1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bashkëpunim mes të barabartësh

Bernd Riegert21 Tetor 2006

Bisedimet për energjinë mes Putinit dhe liderëve europianë në Lathi

https://p.dw.com/p/Ar9v
Kryetarët e shteteve dhe qeverive në takimin në Lahti-n finlandez
Kryetarët e shteteve dhe qeverive në takimin në Lahti-n finlandezFotografi: AP

Rusia dhe Evropa janë shprehur parimisht për një bashkëpunim të besueshëm në politikën energjitike. Presidenti rus Vladimir Putin pas takimit të parë me kryetarët e shteteve dhe qeverive evropiane të premten në mbrëmje, tha se bashkëpunimi duhet të mbështetet në parime të përbashkëta dhe të jetë i parashikueshëm. Për këtë arsye tema duhet trajtuar edhe në negociatat e ardhshme mbi një marrëveshje themelore. E qartë është se shqetësimet e evropianëve mbi rreziqet dhe irracionalitetin në bashkëpunimin me Moskën në sektorin energjitik nuk u arrit të shuheshin plotësisht. Evropianët kanë megjithatë arsye të jenë po aq të sigurtë në vetvete sa dhe presidenti rus Putin.

Bashkimi Europian nuk ka asnjë arsye të zvarritet apo përulet përpara Rusisë. Natyrisht Rusia është furnizuesi më i madh i gazit për BE-në por edhe Bashkimi Europian ka diçka në dorë. Të marrë së bashku vendet anëtarë të unionit që së shpejti do të jenë 27, janë klienti më i madh i gjigandit rus të gazit. Kërcënimet e fshehta ruse për kufizime në furnizim duhen kthyer mbrapsht pasi varësia është e dyanshme. Nevoja e Rusisë për paratë nga biznesi me Evropën është thuajse po aq urgjente sa ajo e evropianëve për gaz dhe naftë.

Koncernet shtetërore ruse deklarojnë herë pas herë se gazi mund t'i shitej edhe Azisë por kjo nuk është kaq e thjeshtë. Derisa të kanalet tregtare të arrijnë nivelin e atyre me Evropën duhet të kalojnë disa vjet.

Pra do të ishte mirë që të dyja palët, BE-ja dhe Rusia, të bashkëpunonin më ngushtë. Rusia ka nevojë për investime të huaja dhe teknologjinë e avancuar nga jashtë për fushat e saj të naftës dhe gazit. Shumë nga pajisjet e vjetra të përftimit të naftës dhe përçimit të gazit janë krejt të amortizuara dhe duhen zëvendësuar. Këtë e di edhe presidenti rus Vladimir Putin. Përpjekja për të mbajtuar larg burimeve ruse koncernet e mëdha energjitike ndërkombëtare është e gabuar. Nga ana tjetër, nëse evropianët duan të kenë akses në burimet energjitike ruse, duhet në këmbim të jenë të gatshme të lejojnë hyrjen e firmave ruse në tregun evropian të transportit dhe shpërndarjes së energjisë. Praktikisht kjo do të thotë: nëse koncerni Shell nxjerr naftë në Siberi, edhe Gazprom duhet të ketë mundësi të marrë pjesë në shërbimin teknik të qyteteve të tilla gjermane si Oberhausen apo Mynihu. Njëra dorë lan tjetrën. Kjo do të ishte dhe ideja e shumë të përfolurës "Karta Energjitike". Por kundër një Kartë të tillë ka rezerva të shumta nga të dyja palët.

Bashkimi Evropian bën mirë të zhvillojë një politikë energjitike të diferencuar. Me kërkimin e furnizuesve të tjerë apo burimeve alternative të energjisë, Unioni i sinjalizon rusit me shumë besim të vetvete se po kërkon të reduktojë shkallën e varësisë nga perandoria e Putinit. 80% e rezervave botërore të fosileve të djegshme gjenden shumë pranë fqinjëve të BE-së. I rëndësishëm është bashkëpunimi me Norvegjinë, Algjerinë, Azerbajxhanin dhe Kazakistanin, të gjithë livrues potencialë. Turqia luan një rol jetik në këtë skemë për tregtinë e energjisë nga Deti Kaspik dhe Azia Qëndrore. Një arsye më shumë kjo për të mos lejuar dështimin e bisedimeve për anëtarësim të Turqisë në BE.

E drejtë është gjithashtu që t'u bëhet e qartë carëve rusë të enrgjisë se shtetet e BE-së përmes racionalizimit të energjisë do të reduktojnë në mënyrë drastike konsumin. Kërkimi për burime alternative energjie duhet të jetë objektiv prioritar i politikës energjitike të BE-së për t'u sinjalizuar Rusisë dhe furnizuesve të tjerë si vendet e OPEC-ut se BE synon të bëhet më i pavarur. Pozicioni lider i BE-së në teknikat për racionalizimin e energjisë mund të përdoret edhe si armë kundrejt Rusisë. Ekonomia ruse konsumon sasi të pallogaritshme energjie pasi nuk punon në mënyrë eficiente. Presidenti Putin duhet të ketë interes të madh për përmirësime në këtë drejtim pasi edhe rezervat ruse të naftës dhe gazit nuk janë të pashterrueshme.

Pas ndërprerjes për herë të dytë të furnizimit me gaz Ukrainës, u kuptua shumë shpejt se BE ka nevojë për një politikë të përbashkët energjitike. Po kaq shpejt duhet tani vendet anëtare të Unionit të kapërcejnë rezervat nacionale dhe të krijojnë me 500 milionë konsumatorët e tyre një lloj kooperative blerjeje për të siguruar kushte më të mira tek livruesit.

Më e thjeshtë do të ishte të bashkëpunohej me Rusinë nëse do t'i besohej pa rezerva presidentit Putin. Për fat të keq ai e ka vënë në lojë besueshmërinë e tij me shantazhin ndaj Ukrainës. Matja e re e forcës me Gjeorgjinë, vrasjet e gazetarëve kritikë, qëndrimi në Çeçeni dhe shumë gjëra të tjera, nuk kontribuojnë aspak për shtimin e besimit. Bashkimi Evropian mund t'i pranojë deri në një farë mase mangësitë në demokracinë ruse pasi ka nevojë për Rusinë. Por ka edhe kufij për të ashtuquajturin partneritet strategjik të cilat mund të arrihen shumë shpejt nëse Rusia vazhdon të luajë me kartën nacionale apo më keq akoma me atë imperiale. Këtë Putini duhet ta dijë.