Ballkani në BE: Antarësim apo Zonë e Lirë Tregtare? | Evropa | DW | 30.11.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Ballkani në BE: Antarësim apo Zonë e Lirë Tregtare?

Ministria e Punëve të Jashtme Gjermane organizoi në Berlin një simpozium me pjesëmarrës nga vendet e Ballkanit dhe të Evropës

Evropa: Një krijesë delikate

Evropa: Një krijesë delikate

Tre janë ngjarjet kryesore të Ballkanit në vitin 2006: Referendumi për të ardhmen e Malit të Zi, përcaktimi i kushtetutës për Bosnjë Hercegovinën, dhe statusi i Kosovës. Këto tre sfida për bashkësinë ndërkombëtare dhe vendet në rajon do të mund të përballohen vetëm, në se vendet e prekura kanë besim tek Bashkimi Evropian dhe premtimi që iu bë atyre në qershor të vitit 2003 për antarësim të plotë në BE. Për këtë temë u disktua në simpoziumin e zhvilluar në fundjavë (25./ 26. 11) në Berlin, në të cilin Minsitria e Punëve të Jashtme Gjermane dhe Shoqata e Evropës Juglindore kishte ftuar përfaqësues të shkencës e politikës nga Evropa dhe Ballkani.

Koordinatori i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore Erhard Busek, që drejtoi njërin nga podiumet, përmbledh në fund të takimit për Dojçe Velen: "Të ftuarit e këtushëm sigurisht që ishin për vazhdimin e zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit, sepse nuk ka alternativë tjetër për këtë. Në disa vende të BE-së ka debate për të ndryshuar konceptin e antarësimit dhe rishikuar edhe njëherë atë nga e para."

Brok: Ballkani si EFTA

Një nga përfaqësuesit e kësaj ideje, është Elmar Brok, europarlamentar gjerman i partisë popullore evropiane. Për zgjerimin e Evropës me vendet e Ballkanit, Brok vë si parakusht, që Evropa të jetë e aftë për të përballuar zgjerimin e mëtejshëm. Si antar i delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore, Brok është për ruajtjen e perspektivës për antarësimin e vendeve ballkanike, por kjo nuk ka pse të jetë e njëjtë për të gjithë: "Ndoshta do të ishte e domosdoshme që të bëhen hapa të ndërmjetme për krijimin e një hapësire të përbashkët ekonomike," – prej të cilës në BE do të hynin ato vende që do t’i plotësonin kriteret e caktuara.

Si shembull për këtë Brok jep vendet e Asociimit Evropian për Tregti të Lirë, pra e njohur në anglisht nën termin EFTA. Zona evropiane e tregtise se lire përbëhet aktulisht nga Norvegjia, Islanda, Lichtenshtajni dhe Zvicra. Pese vendet e tjera ish-antare, Britania e Madhe, Portugalia, Finlanda, Suedia, Austria dhe Danimarka ndërkohë kanë hyrë në BE. Brok propozon një trajtim të ngjashëm edhe për vendet e Ballkanit pa u mohuar atyre mundësinë e antarësimit të plotë: "Ne duhet të bëjmë hapa përpara", sqaron Brok, "dhe të tregojmë që porta nuk është e mbyllur."

Labus: Status dhe standarde

E mbyllur ishte porta ditën e dytë të simpoziumit të Berlinit për mediat. Një nga temat kryesore ishte, statusi i ardhshëm i Kosovës, bisedimet për të cilin kanë filluar që në fillim të muajit. Përfaqësuesit zyrtarë të shteteve ngulin këmbë, që rezultati i bisedimeve të jetë konsensi. Njëri prej tyre është zëvendëskryeminsitri i Serbisë, Miroljub Labus. Kryetari i partisë së koalicionit, G17 nuk bën pjesë në 13-shen negociuese për të ardhmen e Kosovës, por drejton negociatat për asoiimin e Serbisë në BE. Labus nuk pranon të fiksohet që tani për statusin e Kosovës.

Ai thotë se "në fillim të procesit kemi bërë të qartë, parimet tona kryesore". Këtu bëjnë pjesë sovraniteti dhe integriteti territorial nga njëra anë dhe të drejtat e njeriut në anën tjetër. Duhet të gjejmë një balancë të përshtatshme ndërmjet këtyre dy parimeve, në mënyrë që të arrijmë një marrëveshje që do të sillte një zgjidhje për të gjithë rajonin."

Teokareviç: Zgjidhja do të imponohet

Politikani nga Beogradi, Jovan Teokareviç, nuk beson, se me të vërtetë mund të arrihet një marrëveshje vullnetare mes serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës. Pa presionin e duhur nga ana e Bashkimit Evropian dhe Nato-s nuk do të ketë zgjidhje, thotë Teokareviç për Dojçe Velen. "Dallimet ndërmjet të dy opsioneve që janë në tavolinë janë kaq të mëdha, saqë pa ndërhyrjen e koordinuar të BE-së dhe Nato-s nuk ka për t’u gjetur zgjidhje." Teokareviç parashikon, se si përfundim, aktorët lokalë do t'i drejtohen BE-së dhe Nato-s e do të kërkojnë ndihmë, që ta detyrojë palën tjetër të pranojë zgjidhjen."

Deri në fund të vitit të ardhshëm, do të jenë hedhur piketat e para për caktimin e statusit. Implementimi i saj do të realizohet mbas 10 ose 15 vjetësh, mendon Teokareviç, "kur ndoshta Kosova të hyjë në Bashkimin Evropian si vendi i fundit" i Ballkanit Perëndimor.

Pa një perspektivë të besueshme evropiane, nuk ka paqe për këtë është Busek i bindur. Koordinatori i Paktit të Stabilitetit, shpreson ta zgjasë projektin e tij deri në vitin 2009, pikërisht në shërbim të këtij procesi: "Perspektiva e Bashkimit Evropian është me rëndësi vendimtare, sepse ka mundësi, që dëshira për pavarësi shtetërore të humbasë vlerën, kur të gjitha vendet të jenë antare në Bashkimin Evropian."

  • Data 30.11.2005
  • Autor Anila Shuka, Berlin
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArCf
  • Data 30.11.2005
  • Autor Anila Shuka, Berlin
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArCf