BE negocion me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut | Evropa | DW | 19.07.2022
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Evropa

BE negocion me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Zgjati shumë, megjithatë tani BE-ja e mbajti premtimin. Me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut po negociohet për antarësimin. Vetëm se: sërish edhe kjo mund të zgjasë shumë.

Për këtë çast Shqipëria ka punuar plot dhjetë vjet, ndërsa Maqedonia e Veriut madje 17 vjet. Pra prej kaq kohësh këto dy vende janë „kandidatë për antarësim" në BE. Sot (19.07) në Bruksel filluan me dy konferencat ndërqeveritare me të gjitha vendet anëtare bisedimet zyrtare të antarësimit. U dëgjua shumë të flitej për hapa historikë, të ardhme të përbashkët dhe mirënjohje në fjalimet e kryeministrave të të dy vendeve dhe të presidentes së Komisionit të BE-së.

Pas fjalimeve festive menjëherë nisi puna. Nëpunësit e Komisionit të BE-së dhe ekipi i negociuesve të Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë filluan të shqyrtojnë 35.000 faqet e ligjeve të BE-së, për të parë, se çfarë duhet të adaptojnë dhe të zbatojnë kandidatët nga ky legjsilacion. Nëse ky i ashtuquajtur "screening" përmbyllet brenda disa javëve, mund të hapen 35 kapitujt e parë tematikë të negociimit. Sapo të jenë shqyrtuar në dakordësi dhe me miratimin e të gjitha vendeve anëtare këto kapituj, mund të përpilohet kontrata për antarësim në BE. Vetëm pasi kjo të jetë nënshkruar dhe ratifikuar nga të gjitha vendet anëtare, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria mund të bëhen anëtare me të drejta të plota në BE.

Ky proces negocijimi është aq kompleks, sa me siguri do të zgjasë me vite. Më së shpejti këtë proces e kanë kaluar deri më sot Finlanda me një kohëzgjatje të negociatave vetëm tre vjet. Ndërsa Turqia në të kundërt negocion për antarësim me BE-në që nga viti 2005 pa bërë asnjë përparim të dukshëm.

Premtohen bisedime të shpejta

Komisari i BE-së përgjegjës për bisedimet, Oliver Varhelyi, premtoi në Bruksel se do ta rrisë dukshëm ritmin për antarësimin. "Sot ky është fundi i një procesi mjaft të gjatë. Eshtë fillimi i një faze të re, që ne duam ta realizojmë shumë më shpejt." Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u shpreh i kënaqur, që „tani mori fund faza „absurde" e pritjes për vendin e tij. Rama e konsideronte vendin e vet si „peng" të konflikteve, që vendi fqinj Maqedonia, e quajtur më vonë „Maqedonia e Veriut" ka pasur fillimisht me Greqinë dhe së fundi me Bullgarinë. Megjithatë edhe Holanda, Danimarka dhe Franca për vite me radhë kanë pasur rezerva kundrejt Shqipërisë për hapjen e negociatave.

Në vitet e fazës së parë të aplikimit Maqedonisë dhe Shqipërisë u duhej të zbatonin shumë reforma, për të garantuar shtetin ligjor, ndërtimin e një sistemi drejtësie të pavarur, të forconin administratën shtetërore dhe të luftonin krimin e organizuar dhe korrupsionin. "Ky është një sukses i qytetarëve tuaj. Ata kanë punuar fort, për të arritur deri këtu", kështu i vlerësoi përpjekjet shumëvjeçare të tyre presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen. "Ju keni realizuar reforma pafund dhe i keni modernizuar shtetet tuaja." Maqedonia më 2019 madje duke u hapur rrugë kërkesave të Greqisë ndryshoi emrin e shtetit në Maqedonia e Veriut, sepse grekët kishin pretendime nga emri i mëparshëm për shkak të krahinës së tyre veriore. Greqia mund të vendoste veton, sepse vendimet për çështjet gjatë procesit të antarësimit në BE duhet të merren në mënyrë unanime.

