Ballkani Perëndimor, vaksina kundër Covid-19 dhe gjeopolitika | Ballkani | DW | 11.02.2021
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Ballkani Perëndimor, vaksina kundër Covid-19 dhe gjeopolitika

Ndërsa bota po bën përpjekje për t'i dhënë fund nacionalizmit të vaksinimit, në Ballkanin Perëndimor ka nisur turizmi i vaksinimit.

Ku mbarojnë konsideratat gjeopolitike dhe ku fillon shqetësimi për shëndetin e qytetarëve? Shumë qytetarë në vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë bërë këtë pyetje kohët e fundit ndërsa janë duke parë pafuqishëm se si në vendet fqinjë dhe më tej ka nisur vaksinimi në masë kundër koronës.

Për shumë qytetarë të Ballkanit Perëndimor që kanë kaluar dekada të izoluar pas Perdes së Hekurt duke diskutuar me forcë se cili ka më shumë bomba atomike, SHBA apo Bashkimi Sovjetik, cili do të humbiste në rast të një lufte të mundshme, kriza aktuale me vaksinën kundër koronës ka ngjallur një ndjenjë të çuditshme déjá vu.

Serbien Covid-19 | Impfzentrum in Belgrad

Serbia kryeson në Evropë për sa i përket numrit të qytetarëve të vaksinuar

Për momentin ka mosmarrëveshje se cila është më e mirë vaksina perëndimore apo ajo kineze dhe nëse aleatët në SHBA ose BE do të zemëroheshin, nëse të paktën për momentin ndonjë nga vendet e Ballkanit do t'i drejtohej Moskës ose Pekinit. Debati është natyrisht i një natyre thjesht teorike, sepse në praktikë shumica e rajonit i ka parë vaksinat po aq pak, sa dhe bombat atomike dikur. Në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Bosnjë dhe Kosovë nuk ka nisur ende vaksinimi dhe nuk ka ndonjë të dhënë të saktë, se kur mund të pritet kjo.

Asnjë nga këto vende nuk ka aktualisht ndonjë vaksinë; autoritetet vetëm premtuan që dozat e para do të mbërrinin në fund të këtij muaji. Vetëm Shqipëria ka arritur të sigurojë - në mënyrë simbolike - 2000 doza për një popullsi prej rreth 2.8 milionë banorësh.

Një përjashtim në rajon përbë Serbia, e cila bën pjesë në vendet që kryesojnë në Evropë për sa i përket numrit të qytetarëve të vaksinuar.

"Provokime ruse"

Cili është ndryshimi midis Serbisë dhe pesë vendeve të tjera në Ballkanin Perëndimor? Ndaj kësaj pyetjeje politikanët lokalë thonë: gjeopolitika.

"Serbia blen vaksina nga Rusia, por ne si shtet jemi të orientuar drejt BE-së," tha Ministri i Ekonomisë i Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi, këtë javë.

Një këndvështrim të ngjashëm ka edhe kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili e quajti ofertën e Moskës për vaksinën ruse "Sputnik V" si "provokim". 

"Harrojeni burokracinë dhe jepni dritën jeshile për rusët dhe kinezët dhe çdo vaksinë tjetër, të gjitha janë të mirëpritura. Ju do të bini në gjunjë që t'ju sjellin vaksina!”, u bëri thirrje autoriteteve maqedonase përmes Facebookut mjekja Tatjana Gurzanova. Thirrje dramatike si kjo po dëgjohen gjithnjë e më shpesh në vendet e rajonit që nuk kanë marrë ende vaksina.

Ndërkohë Mali i Zi pret dërgesën e parë prej 50.000 dozash të vaksinës "Sputnik V" dhe ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut më në fund nënshkroi të hënën (08.02) kontratën për blerjen e 200,000 dozave nga prodhuesi kinez Synopharm.

Fakti që edhe zgjidhja e krizës së thellë shëndetësore nuk mund të ndodhte pa gjeopolitikë, vërteton shprehjen që qarkullon prej kohësh në Ballkan: "Perëndimi nuk do të na pranojë, Lindja nuk do të na lëshojë".

Nord-Mazedonien Skopje | Coronakrise

Shkup

Kështu megjithë vonesat prej muajsh dhe kritikat e ashpra në vend, kryeministri maqedonas Zoran Zaev, e pa të udhës të justifikohej para partnerëve perëndimorë për blerjen e vaksinave kineze.

"Unë dua të konfirmoj që kemi pasur bisedime me partnerët tanë strategjikë, NATO dhe Uashingtonin, në të cilat kemi arritur në përfundimin se blerja e vaksinave nga Kina nuk është një çështje gjeopolitike, por një e drejtë sovrane e çdo shteti", tha Zaev në një intervistë.

Turizmi i vaksinimit

Ndërkohë nacionalizmi shumë i kritikuar i vaksinimit në Ballkan po merr ngadalë tipare krejtësisht të ndryshme dhe po shndërrohet në turizëm vaksinimi që kapërcen madje ndarjet e thella historike dhe etnike tipike për rajonin. Qytetarë të Bosnjës, shqiptarë të Kosovës, apo shtetas të Maqedonisë së Veriut dhe të Malit të Zi po shkojnë në Serbi me shpresën se atje mund të vaksinohen kundër virusit të rrezikshëm.

Dikush mund të mendonte se njerëzi do të kërkonin shpëtim në një nga vendet fqinje që janë anëtare të BE-së, si Greqia, Bullgaria, Rumania ose Hungaria. Por ato ose kanë mbyllur kufijtë - ose nuk kanë as për vete vaksina.