1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bashkëpunëtorja e Karaxhiçit në liri - Biljana Pllavshiç lirohet përpara kohe

28 Tetor 2009

Ish-presidentja e Serbëve të Bosnjes Biljana Pllavshiç të martën (27.10) u lirua para kohe nga dënimi për krime lufte. Pllavshiç ishte një ndër përgjegjësit kryesorë për vrasjen e disa mijëra boshnjakëve.

https://p.dw.com/p/KGd2
"Zonja e hekurt e Ballkanit", ish-presidentja e serbëve të Bosnjes, Biljana Pllavshiç dhe pasuesi i saj Radovan Karaxhiç
"Zonja e hekurt e Ballkanit", ish-presidentja e serbëve të Bosnjes, Biljana Pllavshiç dhe pasuesi i saj Radovan KaraxhiçFotografi: DW

Gjyqtarët e Tribunalit të Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi kanë përjetuar shumë, vetëm një gjë deri më tani ka qenë e pazakontë për ta: përpara shtatë vjetësh për herë të parë dhe të fundit u paraqit një grua si e akuzuar, një dukuri e pazakontë kjo në botën ballkanase të dominuar prej burrave: kjo ishte Biljana Pllavshiç.

Ajo kishte patur një karrierë të shquar, fillimisht në shkencë. Si profesore në biologji ajo kishte zënë një post drejtues në Universitetin e Sarajevës. Ndërsa në vitin 1992 ajo hyri në politikë.

Pak përpara kësaj ishte shpallur shteti i mëvetsishëm i serbëve të Bosnjes në territorin e Republikës Jugosllave të Bosnje-Hercegovinës. Lufta midis tri grupeve etnike ishte tashmë vetëm çështje kohe. Nacionalistja e flaktë Biljana Pllavshiç hyri në kohën e përshtatshme në politikë. Më agresive se shumë burra ajo nxiste urrejtjen serbe, kryesisht ndaj myslimanëve duke i quajtur ata "material i deformuar gjenetik".

Një farë Radovan Karaxhiç u bë përkrahësi i saj. Më vonë ai e pasoi atë në postin e presidentes së Republikës Serbe të Bosnjes. Bashkë ata përgatitën terrenin ideologjik për të gjitha tmerret, që më pas u quajtën si "spastrime etnike": vrasje, dëbime, përdhunime.

Kur pas luftës u ngrit padi kundër saj, Biljana Pllavshiç u vetëdorëzua në Tribunalin e OKB-së për Krimet e Luftës. Para trupit gjykues ajo e pranoi se është fajtore: "Unë jam e bindur dhe e pranoj faktin, që disa mijëra njerëz të pafajshëm ranë viktimë e një përpjekjeje të organizuar dhe sistematike për të larguar myslimanët dhe kroatët nga territoret e pretenduara prej Serbisë. "

Një deponim që të bën përshtypje, gjë që i dha shkas gjyqtarit të mbajë qëndrim të butë ndaj Biljana Plavçiç. Ajo nuk u dënua me burgim të përjetshëm, por me njëmbëdhjetë vjet heqje lirie. Pak më pas ajo u transferua nga Holanda në një burg të Suedisë.

Atje ajo dha një intervistë në fillim të këtij viti, përmes së cilës e tërhoqi deponimin e atëhershëm për pranimin e fajit. Ajo tha, se e kish bërë këtë deponim për të mundësuar një dënim më të shkurtër, por kjo dëshmi nuk ishte bindja e saj e brendshme.

Megjithatë qeveria suedeze, në marrëveshje me Tribunalin në Hagë, vendosi tani ta lirojë para kohe Biljana Pllavshiç pasi ajo ka vuajtur dy të tretat e dënimit.

Pas lirimit nga burgu 79 vjeçarja Biljana Plavsiç do të jetojë në një apartament në Beograd, që ajo e ka blerë përpara se t'i dorëzohej Tribunalit për Krimet e Luftës.

Autor: Jörg Paas / Vilma Filaj - Ballvora

Redaktoi: Eliana Xhani