1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE dhe NATO shqyrtojnë statusin e ardhshëm të Kosovës

Viron Gjymshana26 Shkurt 2007

Havier Solana deklaroi se për Bashkimin Europian është me rëndësi themelore aprovimi nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së i rezolutës për Kosovën. Ndryshe do të jetë e vështirë për Bashkimin Europian të marrë përsipër misionin e tij në Kosovë

https://p.dw.com/p/ArYB
Jaap de Hoop Scheffer dhe Javier Solana
Jaap de Hoop Scheffer dhe Javier SolanaFotografi: AP

Statusi i ardhshëm i Kosovës, situata në Serbi si dhe zhvillimet e fundit politike në Bosnjë - ishin çështjet kryesore që u shqyrtuan në selinë e NATO-s në Bruksel nga anëtarët e Këshillit të Përhershëm të Aleancës Atlantike dhe Komitetit të Sigurisë së Përbashkët dhe Marrëdhënieve me Jashtë të Bashkimit Europian. Ishin drejtuesit më të lartë të këtyre organizmave, përkatësisht shefi i politikës së jashtme të BE-së, Havier Solana si dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hop Scheffer që e pohuan një fakt të tillë gjatë konferencës së përbashkët që dhanë në përfundim të këtij takimi.

Por ajo që ra më së shumti në sy gjatë kësaj konference shtypi ishte deklarata e Havier Solanës, i cili nënvizoi se "për Bashkimin Europian është me rëndësi që rezoluta e re për Kosovën të aprovohet nga ana e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ndryshe do të jetë shumë e vështirë për BE-në që të marrë përsipër misionin e saj atje. Dhe deri në aprovimin e një rezolute të re nga ana e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kosova do të vazhdojë të administrohet si deri më tani nga UNMIK-u" - deklaroi zyrtari i lartë i BE-së.

Scheffer dhe Solana shprehën edhe një herë tjetër mbështjetje për rolin dhe punën e Ahtisarit. "Presim që nga bisedimet që do të rifillojnë nesër në Vienë të arrihet diçka, pasi për Bashkimin Europian është me rëndësi që rezoluta e re për Kosovën të aprovohet nga ana e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara", tha shefi i diplomacisë europiane, i cili me këtë rast bëri të ditur se është paraparë që në 10 mars në Vienë të organizohet edhe një takim në nivel të lartë me pjesëmarrjen e kryeministrave të Serbisë dhe Kosovës, që duhet t'i japë dorën e fundit projekt -rezolutës për Kosovën, para se ajo t'i paraqitet Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ai shtoi se Bashkimi Europian po përgatitet të marrë përsipër përgjegjësitë që i takojnë sa në fushën politike dhe ekonomike, por po aq edhe në atë të sigurisë etj. Por do të pritet derisa të aprovohet rezoluta. Dhe deri sa të aprovohet rezoluta e re nga ana e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kosova do të vazhdojë të administrohet si deri më sot nga UNMIK-u - bëri të ditur përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian.