1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE-ja nuk i ndëshkon mëkatarët e deficitit

Bernd Riegert19 Maj 2016

Jo të gjitha vendet e BE-së ia dalin t'i kundërvihen rritjes së borxhit kombëtar. Spanjës dhe Portugalisë u jepet nga një vit më tepër kohë për ta vënë nën kontrroll borxhin e tyre shtetëror.

https://p.dw.com/p/1IqD2
Fotografi: picture-alliance/ZB/Montage DW

Një herë në vit Komisioni Evropian vlerëson si të thuash me nota 27 shtetet anëtare për politikat buxhetore dhe ekonomike. Në të njëjtën kohë atyre u jepen edhe detyra shtëpie që në fjalorin e BE-së quhen "rekomandime specifike për vendet". Vendi i 28-të anëtar Greqia nuk gjykohet, për shkak se ajo mbahet në jetë nga fondi i shpëtimit dhe mbikëqyret në mënyrë të veçantë lidhur me zbatimin e rregullave ekonomike. Në kryeqytetet e vendeve të BE-së ky vlerësim pritet gjithmonë me shumë kuriozitet. Qëllimi i tij është që të parandalojë rritjen e borxhit kombëtar në mbi tre për qind të prodhimit ekonomik vjetor. Rekomandimet e mbikëqyrësve në Bruksel janë të detyrueshme për shtetet anëtare dhe në fakt për mospërfillje të vazhdueshme të tyre ka dënime.

Iberikët dhe Italia nën mbrojte

Por këtë vit komisioneri i BE-së Pierre Moscovici u tregua tepër i butë sidomos me Portugalinë dhe Spanjën. Megjithëse ato nuk i kanë plotësuar detyrat, ato nuk kanë një herë për një herë pse të kenë frikë nga dënimet. Sipas Moscovicit në Portugali sapo është ndryshuar qeveria, kurse Spanja ndodhet ende në krizë qeveritare dhe aty zhvillohen më 26 maj votimet, dhe këto fakte duhen marrë parasysh.

Spanjës dhe Portugalisë u jepet nga një vit më tepër kohë nga sa ishte planifikuar, për ta vënë nën kontrroll borxhin e tyre nëpërmjet shkurtimeve dhe reformave ekonomike. Ky afat mbrojtës po vazhdon për Spanjën prej katër vjetësh, kurse për Portugalinë prej dy vjetësh. Kryeministri spanjoll Mariano Rajoy tha se në Spanjë ekonomia po shënon rritje dhe se për këtë arsye nuk do të ketë shkurtime por lehtësime fiskale.

Pierre Moscovici
Pierre MoscoviciFotografi: Reuters/E. Vidal

Problemi në Spanjë dhe në shumë vende të tjera të BE-së është papunësia, e cila është ende shumë e lartë, kritikoi Komisioni Evropian. Në Spanjë papunësia është më shumë se 20 për qind.

Edhe Italisë do t'i jepet më tepër hapësirë për llogaritjen dhe vlerësimin e borxheve të shtetit, sepse kryeminstri Matteo Renzi, e kishte kërkuar këtë si shpërblim për projektet e shumta të reformave.

Nxënës shembullorë

Komisioni i BE-së liroi nga procedurat e deficitit tri vende: Irlandën, Qipron dhe Slloveninë. Ndërkohë që në procedurat e deficitit gjenden ende gjashtë shtete, si p.sh. Franca. Komisioni u nisi letra paralajmëruese tri shteteve: Belgjikës, Finlandës dhe Italisë për shkak të rreziqeve fiskale.

Gjermania mori notë thuajse shkëlqyeshëm sa i përket zhvillimit të taksave. Sa i përket marrjes së borxheve të reja niveli është thuajse zero, ndërkohë që në rast se vazhdohet me këtë kurs, borxhi i përgjithshëm pritet të bjerë deri në vitin 2020 në 60 për qind të prodhimit ekonomik vjetor. Megjithatë edhe për ministrin gjerman të Financave Bruksesi jep rekomandime, sepse mendon se sistemi gjerman i taksave është tepër i komplikuar dhe jo efikas sa duhet.

Amsterdam EU Finanzministertreffen Schäuble Draghi und Dijsselbloem
Fotografi: picture-alliance/dpa/B. Maat

Dyshime për procedurën

Eksperti financiar dhe buxhetor i think-tank-ut Bruegel me seli në Bruksel, Zsolt Darvas, i konsideron notat që jep dhe detyrat që vë Komisioni Evropian, si jo shumë të besueshme. Sidomos lidhur me detyrat ka probleme kritikon Darvas. "Shumë vende i shkelin rregullat, madje në mënyrë të përhershme dhe e shtyjnë kështu nga viti në vit."

Edhe presindeti i Bankës Federale Gjermane, Jens Weidmann, tha se Komisioni i BE-së është në një situatë të vështirë, sepse nga njëra ana duhet të kontrollojë me rreptësi dhe nga ana tjetër të marrë parasysh edhe kërkesat politike. Për këtë ai kërkon që vlerësimi të mos bëhet më prej Komisionit të BE-së, por prej një instance të re të pavarur.