1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bashkimi Evropian : Ne do të bashkëpunojmë me qeverinë amerikane pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve

Bernd Riegert3 Nëntor 2004

Të gjitha kanalet televizive në Evropë filluan të transmetojnë që herët në mëngjes drejtpërdrejt nga SHBA-s mbi zgjedhjet presidenciale aty. Por meqënëse ende nuk dihet se kush i ka fituar këto zgjedhje, reagimet nga Evropa janë të rezervuara.

https://p.dw.com/p/Aquk
Bush apo Kerry?
Bush apo Kerry?Fotografi: AP

Evropianët e gjykojnë presidentin amerikan Xhorxh Bush në bazë të politikës së tij të jashtme dhe luftës në Irak. Sipas sondazheve më të fundit, 75% e të gjithë qytetarëve të Bashkimit Evropian dëshirojnë ndryshimin e qeverisë amerikane.

Shefi i fraksionit të socialistëve në Parlamentin Evropian, Martin Schulz, tregon:

"Ne shpresojmë që Xhon Kerry të bëhet presidenti i ri amerikan, sepse ai thotë se lufta në Irak ishte një gabim i madh. Ne duam që kryetari i shtetit amerikan të thotë "po, ky ishte një gabim". Madje duam që të kemi edhe në Evropë një kryetar që do të mund të pohojë publikisht se lufta në Irak ishte një gabim i madh."

Schulz e ka fjalën për presidentin e ri të Bashkimit Evropian, Jose Manuel Barroso, i cili kur ishte ende kryeministër portugez, e mbështeti kursin e Irakut të SHBA-s.

Qeveritë evropiane nuk kanë dhënë ende asnjë koment mbi zgjedhjet presidenciale. Por sipas qëndrimeve të tyre, shumica anon nga kandidati demokrat Xhon Kerry.

Vetëm kryeministri italian Silvio Berlusconi u shpreh publikisht se dëshiron që Xhorxh Bush të mbetet president i SHBA-s. Berlusconi e mbështeti gjithashtu politikën e Bushit dhe dërgoi trupa ushtarake në Irak.

Por republikani Bush gëzon edhe simpatinë e shumë shteteve të Evropës Lindore. Sidomos nga Polonia, e cila e konsideron veten si partnere e ngushtë e SHBA-s. Edhe Rumania, antare në NATO dhe kandidate për antarësim në BE, do ta pranonte me kënaqësi rizgjedhjen e Bushit si president. Bukureshti shpreson që SHBA-s të hapin baza të reja ushtarake në Rumani.

Ndërkohë në Paris zotëron motoja "gjithçka është më mirë se Bush". Presidenti francez Xhak Shirak kishte lidhje tepër të ftohta me presidentin Bush.

Në Britaninë e Madhe humbja e Bushit do të ishte një shuplakë në fytyrë për partnerin e tij më të afërt, Toni Bler. Sidoqoftë shumica e popullsisë britanike janë kundër politikës së jashtme amerikane dhe luftës së Irakut, për shkak të mungesës së provave për armët e shkatërrimit në masë.

Komisioni Evropian në Bruksel është i gatshëm që të bashkëpunojë me secilën qeveri amerikane. I ngarkuari për politikën e jashtme evropiane Javier Solana, tha se BE koncentrohet tek çështjet politike dhe jo tek personat:

"Të gjithë e dinë se ne kemi disa mosmarrëveshje me qeverinë e Bushit mbi çështjen e politikës në Lindjen e Mesme. Por tani duhet të shikojmë përpara."


Ndërkohë tek NATO, e cila e ka qendrën në Bruksel, SHBA-s vazhdojnë të jenë antari më i fuqishëm. Sidoqoftë domethënia e aleancës euro atlantike ka rënë që kur Xhorxh Bush u bë presidenti i SHBA-s. Ndërkohë diplomatë të NATO-s shprehën shqetësimin e tyre se në rast fitoreje Kerry do t´i kthehej sërish kësaj aleance, duke kërkuar më shumë prej saj. Kështu Kerry mund të kërkojë që NATO të involvohet më shumë në Irak. NATO ka krijuar baza trejnimi në Irak, por nuk ka vënë asnjë trupë ushtarake në dispozicion. Kjo qe marrëveshja e arritur me presidentin Bush në samitin e NATO-s që u mbajt në qershor të këtij viti.