1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bashkimi Evropian publikon zyrtarisht informacionet e mediave ballkanike

Viron Gjymshana10 Shkurt 2004
https://p.dw.com/p/ArIS

Spekullimet dhe lajmet e përhapura këto ditët e fundit mbi identitetin e individëve ndaj të cilëve Bashkimi Europian kishte vendosur ndalim – qarkullimin e lëvizjes së tyre në vendet e BE-së, duket që e detyruan Këshillin e Ministrave të BE-së që të publikonte dhe të pohonte sot zyrtarisht informacionet e përhapura ditët e fundit në mediat ballkanike.

« Masa shtrënguese kundër ekstremistëve në Maqedoni » - kështu ishte cilësuar lista me emrat e 12 personave të cilëve paraprakisht nuk do të lejohet të udhëtojnë në vendet anëtare dhe kandidate të Bashkimit Europian. BE-ja bëri të njohur me këtë rast se kjo masë ka një efekt 12 mujor dhe se ajo do të ndryshohet vazhdimisht, ndofta duke shtuar edhe emra të tjerë.

Duke argumentuar marrjen e këtyre masave shtrënguese BE-ja në një deklaratë të posaçme thekson se pavarësisht nga përmirësimi i situatës në vend, disa individë vazhdonin të ndërmerrnin aktivitete të dhunshme apo po kundërviheshin në mënyrë të përsritur dhe të qëllimshme vënies në jetë të Marrëveshjes së Ohrit, në të cilën mbështetet stabiliteti, integriteti territorial, pandashmëria dhe karakteri shumëkombësh i Maqedonisë. Dhe duke dashur siç duket t’i paraprijë çdo lloj kritike në deklaratën e BE-së theksohet se nuk kemi të bëjmë me masa që kufizojnë lirinë e shprehjes së mendimeve dhe opinioneve, por me masa që marren karshi atyre që me veprime konkrete i kundërvihen proceseve demokratike në vend. Me këtë rast Këshilli i Ministrave i Bashkimit Europian nënvizon edhe një herë se stabilitetit dhe normalizimi i jetës në Maqedoni kalon nëpërmjet vënies në jetë plotësisht të marrëveshjes së Ohrit.

Siç është bërë e njohur në listën e ndalim – udhëtimit për në vendet e BE-së gjenden emrat e Gafur Adilit, Hamdi Bajrrami, Spiro Butka, Goran Gjeorgjevski, Xhemail Hyseni, Avdil Jakupi, Daut Rexhepi, Sait Rushiti, Izair Samiu, Goran Stojkov, Fadil Sulejmani dhe Gyner Sulejmani. Në fund të deklaratës BE-ja nënvizonte se vetëm në raste të veçanta siç është psh pjesëmarrja në një konferencë që do të ndihmojë dialogun politik, demokracinë, forcimin e të drejtave të njeriut si dhe stabilitetin e Maqedonisë, personat e sipërcituar mund të lejohet të udhëtojnë në vendet anëtare të Bashkimit Europian.