Bashkimi Evropian e mbështet plotësisht qeverinë autonome palestineze | Politika | DW | 03.03.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Bashkimi Evropian e mbështet plotësisht qeverinë autonome palestineze

Kryeministri palestinez Mahmud Abaz zhvilloi të mërkurën një vizitë zyrtare në Bruksel. Aty ai u takua me përgjegjësin e BE-së për politikën e jashtem Javier Solana dhe me presidentin e Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso. Në qendër të bisedimeve ishin shanset për paqe mes Izraelit dhe palestinezëve dhe ndihma evropiane.

Mahmud Abaz u prit me shumë përzemërsi në qendrën e BE-së në Bruksel. Diplomati evropian Solana nuk u mjaftua me fjalë miqësore dhe i premtoi Abazit menjëherë pas fillimit të bisedës, ndihmë konkrete:

"Presidenti Abaz mund të jetë i sigurtë se BE do ta ndihmojë popullin palestinez për të realizuar ëndrrën e tij. Endrrën e një shteti të pavarur që jeton në paqe me shtetin fqinj Izrael" - tha Solana.

Hapi i parë për krijimin e një shteti të pavarur palestinez janë zgjedhjet parlamentare që do të zhvillohen në korrik. Abaz ka nevojë për sukses, ndonëse diplomatët evropianë e dinë fare mirë se ndaj shefit palestinez po ushtrohet shumë presion. Njerëzit kërkojnë kushte më të mira jetese dhe nëse kjo kërkesë nuk do të plotësohet, atëherë ekstremistët dhe simpatizantët e Intifadës do të fillojnë sërish aksione individuale. Pikërisht këtë dëshron të evitojë Solana, i cili thekson se BE do ta ndihmojë Abazin deri sa të zhvillohen zgjedhjet:

"Ne do të ndihmojmë tani, sepse pikërisht tani fillon një fazë shumë delikate: Zgjedhjet, tërheqja e izraelitëve nga Gaza dhe reforma e qeverisë autonome palestineze."

BE do ta mbështesë këtë vit qeverinë palestineze me rreth 250 milionë euro. Me këtë shumë do të financohen ndërtimi i disa shkollave dhe spitaleve, arsimimi i mësuesve si edhe lufta kundër korrupsionit. Përsa i përket kësaj pike, Solana shprehu kërksesa të qarta ndaj Abazit: Abaz duhet të ndërmarrë hapa më konkrete kundër korrupsionit, me të cilin u pasuruan vite me rradhë miqtë e afërt të Arafatit. Kërkesa e dytë nga Brukseli është: Abaz duhet të kujdeset në mënyrë më intensive për çarmatimin e grupeve militante. Abaz i pranoi këto kërkesa, dhe u shpreh:

"Eshtë mëse e qartë se BE e ka mbështetur në mënyrë shumë bujare popullin palestinez. Por tani BE duhet të marrë edhe nga ana politike një rol më të fuqishëm, si për shembull në kuartetin e Lindjes së Afërt" - tha Abaz.

Në këtë kuartet për Lindjen e Afërt marrin pjesë BE, SHBA-s, Rusia dhe Kombet e Bashkuara. Sidoqoftë deri tani nuk është arritur asnjë përparim për zgjidhjen e konfliktit në rajon. Por sipas diplomatëve të BE-së, së shpejti do të ketë një zgjidhje, sepse presidenti amerikan Xhorxh Bush ka shprehur gadishmërinë e tij për të marrë pjesë aktive në procesin e paqes për Lindjen e Mesme.

  • Data 03.03.2005
  • Autor Helga Schmidt
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AquC
  • Data 03.03.2005
  • Autor Helga Schmidt
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AquC