1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE-ja- rezerva për Turqinë, shanse për Kroacinë dhe bashkësinë Serbi-Mali i Zi

Bernd Riegert30 Shtator 2005

Ndërkohë që për shkak të rezistencës së Austrisë, BE-ja po vë në pikëpyetje bisedimet e antarësimit me Turqinë, Brukseli i hapi rrugën procesit të negociatave për anwtarësim me bashkësinë Serbi-Mali i Zi

https://p.dw.com/p/ArDB

Në mbledhjen e së enjtes në Bruksel ambasadorët e 25 vendeve anëtare shprehën gatishmërinë për fillimin e bisedimeve mbi marrëveshjen e asocijim-stabilizimit me këtë vend të Ballkanit. Në një periudhë afatgjatë të gjitha vendeve të Ballkanit duhet t´i jepet mundësia e antarësimit. Austria madje insiston për fillimin sa më shpejt të bisedimeve të antarësimit me Kroacinë.

Nese do të fillojnë negociatat për anëtarësimin e Turqisë të hënën e ardhshme siç ishte planifikuar, kjo mbetet e pavendosur deri në çastin e fundit. Pasi ambasadorët e 25 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian nuk ranë dakord të enjten për këtë çështje, ministrat e jashtëm të BE-së duhet të takohen të shtunën në një mbledhje të jashtëzakonshme në Luksemburg për të marrë njëzëri vendimin e nevojshëm. Para së gjithash Austria kërkon, që në marrëveshjen- kuadër të negociimit të saktësohet, se në mbyllje të bisedimeve mund të ketë edhe dështim. Po sipas Vjenës, në të njëjtën kohë duhet përcaktuar edhe se c'lloj marrëdhënieje do të ketë midis BE-së dhe Turqisë, sikur negociatat për anëtarësim të dështojnë.

Sipas të dhënave nga qarqet diplomatike të Brukselit, Austria aprovimin nga ana e saj të marrëveshjes për Turqinë e kushtëzon me fillimin njëkohësisht të bisedimeve të anëtarësimit me Kroacinë. Këto bisedime deri tani janë penguar për arsye, se kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Karla del Ponte, akuzon qeverinë e Zagrebit, që nuk do ta dorëzojë të dyshuarin për krime lufte gjeneralin, Ante Gotovina. Për këtë çështje del Ponte po zhvillon bisedime sot me qeverinë kroate në Zagreb. Austria insiston që një grup special pune i krijuar nga ministrat e jashtëm të BE-së të hënën më 3 tetor të verifikojë nivelin e plotë të bashkëpunimit të Kroacisë me Tribunalin për t´i hapur rrugën kështu fillimit të bisedimeve. Në një rast të tillë Austria do të ishte e gatshme që t´i tërheqë rezervat që ka kundrejt Turqisë.

Ministri britanik për çështjet e Evropës, Daglas Aleksandër
e hodhi poshtë këtë taktikë të Austrisë: "Turqia dhe Kroacia janë natyrisht dy tema të ndryshme. Të dyja këtyre vendeve iu janë vënë kushte. Këshilli i ministrave të jashtëm do të vendosë në varësi të bazës objektive të këtyre kushteve."

Në Parlamentin Evropian të mërkurën kristjandemokratët gjermanë argumentuan, se nuk mund t´i refuzohet Kroacisë fillimi i bisedimeve për shkak të një personi të vetëm, ndërkohë që këto bisedime i mundësohen Turqisë, edhe pse respektimi i të drejtave të njeriut dhe shtetit ligjor në këtë vend lenë mjaft për të dëshiruar. Por kancelari, Gerhard Shrëder është shprehur sërish për pranimin e Turqisë në BE, sepse sipas tij futja e një vendi demokratik mysliman do të influenconte për forcimin edhe më të madh të sigurisë në Evropë.

Po nga qarqet diplomatike të Brukselit mësohet, se ambasadorët e 25 vendeve antare kanë rënë dakord që të fillojnë bisedimet me bashkësinë Serbi Mali i Zi për nënshkrimin e marrëveshjes së asocijim-stabilizimit. Kjo marrëveshje do të ishte hapi i parë drejt antarësimit të këtij vendi në BE. Por edhe për Serbinë e Malin e Zi kusht është bashkëpunimi i pakufizuar me Tribunalin e Hagës. Në këtë konkluzion arritën vendet antare të BE-së, edhe pse i shumëkërkuari i dyshuar si kriminel lufte, udhëheqësi i serbëve Karaxhiq dhe gjenerali Mlladic, vazhdojnë të jenë të lirë. Në mbledhjen e së hënës më 3 tetor ministrat e jashtëm të BE-së do të diskutojnë edhe për Serbinë dhe Malin e Zi.