1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE lidh marrëveshje me fqinjët lindorë

Nicolas Martin/Auron Dodi27 Qershor 2014

Megjithë rezistencën nga Rusia, BE hap për Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Moldavinë rrugën e anëtarësimit. Në takimin e Brukselit shkruhet histori.

https://p.dw.com/p/1CRZx
Petro Poroscenko
Fotografi: Reuters

Reagimi nga Moska nuk vonoi. Vetëm minuta, pasi në takimin e nivelit të lartë të BE në Bruksel qenë vendosur nënshkrimet nën tri marrëveshjet e asociimit me Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Moldavinë, një zëdhënës i qeverisë ruse kërcënoi me pasoja. Po të keqësohen marrëdhëniet ekonomike me tri ish-republikat sovjetike, kjo do të ketë pasoja serioze për raportin me BE, u bë e ditur nga Kremlini.

Reagimin negativ krerët e BE e patën llogaritur. Por në mes të krizës së Ukrainës dhe të mbështetjes ruse për separatistët në Ukrainën Lindore, BE deshi të japë një sinjal: fqinjët lindorë duhet të lidhen ngushtë me BE dhe të integrohen fort në tregje.

BE dëshiron të bashkëpunojë me Rusinë

Presidenti i Këshillit të BE, Herman Van Rompuy e siguroi udhëheqjen ruse se marrëveshja e asociimit nuk drejtohet kundër askujt, megjithatë ai e pati të qartë se BE merr një rol të ri gjeopolitik. "Në këtë marrëveshje, ose në politikën e BE nuk ka asgjë, që mund ta dëmtonte në ndonjë mënyrë Rusinë", tha Van Rompuy në nënshkrimin solemn. "BE është i gatshëm që të bashkëpunojë me Rusinë, për aq sa është e nevojshme. Keqkuptimet mund të shmangen, atje ku ekzistojnë, për të projektuar së bashku një të ardhme të sigurtë për kontinentin tonë të përbashkët".

Kënaqvsi pas nënshkrimit të marrëveshjes
Kënaqësi pas nënshkrimit të marrëveshjesFotografi: Reuters

Herman van Rompuy nuk e përmendi fjalën anëtarësim për Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Moldavinë. Por preasidenti i Ukrainës dhe kryeministrat e Gjeorgjisë dhe të Moldavisë nuk lanë dyshim se duan t'i shohin vendet e tyre anëtare me të drejta të plota të BE.

Ukraina kërkon anëtarësim

Presidenti i Ukrainës, Poroshenko bëri madje një deklaratë formale, që ngjante me një kërkesë për t'u pranuar në BE. "Muajt e fundit Ukraina ka paguar çmimin më të lartë të mundshëm, për t'i kthyer në realitet ëndrrat e saj evropiane. Kjo duhet t'ia ketë vlejtur. Për shembull, BE mund të bënte një deklaratë të thjeshtë: sapo të jetë e gatshme Ukraina, ajo do të lejohet të hyjë në BE. Një deklaratë, që BE nuk i kushton asgjë, por që për vendin tim do të ishte e barabartë me një botë të tërë."

Poroshenko kujtoi më tej se njerëzit në vendin e tij kishin dhënë jetën, sepse patën vendosur për Evropën. Ai shprehu shpresën se BE do të tregojë të njëjtën solidaritet me vendin e tij si deri tani. Ai nuk foli për sanksione kundër Rusisë. "Sulmi nga jashtë është një shkak tjetër i fortë për këtë hap vendimtar", tha Poroshenko.

Agjencitë e lajmeve bëjnë të ditur se Presidenti Putin do të angazhohet për një armëpushim të përhershëm në Ukrainë dhe se do të mbështesë bisedimet midis udhëheqjes së Kievit dhe separatistëve në Lindje. Kancelarja gjermane, Angela Merkel dëshiron të presë edhe sot. Përpjekjet e Rusisë për ta shtensionuar gjendjen, deri dje në darkë ajo nuk i konsideroi "të kënaqshme".

Irakli Gharibaschili: "Jam i bindur se Gjeorgjia do të bëhet anëtare e BE."
Irakli Gharibaschili: "Jam i bindur se Gjeorgjia do të bëhet së shpejti anëtare e BE."Fotografi: Reuters

Kryeministri i Gjeorgjisë, Irakli Gharibashvili, iu drejtua në nënshkrimin e marrëveshjes drejtpërdrejt provincave të pabindura gjeorgjiane, Abkazi dhe Oseti Jugore. Edhe njerëzit atje mund të përfitojnë nga rruga për në Evropë, tha Gharibashvili. Ai e quajti marrëveshjen e asociimit me BE "themelin e së ardhmes së Gjeorgjisë".

Kryeministri i Moldavisë, Ieri Leanaca, nuk foli për anëtarësim në BE. Megjithatë ai tha se vendi i tij duhet të bëhet "pakthyeshmërisht pjesë e familjes evropiane". Moldavia është vendi më i varfër i Evropës dhe ka gjithashtu konflikte territoriale me Rusinë.