BE me paralajmërim të fortë për Rusinë | Bota | DW | 16.12.2021
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

BE me paralajmërim të fortë për Rusinë

Bashkimi Evropian e kërcënoi Rusinë me masa shpaguese në rast të një sulmi ndaj Ukrainës. Gjatë samitit të tyre në Bruksel, krerët e shteteve dhe qeverive miratuan në mbrëmje një deklaratë për këtë.

Moska duhet të zbusë urgjentisht tensionet e shkaktuara nga vendosja e trupave në kufirin me Ukrainën. Çdo agresion i mëtejshëm ushtarak do të ketë pasoja masive dhe, siç bëhet e ditur, kosto të larta. Çështja se për cilat sanksione bëhet fjalë nuk u trajtua. Ukrainës iu garantua solidariteti i plotë i BE.

Sanksioni i mundshëm: shkëputja e Rusisë nga rrjedha financiare ndërkombëtare

Krerët e shteteve dhe qeverive nuk e specifikuan se për çfarë masash penalizuese bëhet saktësisht fjalë. Sipas diplomatëve,në shqyrtim janë sanksione kundër kompanive shtetërore dhe oligarkëve rreth Presidentit Vladimir Putin. Përveç kësaj, si një opsion i mundshëm shihet ndalimi i funksionimit të gazsjellësit Nord Stream 2 nga Rusia në Gjermani. Për më tepër, Rusia mund të përjashtohet nga sistemi i pagesave Swift, gjë që de facto do ta ndërpresë atë nga rrjedhat financiare ndërkombëtare.

NATO nuk ka të dhëna për tërheqje të trupave ruse

Sipas informacioneve të NATO-s, Rusia vazhdon pa ndryshim lëvizjet e trupave të saj drejt Ukrainës. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha në kuadër të një takimi me presidentin ukrainas Selenskyi në Bruksel se nuk ka asnjë tregues se përqendrimi ushtarak po ndalet ose po ngadalësohet. Krejt e kundërta.

aud (dlf)