1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE-ja do të shqyrtojë nëse ka ardhur koha që në rast nevoje ta modifikojë rezolutën e OKB-së për Kosovën

Bernd Riegert1 Shkurt 2005

Në përfundim të takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së trojka e BE-së u takua në Bruksel me MPJ të Serbisë dhe të malit të Zi si dhe të Shqipërisë. Trojka e BE-së kryesohet prej MPJ të Luksemburgut, që është edhe president i radhës i BE-së.

https://p.dw.com/p/ArFG
Ministri i Puneve te Jashtme te Luksemburgut Jean Asselborn
Ministri i Puneve te Jashtme te Luksemburgut Jean AsselbornFotografi: AP

Nga këndvështrimi i BE-së Beogradit po i shtërngohet rripi. BE kërkon prej Serbisë dhe Malit të Zi një bashkëpunim më të mirë me tribunalin e Hagës. Komisioni i BE-së pritet të paraqesë në mars një studim filizibiliteti, nëse Serbia dhe Mali i Zi janë të afta që të zhvillojnë në vend reforma, të cilat do të çojnë për një periudhë afatgjatë në nënshkrimin e një marrëveshjeje me BE-së. Me këtë hap nuk mendohet se do të arrihet anëtarësimi i vendit në BE, sepse si edhe vendeve të tjera të Ballkanit edhe SMZ-së i është premtuar se do të anëtarësohet në BE, por ky hap është tepër larg.

BE-së nuk i mjafton fakti, që Vladimir Lazarevic, një prej katër ish-gjeneralëve serbë që kërkohen prej Hagës, deklaroi se do të dorëzohet këtë fundjavë. BE-ja këmbëngul që SMZ të mbajë fjalën që ka dhënë disa herë nëpër takime të nivelit të lartë: pra që të bashkëpunojë pa kushte me Hagën. MPJ i Luksemburgut dhe kryetari i radhës i BE-së, Jean Asselborn, u shpreh se në këtë drejtim ka ende probleme: "Kooperimi nuk është ende 100%. Dhe për sa kohë ky s'është i tille, nuk do të ketë përparim në drejtim të Evropës."

I zemëruar prej qëndrimit të tërhequr të Beogradit, i ngarkuari i jashtëm i BE-së, Javier Solana, e anuloi vizitën e tij të planifikuar për javën e kaluar në Beograd. Solana tha se gjeneralët në fjalë nuk janë heronj kombëtarë, por të dyshuar për krime lufte.

MPJ i SMZ-së, Vuk Drashkovic, tha pas takimit në Bruksel se ky është një problem i njohur, dhe se ai vetë bën pjesë në radhët e atyre që e kritikojnë kryeministrin Vojisllav Koshtunica dhe që përkrahin bashkëpunimin me Hagën. Në këtë mënyrë apeli i tij i drejtohej hapur ndaj Koshtunicës:

"Rruga drejt BE-së është ende e mbuluar me akull. Por ky akull ka filluar të shkrijë. Gatishmëria e gjeneralit Lazarevic për t'u dorëzuar në Hagë konsiderohet në Bruksel si një shenjë inkurajuese, se së shpejti do të kemi përparime vendimtare. Si një shenjë se Serbia ka vendosur të bashkëpunojë me Hagën."

BE i mbështet reformat politike dhe ekonomike në Serbi me anë të një programi për stabilitet dhe afrim. Që prej përmbysjes së diktatorit Miloshevic, procesi i të cilit në Hagë po zvarritet së tepërmi, BE i ka dhënë Beogradit ndihma për zhvillimin me një vlerë prej rreth 2 miliardë eurosh.

BE kërkon edhe zgjidhjen e çështjes së Kosovës. I ngarkuari i BE-së për politikën e jashtme Javier Solana, theksoi se këtë vit duhet të fillohet të trajtohet çështja e Kosovës, e cila është e formuluar jo qartë në rezolutën 1244 të OKB-së.

"Nga mesi i vitit do të na duhet të analizojmë se si janë plotësuar standardet. Ne do të shikojmë nëse ka ardhur koha, për ta ndryshuar në rast nevoje rezolutën e OKB-së 1244."

Ndërsa Prishtina zyrtare synon pavarësinë e Kosovës, Beogradi ngul këmbë që ky territor të mbetet brenda SMZ-së. Drashkovici foli me këtë rast për një status evropian për një Kosovë me kufij të hapur:

"Shteti im, SMZ-ja, është kundër pavarësisë për Kosovën. Eshtë e qartë se statusi i 1999 nuk mund të vazhdojë të jetë në fuqi, por Karta e OKB-së duhet respektuar. Qeveria ime është për një Kosovë në formën e një rajoni të hapur evropian."

BE-ja priret më tepër ndaj qëndrimit të "Grupit ndërkombëtar të krizave", i cili javën e kaluar rekomandoi që Kosovës t'i akordohej një autonomi në shkallë të gjërë.

Mjaft pozitivisht u vlerësua në Bruksel takimi i MPJ të SMZ-së me homologun e tij shqiptar. Ky hap u klasifikua si një dialog historik, sepse konfliktet në Ballkan mund të zgjidhen vetëm përmes kooperimit rajonal.

Trojka e BE-së u takua në Bruksel edhe me MPJ shqiptar Kastriot Islami. BE mendon se Shqipëria ka bërë përparime në procesin gjithpërfshirës të reformave, i cili pritet ta afrojë vendin me standardet e BE-së. Deri në fund të vitit pritet të jetë e gatshme për t'u nënshkruar një marrëveshje për stabilitetin dhe afrimin e vendet me BE-në, marrëveshje për të cilën ka vite që bisedohet. Si gur prove për këtë BE-ja konsideron zgjedhjet e qershorit, pra që ato të zhvillohen sipas standardeve demokratike. Ky kusht është i qartë edhe për MPJ shqiptar, Kastriot Islami:

"Qëllimi më i rëndësishëm është që të organizojmë zgjedhje të drejta dhe të lira, përfundimi i të cilave nuk do të kundërshtohet prej asnjë pale politike dhe do të miratohet edhe prej bashkësisë ndërkombëtare. Ky është njëri prej shumë kushteve që duhet të përmbushen."

Sipas presidentit të radhës të BE-së Asselborn problemi më i vështirë i Shqipërisë është luftimi i bandave mafioze, që prej Shqipërisë operojnë në të gjithë Evropën.

"Gjatë takimit tonë autoritetet shqiptare e kuptuan që ky është një problem i vështirë. Unë besoj se në Shqipëri e dinë mjaft mirë se për të arritur standardet për t'u anëtarësuar në BE duhet luftuar kriminaliteti i organizuar."

Sipas bilancit të Jean Asselbornit në përgjithësi mund të thuhet se vendet e Ballkanit kanë bërë hapa inkurajues në drejtimin e duhur dhe se portat e BE-së mbeten të hapura për Shqipërinë dhe vendet me tjera të Ballkanit Perendimor.