1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Barrozo: "Evropa e nënvleftëson veten"

Bernd Riegert9 Qershor 2006

Presidenti i Komisonit të BE-së Barrozo paraqet dokumentin mbi strategjinë e politikës së jashtme të BE-së, një javë para samitit të BE-së

https://p.dw.com/p/Aqpi
Hoze Manuel Barrozo
Hoze Manuel BarrozoFotografi: AP

Kushtetuta e BE-së është bllokuar, procesi i zgjerimit po diskutohet me një skepticizëm gjithnjë në rritje dhe politika e përbashkët për marrëdhëniet me jashtë dhe sigurinë e shteteve të BE-së është ende në pelena. Nga Brukseli ndërkohë as që duket të jenë ndërmarrë hapat e vërtetë për reformat kundër bllokadës në BE. Hoze Manuel Barrozo, presidenti i Komisionit, paraqiti para 25 shteteve anëtare hapat që do të ndërmarrë ai për të forcuar BE-në në politikën e jashtme.

BE-ja politikisht vazhdon të jetë një liliput, ndonëse ekonomikisht ajo është një gjigand, si blloku më i madh tregtar në ekonominë botërore. Ky gjykim i vjetër vlen edhe sot sipas presidentit të Komisionit të BE-së Hoze Manuel Barrozo: "Unë besoj, se Evropa e nënvleftëson veten. Pesha politike e BE-së në botë nuk i përgjigjet përmasave ekonomike dhe tregtare të saj."

Barrozo synon ta ndryshojë tani këtë gjendje dhe një javë përpara samitit të BE-së (15.-16.06) paraqiti një dokument strategjik mbi instrumentat e ardhshëm të politikës së jashtme të BE-së. Edhe pa kushtetutën e BE-së, që parashikonte disa përmirësime, Barrozo preferon që të instalohet posti i një ministri të jashtëm të BE-së me një shërbim të përbashkët diplomatik. Por ende mungon vullneti politik, që politika e jashtme në organizatat ndërkombëtare si dhe ndaj Kinës, Rusisë apo SHBA të formësohet së bashku, theksoi Barrozo: "Kjo ndodh rëndom në raste të vështira dhe të komplikuara diplomatike. Kjo është e vërteta, që duhet ta pranojmë, pasi politika e jashtme në pjesën më të madhe është përgjegjësi kombëtare."

Pozicioni krah për krah mes të ngarkuarit të Këshillit të ministrave Havier Solana dhe komisioneres se BE-së për politikën e jashtme Benita Ferrero-Valdner me kohë duhet të shkrihet në një. Jashtë Evropës pothuajse askush nuk e kupton dallimin midis këtyre dy posteve, vuri në dukje Barrozo: "Ne e ndjejmë, që BE-ja si një e vetme këtë instrument nuk e përdor si orekstër, por instrumentat përdoren veçmas."

Kjo orkestër sipas mendimit të Barrozos duhet të përbëhet nga këto instrumenta: Duhet të ketë grupe të përbashkëta pune mes të gjithë aktorëve të politikës në BE, pra kryesisht nga këshilli dhe komisioni. Përveç kësaj misionet e BE-së duhet të planifikohen më mirë përmes një bashkëpunimi më të mirë. Për këtë duhet që të financohen më mirë edhe diplomatët.

Barrozo e di, që ai duhet të tregohet i kujdesshëm për të mos i prekur vendet anëtare, që me xhelozi vigjëlojnë për kompetencat e tyre. Por institucione të reja s´mund të ketë pa kushtetutë, e ardhmja e së cilës së paku deri në 2008 nuk është e sigurtë. Sipas presidentit të Komisionit duhet që edhe pa një marrëveshje të re të bëhen përpjekje për përmirësime: "Ne nuk mund të presim pa bërë asgjë. Bota është në lëvizje dhe nuk na pret ne. Ne duhet tani që të realizojmë përmirësimet me marrëveshjet ekzistuese."

Për të mos humbur duke u kapur vetëm pas mendimeve teorike, presidenti i Komisionit synon që të bashkëpunojë më mirë në mënyrë praktike me vendet anëtare. Komisioni i BE-së ka përfaqësi në 130 vende të globit, më shumë se ç´ka ambasada secili vend antar. Në raste katastrofash, apo për çështje konsullore e tregtare mund të bashkëpunohet me njëri-tjetrin dhe jo pranë njëri-tjetrit në kryeqytetin përkatës. Kryetarët e shteteve dhe të qeverive të vendeve të BE-së javën e ardhshme do të shqyrtojnë edhe tezat e Barrozos.