Bashkimi Europian dhe Turqia duhet të bëjnë detyrat e shtëpisë | Evropa | DW | 30.06.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Bashkimi Europian dhe Turqia duhet të bëjnë detyrat e shtëpisë

Komisioni përcakton një kornizë për negociatat me Ankaranë

Do të jetë Turqia anëtare e BE-së?

Do të jetë Turqia anëtare e BE-së?

Pas "Jo"-së së francezëve dhe hollandezëve për kushtetutën e BE-së si dhe pas dështimit të bujshëm të samitit për financat e Unionit, diskutimi rreth negociatave për anëtarësimin e Turqisë ka shpërthyer përsëri. Edhe vetë vendimi për fillimin e bisedimeve pa premtimin paraprak që ato do të çojnë detyrimisht në anëtarësim me të drejta të plota vihet tani nga disa përsëri në pyetje. Komisioni i BE-së paraqiti të mërkurën një kornizë për negociatat për anëtarësim e Turqisë.
Korniza e Komisionit të Bashkimit Europian i përgjigjet saktësisht asaj çfarë kërkuan gjashtë muaj më parë kryetarët e qeverive dhe shteteve: qëllimi i përbashkët është anëtarësimi i plotë. Nëse kjo nuk do të jetë e mundur të arrihet atëherë do të ofrohet statusi i një lidhjeje shumë të ngushtë. Ky mund të quhet ndryshe edhe partneritet i privilegjuar siç propozojnë kristiandemokratët gjermanë të cilët në vjeshtë mund të marrin përgjegjësinë qeverisëse dhe kështu edhe vend e të drejtë fjalë në Këshillin e Evropës. Shqetësimet ndaj një anëtarësimi të mundshëm të Turqisë të shprehura pas referendumeve negative në Francë dhe Hollandë Komisioni i BE-së nuk i ka marrë parasysh. Kjo nuk është as e mundur pasi ai është i detyruar të ndjekë vendimet e Këshillit Europian. Në samitin e fundit në Bruksel dy javë më parë kryetarët e shteteve dhe qeverive përforcuan edhe njëherë njëzëri vullnetin e tyre për të filluar më 3 tetor me Turqinë udhëtimin drejt anëtarësimit. Asnjëherë më parë një kandidati për anëtarësim nuk i është dashur të kapërcejë pengesa kaq të vështira sa Turqisë. Ajo jo vetëm duhet të sanksionojë me ligj reformat e nevojshme në politikë, ekonomi, drejtësi dhe shoqëri por duhet të dëshmojë dhe efektivitetin e tyre. BE mundet në çdo kohë të tërheqë levën e frenës dhe të pezullojë e madje të ndërpresë plotësisht negociatat. Anëtarësimi nuk do të jetë i mundur përpara vitit 2014 pasi zëri "Turqi" do të gjejë vend në buxhetin e BE-së vetëm pas dy periudhave fiskale.
Ky për bujqit në BE do të ishte dhe afati i fundit për përfitimin e subvencioneve që marrin sot pasi nëse do të mbetej në fuqi sistemi i vjetër duhej të derdheshin miliarda euro për fshatarët e varfër të Anadollit. Për të shmangur shokun e anëtarësimit për anëtarët e vjetër të BE-së korniza e negociatave parashikon një numër klauzolash me karakter mbrojtës dhe përjashtimesh të cilat p.sh. mund të kufizonin përgjithmonë lëvizjen e lirë të punëmarrësve turq. Në Turqi një anëtarësim nën kushte të tilla kritikohet që tani si i klasit të dytë. Tani e ka rradhën qeveria turke të kapë dorën që i është shtrirë dhe të përmbushë premtimet e bëra. Ajo duhet të nënshkruajë në kohë zgjerimin e unionit doganor me të gjitha shtetet e BE-së dhe të njohë faktikisht Qipron. Vetëm kështu mund të presë që të 25 shtetet anëtare të miratojnë kornizën e negociatave përpara 3 tetorit. Qeveria turke duhet të marrë masa për tërheqjen e shpejtë të trupave pushtuese nga veriu i Qipros tashmë anëtare e BE-së megjithëse kjo është çështje tepër delikate në politikën e brendshme turke. Fakti që një vend kandidat mban të pushtuara ushtarakisht pjesë të një vendi anëtar nuk mund të pranohet më gjatë. Por edhe Bashkimi Europian duhet të kryejë detyrat e tij dhe të ngrerë një sistem institucional i cili edhe me 30 ose më shumë anëtarë të mund të manaxhohet dhe të ketë aftësi vepruese. Me konventën e Nisës kjo nuk është e mundur e m.q.s. kushtetuta dështoi është urgjentisht e nevojshme paraqitja e alternativave. Presidenti i komisioni të BE-së Hose Manuel Barroso ka kërkuar një debat serioz dhe të ndershëm mbi Turqinë dhe kursin e zgjerimit të Unionit. Kjo kërkesë është paksa e vonuar dhe vjen vetëm pas presionit të krijuar nga dështimi i Kushtetutës. Aventura për pranimin e Turqisë ka filluar prej kohësh për BE-në për arsye të forta strategjike dhe politike. Tani është detyra e lidershipit europian të bindë popujt skeptikë se Turqia nuk është tepër e madhe, shumë e ndryshme nga pikëpamja kulturore dhe shumë e varfër për t'u pranuar në BE. Nëse kjo nuk do të arrihet e gjitha mund të dështojë në një referendum për anëtarësimin, p.sh. në Francë.

  • Data 30.06.2005
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArDv
  • Data 30.06.2005
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArDv