1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE dhe Koreja e Jugut lidhin marrëveshje tregtie - Atmosferë e tendosur në samitin BE-Kinë

7 Tetor 2010

Ishte një ditë me dy fytyra: ndërkohë që samiti BE-Kore e Jugut të mërkurën (6.10.) në Bruksel rezultoi i suksesshëm dhe i harmonishëm, takimi i nivelit të lartë BE-Kinë u zhvillua në një atmosferë të tendosur.

https://p.dw.com/p/PXVl
Nga samiti BE-Kinë në Bruksel -Wen Jiabao, José Manuel Barroso dhe Herman Van Rompuy.
Nga samiti BE-Kinë në Bruksel -Wen Jiabao, José Manuel Barroso dhe Herman Van Rompuy.Fotografi: AP
Pas negociatash të gjata dhe pjesërisht të vështira më në fund mundën të këmbeheshin dokumentet: përfaqësues të BE-së dhe Koresë së Jugut nënshkruan një marrëveshje për tregti të lirë. Presidenti i Komisionit José Manuel Barroso foli me entuziazëm:

"Kjo marrëveshje është më e rëndësishmja që BE-ja ka nënshkruar ndonjëherë me një shtet të vetëm, dhe është e para marrëveshje e tregtisë së lirë me një vend aziatik."

Ministri koreanojugor i Tregtisë Kim Jong-Hoon, komisioneri i BE-së për tregtinë Karel De Gucht,dhe ministri i Jashtëm i Belgjikës Steven Vanacker.
Ministri koreanojugor i Tregtisë Kim Jong-Hoon, komisioneri i BE-së për tregtinë Karel De Gucht,dhe ministri i Jashtëm i Belgjikës Steven Vanacker.Fotografi: AP

Samit historik BE-Kore e Jugut

Nga rënia e thuajse të gjitha taksave doganore të dy palët shpresojnë në rritje të dukshme të vëllimit të shkëmbimeve tregtare dhe bashkë me të edhe një rrugëdalje nga kriza ekonomike. Por Koreja e Jugut do të jetë vetëm fillimi. Japonia dhe Malajzia dëshërojnë gjithashtu zona të tregtisë së lirë me BE-në.

Situatë e tensionuar në samitin BE-Kinë

Në sfondin e një harmonie kaq të madhe problemet mes BE-së dhe Kinës dolën edhe më qartë në pah. Kina refuzon një vlerësim të dukshëm të monedhës së saj, juanit, megjithë kërkesat mbarëbotërore për këtë. Sipërmarrësit evropianë ankohen veç kësaj me zë gjithnjë e më të lartë për diskriminimet në tregun kinez dhe për pirateri produktesh. Qoftë kur është fjala për të drejtat e njeriut apo për negociatat për klimën, në shumë fusha evropianët dhe kinezët kanë qëndrime krejt të ndryshme. Presidenti i Këshillit të BE-së Herman van Rompuy i pranoi hapur problemet përballë kryeministrin kinez Wen Jiabao:

"Zoti kryeministër, unë shoh ende hapësirë për bashkëpunim dypalësh. Si në çdo marrëdhënie partneriteti ne kemi të përbashkëta por edhe dallime. Kjo është e natyrshme dhe nuk duhet të bëhet pengesë për vullnetin tonë të përbashkët për t'i ngritur marrëdhëniet tona në një nivel më të lartë."

Komisionerja evropiane për arsimin dhe kulturën Androulla Vassiliou dhe zëvendëspresidenti i federatës kineze të rinisë Lou Yongzheng nënshkruajnë marrëveshjen për aksionin e përbashkët për vitin evropiano-kinez të rinisë 2011.
Komisionerja evropiane për arsimin dhe kulturën Androulla Vassiliou dhe zëvendëspresidenti i federatës kineze të rinisë Lou Yongzheng nënshkruajnë marrëveshjen për aksionin e përbashkët për vitin evropiano-kinez të rinisë 2011.Fotografi: AP

Atmosfera dukej e ngurtë dhe e tendosur. Një konferencë e përbashkët shtypi pas samitit me Barroson dhe Van Rompuyn u anullua.

Kultura urë lidhëse

Pjesa më e qetë e samitit BE-Kinë ishte një takim të mërkurën në mëngjes me përfaqësues të fushës së kulturës. Atje Wen lëvdoi fort dallimet:

"Larmia e kulturave është shenja më e rëndësishme e civilizimit të njerëzimit. Autonomia dhe zhvillimi i kulturave të ndryshme si dhe forcimi i këmbimeve kulturore janë parakushte të rëndësishme për ruajtjen e larmisë kulturore."

Theksimi i autonomisë kineze, në kulturë apo politikë ishte filli i kuq që përshkoi vizitën e Wen Jiabaos në Bruksel. BE-ja dhe Kina kanë interesa të mëdha të përbashkëta, por dallimet u përplasën sërish me forcë edhe këtë herë.

Autor: Christoph Hasselbach / Eliana Xhani

Redaktoi: Elert Ajazaj