1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE: Negociata për anëtarësim me Turqinë?

Jessica Sturmberg13 Dhjetor 2004

Pyetja nëse duhen nisur negociatat për anëtarësim me Turqinë ka ngjallur një polemikë të vërtetë në Gjermani. Ajo ndez debatin mbi kufijtë e Bashkimit Evropian, si ata gjeografikë ashtu edhe ata kulturorë. Këtu mendimet e qytetarëve dhe të partive janë të ndara, madje edhe brenda së njëjtës parti.

https://p.dw.com/p/ArFb
Turqia si anëtare e BE-së?
Turqia si anëtare e BE-së?

Shumë prej 3 milionë turqëve në Gjermani shpresojnë që dikur në të ardhmen atdheu i tyre do të jetë anëtar i Bashkimit Evropian. Ata do të përfitonin prej kësaj, për shëmbull në planin afatgjatë prej lirisë së lëvizjes brenda Bashkimit Evropian. Nga ana tjetër gjermanët nuk kanë aspak qëndrim të njësuar:

Një burrë: "Kemi një bashkim doganor me Turqinë, pra ajo duhet të marrë pjesë në BE."

Një grua: "Mendoj se është pak si herët për negociata për anëtarësim. Besoj se duhen kryer edhe disa hapa e pastaj mund të shqyrtohet kjo çështje. Mendoj se turqit duhet t'i përafrohen edhe ca Evropës, dmth. duhet të qartësojnë qëndrimet lidhur me të drejtat e njeriut, mbrojtjen e kafshëve, atëherë po."

Rreth gjysma e gjermanëve i përkrahin negociatat dhe gjysma tjetër i refuzon ato. Ky është përfundimi i nxjerrë nga anketime të ndryshme të kryera muajt e kaluar. Nga njëra anë qëndron përgjithësisht dëshira për ta integruar Turqinë në shoqërinë e vlerave evropiane, si vend me karakter mysliman në kufirin gjeografik të Evropës. Një urë lidhëse pra me botën islame. Kështu e sheh çështjen edhe kancelari gjerman Gerhard Schröder, i cili shprehet qartë për anëtarësimin e mundshëm të Turqisë.

Nga ana tjetër ka rezerva, se mos ndodh një përplasje midis kulturave dhe koncepteve të ndryshme. Martesa me detyrim, shami koke, domethënia e nderit në familje, traditat e rrepta, pozicioni i gruas - këto nocione shkaktojnë frikë tek shumë gra dhe burra me botëkuptim perëndimor. Integrimin në BE të pjesës lindore të Turqisë me orientim tradicional udhëheqësja e opozitës gjermane dhe kryetare e Partisë Kristiandemokrate Angela Merkel e konsideron të pamundur së pari për arsye kulturore. Ajo dhe partitë e bashkimit kristiandemokrat-kristiansocial angazhohen fuqishëm kundër anëtarësimit të Turqisë.

Në vend të përspektivës për anëtarësi me të drejta të plota këto parti kërkojnë një "partneritet të privilegjuar" me Turqinë, ndërsa koalicioni qeveritar kuqegjelbër angazhohet për anëtarësimin. Debati zhvillohet me zjarr dhe në këtë kuadër aktualisht po diskutohet intensivisht mbi integrimin e turqve me banim në Gjermani.