EU Rohstoffe
27 Gusht 2010Kina ka depozita të tëra xeherorësh, të cilat nevojiten në industrinë kompjuterike dhe të ndriçimit. Para disa javëve ajo e reduktoi afro 40% eksportin e këtyre lëndëve të para, nga e cila është e varur Evropa. Gwenolé Cozigou është përgjegjës për lëndët e para në komisionin e BE në Bruksel.
„Kina do ta zhvillojë industrinë e saj. Ky është një synim krejtësisht i pranueshëm. Por ne besojmë, se ky qëllim mund të arrihet me kushte tregtare mundësisht të drejta."
Kina në epërsi
Kina ngre -si për inat të industrisë evropiane - taksat dhe doganat për metalet e rralla. Kinezët duan të arrijnë, që lëndët e para të përpunohen në Kinë dhe të përdoren për produkte High-Tech. Në bisedime të vështira komisioni i BE përpiqet të bihet dakord për kushte të drejta tregtare. Por Kina në moment është në epersi, mendon Hubertus Bardt, ekonomist për mjedisin dhe ekspert i lëndëve të para në institutin e ekonomisë gjermane në Këln.
„Potenciali kërcënues nuk është aq i madh, sidomos atëherë, kur do ta mbash tregtinë e lirë edhe në tjetër vend. Natyrisht që mund të kërcënosh, që të ngresh kufizime importi për produktet kineze. Këtë nuk e do askush dhe kjo do të na dëmtonte në fund edhe vetë neve. Kjo është natyrisht një situatë e vështirë dhe këtu nuk ka rrugë të lehtë."
BE së bashku me SHBA dhe Meksikën ka nisur procedurë arbitrazhi tek Organizata Botërore e Tregtisë kundër Kinës në çështjen e lëndeve të para. Por kjo procedurë mund të zgjasë me vite. Pekinit nuk duket se i bën shumë përshtypje. Kina nuk posedon vetëm rajone xeherore, por edhe një sërë lëndësh të para të rralla. Brenda BE nuk ka thuajse asnjë depozitë, që do të kishte qenë e arsyeshme të shfrytëzohej ekonomikisht. Evropianëve u mbetet kryeisht të parë rifitimi i lëndëve të para prej qarqeve të vjetra të rrymës, nga kompjuterat, magnetet dhe automjetet, thotë Gwenolé Cozigou e komisionit të BE.
Miniera në qytet: riciklimi
„Ne në Evropë kemi të ashtuquajtura miniera në qytet, me këtë kuptohet riciklimi, një burim kryesor i krijimit të lëndës së parë. Ne po punojmë për krijimin e rregullave për eksportin e makinave të vjetra dhe aparaturave të vjetra elektronike"
Europa e varfër me lëndë të parë, duhet të kujdeset që të gjejë mjete zëvendësuese për lëndët e para të rralla. Kërkimet shkencore janë një detyrë e rëndësishme, thotë Hubertus Bardt i i Institut të ekonomisë Gjermane. Kjo vlen psh edhe për metalin litium. Ai nuk është se mungon, por përdoret gjithnjë e më shumë për bateritë në makinat elektrike.
„Tani të gjithë flasim për litiumin dhe çështjen e elektromibilitetit. Nqs do të arrinim që të zhvillonim dikur bateri dhe furnizues me rrymë, që s'janë të varur nga lënda e parë, atëherë menjëherë problemi do të zgjidhej. Në kërkimin e zëvendësuesve të lëndëve të para, ekzistojnë shumë potenciale. Po për të duhen çudira teknike, ata nuk mund t'i mendosh thjesht në tryezën e punës."
Ndihmë për zhvillim në këmbim të lëndëve të para
Jo vetëm Kina, por edhe Kongo, Afrika e Jugut dhe Brazili kanë rezerva të metaleve dhe mineraleve të rralla. Propozime si në stilin kolonial që ndihma e zhvillimit të lidhet me shfrytëzimin e lëndëve të para komisioni i BE e refuzon. Gwenolé Cozigou shpjegon se në këto vende duhen krijuar kushte të qëndrueshme, me qëllim që t'u garantohet siguri investuesve perëndimorë. Ai e ka të qartë se Kina në Afrikë bën blerje agresive, për të siguruar vetë rezervat e lëndëve të para. Në nëntor komisioni i BE do të prezantojnë një strategji, se si shtetet e unionit do të sigurojnë furnizimin me lëndë të para.
Autor: Bernd Riegert
Redaktoi: Angjelina Verbica