1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE dhe NATO kritikojnë Rusinë

Bernd Riegert6 Nëntor 2014

E ngarkuara e BE-së me politikën e jashtme dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s duan të injorojnë "zgjedhjet" e separatistëve në lindje të Ukrainës. Por asnjëri prej tyre nuk e di se si të ndikojë te Rusia.

https://p.dw.com/p/1Di4v
Federica Mogherini dhe Jens Stoltenberg në Bruksel, 04.11.2014
Federica Mogherini dhe Jens Stoltenberg në Bruksel, 04.11.2014Fotografi: Reuters/F. Lenoir

Të dy janë të rinj në post, por njihen prej një kohe të gjatë. Të paktën janë mjaft familjarë me njërit-tjetrin si politikanë. Dhe të dy kërkojnë rrugë për daljen nga e njëjta krizë. Për këtë arsye e ngarkuara e BE-së me politikën e jashtme Federica Mogherini në ditën e dytë të punës ftoi sekretarin e ri të përgjithshëm të NATO-s, gjithashtu me zyrë në Bruksel, Jens Stoltenberg, për një bisedë politike në selinë e saj. Federica dhe Jens, kështu e thërrasin njëri-tjetrin në publik, ranë shpejt dakord. Zgjedhjet e mbajtura të dielën në zonat e kontrolluara nga separatistët në lindje të Ukrainës kanë qenë të paligjshme dhe në asnjë mënyrë nuk do të njihen as nga NATO dhe as nga BE. Të dy i bënë thirrje Rusisë të bëjë më shumë për një zgjidhje paqësore të konfliktit.

NATO: Rusia po përforcon aktivitetet ushtarake

Jens Stoltenberg vuri në dukje se Rusia po dislokon gjithnjë e më shumë trupa në kufi me Ukrainën. Ajo po forcon aktivitetet ushtarake në tokë dhe në ajër, tha Stoltenberg. "Rusia vazhdon të mbështesë rebelët në lindje të Ukrainës me stërvitje, armatime dhe dërgimin e trupave speciale ruse në pjesën lindore të vendit." Moska do të bënte mirë të shfrytëzonte ndikimin që ka tek separatistët "që këta të respektojnë marrëveshjen e Minskut dhe armëpushimin".

Ostukraine Wahlen Donezk 02.11.2014
BE dhe NATO nuk i njohin zgjedhjet në Ukrainën lindoreFotografi: DW/K. Logan

Në kryeqytetin bjellorus Minsk anëtarë të qeverisë ukrainase dhe përfaqësues të separatistëve në fillim të shtatorit ranë dakord për një plan paqeje 12 pikësh. Plani parashikon zgjedhje në lindje të Ukrainës vetëm në përputhje me ligjet e shtetit në Ukrainë. Përkundër kësaj marrëveshjeje Rusia tani njeh fitoren elektorale të separatistëve. Qeveria e Ukrainës në Kiev tani ka ashpërsuar tonet dhe synon të rimarrë me forcë ushtarake zonat e kontrolluara nga separatistët. Presidenti ukrainas Petro Poroshenko sipas njoftimeve të agjencive të lajmeve ka urdhëruar dislokimin e trupave të tjera në lindje të Ukrainës.

Sanksionet: të zbuten apo të ashpërsohen?

E ngarkuara e BE me politikën e jashtme Federica Mogherini sheh "tek të ashtuquajturat zgjedhje në lindje të Ukrainës një rrezik serioz për procesin e paqes." Ajo që u arrit me shumë mund në Minsk nuk duhet të braktiset, paralajmëroi Mogherini. "Ekziston rreziku që të humbasim këtë mundësi për një dialog të brendshëm në Ukrainë dhe një dialog me Rusinë." Por ministrja e jashtme e BE-së nuk përmend hapa konkretë që rezultojnë nga ky rrezik. Të hënën për gazeta të ndryshme evropiane ajo shprehu dyshime për logjikën e sanksioneve ekonomike kundër Rusisë. Sanksionet vërtet godasin ekonominë, por nuk ndryshojnë politikën e Moskës. Sot Mogherini e saktësoi këtë përshtypje: "Rishqyrtimi i sanksioneve është një detyrë e vazhdueshme. Ne kemi thënë gjithnjë se shqyrtimi i sanksioneve në vend është përcaktues për dobësimin, forcimin apo heqjen e sanksioneve. Ky proces do të vazhdojë javët e ardhshme."

Luftime në Ukrainë
Luftime në UkrainëFotografi: picture-alliance/dpa/Alexey Kudenko

Qeveria gjermane e ka kërcënuar Rusinë se sanksionet do të ashpërsohen dhe të njëjtin qendrim ka edhe SHBA. Në Vjenë kancelari Werner Faymann tha megjithatë para gazetarëve se ai është kundër sanksioneve të tjera dhe për dialog. "Jemi të mendimit se bisedimet me përfshirjen e Rusisë janë rruga e duhur", tha Faymann.

Harmonizim i ngushtë mes BE dhe NATO

Në takimin e ardhshëm të ministrave të jashtëm të BE-së në mes të nëntorit në Bruksel, Federica Mogherini do të vendosë në rendin e ditës krizën e Ukrainës dhe sanksionet. "Sanksionet mund të jenë një mjet, herë më pak e herë më shumë efektiv. Kjo varet nga momenti dhe përmasat e sanksioneve por edhe nga uniteti me të cilin zbatohen", tërhoqi ajo vëmendjen në Bruksel. Në radhë të parë e rëndësishme është që të përmirësohet situata në Ukrainë. Faktet në vend janë vendimtare.

BE ka me siguri përpara një diskutim të gjallë në takimin e ministrave të jashtëm në mes të nëntorit lidhur me masat e ardhshme të ndëshkimit për Rusinë dhe separatistët. Federica Mogherini do të drejtojë për herë të parë kërkimin e konsensusit në raundin e 28 ministrave, në të cilin deri tani kishte marrë pjesë si ministre e jashtme e Italisë për një gjysmë viti. Për të ruajtur raportin e mirë me NATO-n në takimin e Këshillit të Ministrave të BE-së do të ftohet edhe miku i saj Jens. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s nga ana e tij njoftoi se do të ftojë Federica Mogherinin në takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s në fillim të dhjetorit.

Temat tradicionalisht të vështira mes BE dhe NATO-s si bashkëpunimi ushtarak apo zënka për kompetencat mes dy organizatave të martën u lanë mënjanë. Kaq shumë harmoni është e rrallë. Kundërshtarja Rusi i ka lidhur fort me njëri-tjetrin.