BE dëshiron ″po″ në referendumin në Maqedoni | Ballkani | DW | 13.09.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

BE dëshiron "po" në referendumin në Maqedoni

Kryeministri i Maqedonisë Zaev shprehet hapur në mbështetje të BE dhe të NATO-s. Me emrin e ri vendi i tij kërkon të anëtarësohet. Parlamenti Evropian e mbështet fushatën e tij për zgjedhësit.

Kryeministri grek Aleksis Cipras dhe kryeministri i ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë (FYROM), Zoran Zaev folën me një distancë kohore prej vetëm dy ditësh para seancës plenare të Parlamentit Evropian. Të dy politikanët vendimmarrës, të cilët duan të zgjidhin pas 27 vjetësh grindje mosmarrëveshjen për emrin e shtetit, këmbëngulën në Parlament për kompromisin, që gjetën në qershor.  Në të ardhmen vendi që e quan veten "Maqedoni" dhe që në botë quhet "FYROM" do të quhet "Republika e Maqedonisë Veriore". Kryeministri maqedonas Zaev sheh në daljen e tij në Strasburg "një mbështetje të qartë të Parlamentit Evropian për të ardhmen tonë evropiane". Kolegu i tij grek, Aleksis Cipras siguroi për këtë zgjidhje një shumicë në parlamentin grek. Në Maqedoni do të zhvillohet në 30 shtator një referendum, i cili megjithatë nuk është i detyrueshëm juridikisht.

Referendum për të ardhmen

Mbetet e paqartë nëse një shumicë e maqedonasve do të dojë të votojë për ndryshimin e emrit. Prandaj fjalimi i Zoran Zaevit është edhe pjesë e fushatës elektorale për votimin për emrin. "Për Maqedoninë ky është një shans historik, për të cilin kemi pritur kaq gjatë. 30 shtatori është më tepër se një referendum i thjeshtë. Ai ka po të njëjtën rëndësi si referendumi për pavarësinë e shtetit më 1991", tha Zaevi në seancë plenare. Kryeministri i Shkupit mund të jetë i sigurtë për mbështetjen e shumicës së deputetëve evropianë. Për ta rëndësi kryesore ka që vendi që deri tani quhet zyrtarisht FYROM të mund të anëtarësohet me emër të ri në NATO ose në Bashkimin Evropian.

Parlamenti i BE mbështet Zaevin

"Keqkuptimet politike me Greqinë qe e mundur që të mënjanohen", tha Zaevi dhe falenderoi "mikun Aleksis", i cili si Zaevi është pjesë e spektrit të majtë politik. "Bëmë kompromise. Të dyja palët kanë fituar diçka më shumë". Edhe kryeministri grek lëvdoi të martën në fjalën e tij  bashkëpunimin, që do të bëjë të mundur më në fund që të pushohet grindja e vjetër. Presidenti i Parlamentit Evropian Antonio Tajani tha se me emrin e ri Republika e Maqedonisë mund të bëjë një hap vendimtar në drejtim të NATO-s dhe të BE. "Stabiliteti në Ballkan avancon në mënyrë vendimtare. Maqedonia mund të llogarisë mbështetjen e Parlamentit Evropian".

Kryeministri i Maqedonisë pranoi në fjalën e tij në Strasburg se rruga për në BE do të jetë ende e largët, sepse vendi i tij ka ende shumë për të bërë në sundimin e ligjit, për luftimin e korrupsionit dhe për ndërtimin e një administrate efektive. "Ne jemi një demokraci e re dhe kemi sfida të mëdha për të mposhtur. Besojmë se i përkasim familjes evropiane. Mirëqënia dhe stabiliteti mund të arrihen vetëm po të bëjmë pjesë në BE", tha Zaevi.  

Kancelarja gjermane Angela Merkel shkoi në Maqedoni në ditën e pavarësisë së vendit, në 8 shtator dhe u kërkoi hapur njerëzve që të votojnë në referendum për ndryshimin e emrit dhe në këtë mënyrë për Evropën. "Besoj për një rezultat pozitiv", tha Merkeli. Të enjten në Maqedoni shkon si "ndihmuese në fushatën elektorale e Ngarkuara për Politikën e Jashtme të BE, Federica Mogherini. Në fundjavë, në Shkup pritet ministri i Mbrojtjes i SHBA, James Mattis.