Së fundi Bullgaria bllokoi në mënyrë të ngjashme. Sepse bullgarët venë në pikëpyetje mëvehtësinë e gjuhës maqedonase dhe të drejtat e pakicës bullgare në Maqedoninë e Veriut. Kjo bëri që hapja e bisedimeve të antarësimit për këto dy vende të shtyhej edhe me dy vjet. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria u konsideruan gjithmonë nga Komisioni i BE-së si „antarësim në grup", gjë që kryeministri i Shqipërisë Edi Rama shpesh i zemëruar e ka quajtur si „marrje peng". Megjithatë Holanda sërish vendosi veto kundër bisedimeve të antarësimit me Shqipërinë, sepse kërkonte më shumë përpjekje në luftën kundër kriminalitetit të bandave. Por edhe ky konflikt mundi të zgjidhet. Po ashtu si edhe kontesti emocional mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut për identitetin kombëtar dhe kulturor. Në samitin e BE-së dhe të NATO-s në fund të qershorit presidenca franceze e BE-së paraqiti një propozim për kompromis, të cilin e miratoi fillimisht parlamenti bullgar dhe javën e kaluar edhe parlamenti në Shkup.

Komisari i BE-së për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, i bëri thirrje në Bruksel Maqedonisë së Veriut, që ta zgjidhë edhe grindjen e brendshme lidhur me kompromisin me Bullgarinë. "Jam shpresëplotë, që këtej e tutje të gjitha partitë politike, përfshi edhe opozitën, do të bashkëpunojnë për një të ardhme europiane, nuk do të fillojnë me grindje të tjera, me ndjenja të trazuara, që nuk e çojnë vendin përpara", u shpreh Varhelyi. Ky paralajmërim nuk është i rastësishëm, sepse dokumenti i kompromisit me Bullgarinë ka një yçëkl. Kërkohet një ndryshim i kushtetutës. Shumica e dy të tretave e nevojshme për këtë ndërkohë nuk ekziston në parlamentin e Shkupit. Komisioni i BE-së tani duhet të verifikojë, nëse vërtetë kushtetuta duhet të ndryshohet. Kritikët e konsiderojnë këtë veprim si një „diktat bullgar".

Njihet maqedonishtja

Kryeministri maqedonas Dimitar Kovaçevski në konferencën e shtypit bëri të qartë në mënyrë të përsëritur, se do t'u kushtohet rëndësi interesave kombëtare të Maqedonisë së Veriut. "Unë munda të flas maqedonisht në konferencën ndërqeveritare", tha Dimitar Kovaçevski. "Kultura dhe identiteti maqedonas do të ruhen. BE-ja e pranon gjuhën tonë." Maqedonia është si një Europë e vogël, u shpreh Kovaçevski. "Një shtet multietnik, i bashkuar në shumëllojshmëri." Presidentja e Komisionit të BE-së siguroi, se gjuha e Maqedonisë së Veriut do të jetë gjuhë e barazvlefshme zyrtare në BE. Bullgaria deri në fund pretendonte, që maqedonishtja është një dialekt i bullgarishtes.

Ëndrra jeton

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski premtoi, se dëshiron që rajoni të zhvillohet dhe të përbarojë bashkarisht. "Një ëndërr e vjetër 30 vjeçare po bëhet realitet", tha Kovaçevski, i cili parashikon një rritje të standardit të jetesës dhe më shumë investime në Maqedoninë e Veriut gjatë fazës së bisedimeve të hapura tashmë. "Shqiptarët asnjëherë nuk kanë hequr dorë nga ëndrra për të ndjekur rrugën europiane", shtoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Pas tërmetit të vitit 2019, dy vjet pandemie dhe luftës ruse kundër Ukrainës fillimi i negociatave të antarësimit është një impuls pozitiv. "Ne na duhet kjo, për të ndërtuar një Shqipëri më të fortë demokratike dhe një Ballkan Perëndimor më të fortë."

Ish-eurodeputeti Hannes Swoboda, president i "Institutit për Paqen Ndërkombëtare" në Vjenë, vlerëson në mënyrë të ngjashme. Është momenti ideal për t'i dhënë një impuls të ri Ballkanit si dhe për të pranuar edhe Rumaninë e Bullgarinë në eurzonë. "Të tilla hapa kurajoz" shkruan Swoboda në blogun e tij, „do t'i japin një sinjal të qartë Rusisë dhe Kinës, që Ballkani Perëndimor nuk le hapësirë për konfrontimin e tyre me Perëndimin dhe me BE-në."