1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE mbështet Shqipërinë për menaxhimin e integruar të kufijve

Arben Muka/ Tiranë28 Gusht 2008

Agjencia Europiane për Kontrollin e Kufirit, FRONTEX, u ka prezantuar policisë shqiptare një projektdokument për bashkëpunimin kundër migracionit të paligjshëm dhe përpjekjet e Shqipërisë për t'u integruar në BE.

https://p.dw.com/p/F6QM
Inspektore të Policisë Kufitare Gjermane, polake dhe italiane kontrollojnë në Frankfurt/Main, të ngarkuar nga FRONTEX, Agjencia Evropiane për Kontrollin e Kufirit
Inspektore të Policisë Kufitare Gjermane, polake dhe italiane kontrollojnë në Frankfurt/Main, të ngarkuar nga FRONTEX, Agjencia Evropiane për Kontrollin e KufiritFotografi: AP

FRONTEX-i, ka asistuar prej kohësh me mbështetje në kualifikime dhe logjistikë për Policinë e Shtetit në Shqipëri, veçanërisht për Departamentin e Kufirit dhe Migracionit. Përfaqësues të Agjencisë Europiane për Kontrollin e Kufirit ndodhen për kontakte në Shqipëri, ku si synim kryesor kanë finalizimin i një projektdokumenti të bashkëpunimit dy palëve, intensifikimin dhe më shumë mbështetjen në luftën kundër trafiqeve të paligjshme të njerëzve, armëve dhe lëndëve narkotike. Dokumenti do të pasqyrojë edhe përpjekjet që duhet të bëjë Shqipëria për integrimin në BE, në mënyrë të veçantë, detyrimin që i lind Shqipërisë nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit për menaxhimin e integruar të kufirit.

Përfaqësuesit e FRONTEX, Rik Vijermans dhe Graham Lis, gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri për të vlerësuar nivelin e realizimit të programeve të asistencës, kanë realizuar dhe vizita direkt në terren, në pikat e kalimit kufitar, duke vëzhguar dhe marrë informacion për ecurinë e punës, ndryshimet e bëra dhe problematikën e hasur. Ata kanë vlerësuar miratimin nga Shqipëria të ligjit për Policinë e Shtetit dhe përpjekjet e autoriteveve për të forcuar edhe më shumë me personel te kualifikuar dhe bazë llogjistike Departamentin e Kufirit dhe të Emigracionit.

Zëvendësministri i Brendshëm i Shqipërisë, Genti Strazimiri u ka treguar përfaqësuesve të FRONTEX-it synimin për ta konsoliduar dhe për t'i dhënë edhe më shumë autonomi Departamentit të Kufirit dhe Emigracionit, si një mënyrë efikase në sigurinë e kufijve dhe parandalimin e trafiqeve. Shumë shpejt ky Departament do të ketë të gatshme për zbatim dokumentin e bashkëpunimit me Agjencinë Europiane për Kontrollin e Kufirit, FRONTEX në rritjen e standarteve për menaxhimin e integruar të kufijve.