1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Banda Açe një vit pas katastrofës së cunamit

Maike Sholc26 Dhjetor 2005

Pamje të shkatërrimit të paimagjinueshëm përhapën shok në mbarë botën një vit më parë. Pa asnjë paralajmërim më 26 dhjetor 2004 tërmeti nënujor në afërsi të brigjeve të Sumatrës krijoi një valë shkatërrimtare batice. Brenda pak minutash dhuna natyrore e shpërthyer asgjësoi qindra kilometra bregdet në Indonezi, në në Tajlandë dhe në Srilankë duke çuar drejt vdekjes rreth 230.000 njerëz.

https://p.dw.com/p/ArMq
Pamje nga Banda Açe
Pamje nga Banda AçeFotografi: dpa - Bildfunk

Një ndër rajonet e prekura më shumë është krahina e krizës në Indonezi, Banda Açe. Në këtë zonë ende nuk është kthyer normaliteti. Shumë njerëz janë të dëshpëruar, sepse ata vazhdojnë të jetojnë duke pritur nëpër barraka. Agjencia indoneziane për rindërtimin kish planifikuar për vitin e parë të ndërtonte 30.000 shtepi, por deri më sot janë ndërtuar vetëm 10.000 syresh.

Pritja - E përditshmja e të mbijetuarve në Banda Açe

Adlan ende është i shokuar dhe tund kokën. Tek shkon në shtëpinë e tij, pra atje ku ka qenë më parë shtëpia, ai na tregon një bazament të bardhë, kjo është gjithçka që ka mbetur: "Tek erdhi vala e baticës ne vrapuam. Rrëmbyem fëmijët dhe u ngjitëm në kodër. Patëm fat. Sepse këtu s´ka mbetur asgjë. Shtëpia ime, barka, gjithça është zhdukur. Tani ne kemi nevojë për ndihmën e të tjerëve." Adlani është peshkatar. Por tani ai nuk del në det. Dikur ai punonte si sipërmarrës privat, ndërsa tani punon për të tjerët, ose nuk punon fare.

Ramliu qëndron në rrugën që të çon sipër drejt kodrës dhe që është e mbushur me barraka. "Qysh nga janari ne jetojmë këtu. Ne kemi mbledhur dërrasat e shtëpive tona të shpërndara pas cunamit dhe me to ndërtuam kasollet." Pesë deri në gjashtë metër katror hapësirë i takon një familjeje, ka gati një vit që ata jetojnë këtu, duke pritur ndihmë: "Na duhet të kemi durim. Nuk kemi ç´të bëjmë tjetër. Ne nuk kemi shtëpi e s´kemi ku shkojmë gjëkundi. Pra qëndrojmë këtu dhe presim." Ramli bën të njëjtën gjë si edhe të tjerët në Açe, ata janë të destinuar të presin. Por Ramli ka marrë një premtim. Ai është i regjistruar në një listë: dhe ndërkohë është duke e parë me sytë e vet se si po ndërtohet shtëpia e tij. Përpara pak javësh u vendos guri themeltar. 40 shtëpi në një radhë po ndërtohen nga Kryqi i Kuq gjerman. Brenda katër muajve vendbanimi duhet të jetë gati. Ramli merr frymë, ai vëzhgon punimet e ndërtimit dhe mendon për fshatin e vjetër që nuk ekziston më: "Ne kemi vendosur të vijmë këtu, sepse është zonë kodrinore. Ndodhet rreth 200 metra mbi nivelin e detit. E megjithatë afërsia me detin është e mjaftueshme, sepse ne jemi peshkatarë." Ramli e respekton detin, e ai nuk është i vetmi.

Mësimi ndihmon fëmijët të mposhtin traumën e cunamit

Soraja sërish po jep mësim përpara klasës së saj. Përmes mësimit jeta është normalizuar disi, thotë ajo. Fëmijëve u bën mirë kjo: "Ata janë të traumatizuar. Gjithmonë nëse toka lëkundet, ata vrapojnë në panik në të gjitha drejtimet. Ne nuk mund t´i kontrollojmë më ata. Kjo shkollë ndodhet afër detit prej të cilit fëmijët kanë frikë." Soraja vëzhgon oborrin e shkollës dhe qesh tek sheh fëmijët që sërish luajnë fare pranë plazhit.