data 26.03.2004
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArHu
  • Data 26.03.2004
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArHu