BE-ja në prag të normalizimit të marrëdhënieve me Libinë | Evropa | DW | 12.10.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

BE-ja në prag të normalizimit të marrëdhënieve me Libinë

Perspektivë biznesi dhe bashkëpunimi në problemin e refugjatëve

Muamar al Gadafi

Muamar al Gadafi

Që prej pesë vjetësh kur nisi periudha e tij në detyrë presidenti në largim i Komisionit Evropian Romano Prodi po punon me zell për përmirësimin e marrëdhënieve të BE-së me shtetin afrikan që përfshin shkretëtirë. Si italian Prodi ka një raport të veçantë me Libinë. Italia ka qenë deri më 1941 fuqi koloniale në Libi. Tregtia dhe marrëdhëniet midis dy vendeve që lagen nga Mesdheu janë tradicionalisht të ngushta. Kur e priti me të gjitha nderimet në prill 2004 në Bruksel "udhëheqësin vëllazëror" të revolucionit libian Muamar al Gadafin të veshur me kostum shumëngjyrësh dhe me truproje femra, i cili u kthye nga i përjashtuar në anëtar të respektuar të bashkësisë ndërkombëtare, vepra politike e Prodit kishte përfunduar.

Bashkimi Evropian është në prag të rivendosjes së marrëdhënieve normale me atë shtet, që për dekada me radhë konsiderohej si çerdhe e jashtëligjshme terroristësh. Në sytë e shumë evropianëve Gadafi është shndërruar krejtësisht. Ai hoqi dorë një vit më parë nga terrorizmi dhe u betua solemnisht se nuk do të kërkonte më armë të shkatërrimit në masë, siç kishte bërë ende pak vite më parë.

Italia kërkon të bashkëpunojë me Libinë para së gjithash në mbylljen e kufijve të saj për refugjatët dhe imigrantët e paligjshëm. Thuajse çdo ditë nisen nga bregu libian varka refugjatësh. Shumë prej tyre ngecin në brigjet e ishullit italian Lampeduza. Italia ka filluar tani t'i kthejë me aeroplanë në Libi refugjatët, kryesisht nga Afrika nënsahariane.

Me ndihmë italiane po ndërtohen në Libi prej kohësh kampe për emigrantët. Komisariati për refugjatët i Organizatës së Kombeve të Bashkuara kërkon të drejtë hyrjeje në këto kampe, ekzistencën e të cilave ai e përshëndet në parim. Sepse një kamp në stere është më mirë sesa kalimi ndoshta vdekjeprurës në lundra të papërshtatshme për det.

Italia synon të përfitojë drejtpërdrejt nga heqja e embargos së armëve, kufizimit të fundit tregtar evropian ndaj Tripolit. Italianët po i shesin Libisë disa motoskafë patrullimi, në mënyrë që të kapin pranë bregut varkat e refugjatëve. Marrëveshjet janë nënshkruar tashmë.

Në planin ekonomik shtetet e BE-së kanë interes të madh tek republika popullore e pasur me naftë dhe gaz. 90 për qind të naftës së vet Libia e eksporton në Itali, Gjermani dhe Francë. Këto të treja dhe Britania e Madhe janë vendet në të cilat Libia ble mallrat e saj, sidoqoftë 11,6 miliardë dollarë në vit. Të enjten e kaluar kryeministri italian Silvio Berlusconi dhe Muamar al Gadafi, që prej 1969-ës pandërprerë në pushtet, përuruan një gazsjellës 500 km të gjatë nga Libia në Itali. Një erë e re miqësie ka filluar, brohoriti Berlusconi.

Rrugën për këtë erë të re e hapi Gadafi, duke marrë përgjegjësinë për sulmet terroriste në vitet tetëdhjetë ndaj një aeroplani të madh të shoqërisë ajrore PanAm, e cila nuk ekziston më, dhe ndaj diskotekës berlineze La Belle. Ai pranoi t'u paguante dëmshpërblim viktimave dhe të ekstradonte përgjegjësit e drejtpërdrejtë. Kësti i parë prej 35 milionë dollarësh për viktimat e diskotekës La Belle në Gjermani është transferuar pak ditë më parë.

Tani është hapur rruga edhe për kancelarin gjerman Gerhard Schrëder, i cili do ta vizitojë Muamar al Gadafin këtë të premte në çadrën e tij në Sahara. Ai do të shoqërohet nga një delegacion ekonomik i rangut të lartë, sepse industria libiane e naftës ka nevojë urgjente për pajisje të reja për impiante të reja. Edhe SHBA, Britania e Madhe dhe të tjerë shpresojnë për biznes të mirë me udhëheqësin e pastruar të revolucionit.

  • Data 12.10.2004
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArG9
  • Data 12.10.2004
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArG9