1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ballkani në krye të axhendës së politikës së jashtme të ministrave të BE-së

Anila Shuka21 Janar 2007

Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian pritet të diskutojnë në takimin e tyre të rregullt të hënën dhe të martën në Bruksel për situatën në Ballkan mbas zgjedhjeve në Serbi

https://p.dw.com/p/Ar96
Fotografi: AP

Për Serbinë dhe Ballkanin ministrat pritet të flasin gjatë drekës. Se si do të zhvillohet konkretisht diskutimi, kjo do të varet nga rezultati i zgjedhjeve të 21 janarit në Serbi. Nga qarqet diplomatike në Bruksel është paralajmëruar “një debat mjaft intensiv”. Ministri gjerman i punëve të jashtme, Frank Valter Shtajnmajer, i cili për herë të parë do të drejtojë punimet e takimit, e pranon që në fillim se vendet e BE-së nuk kanë të gjitha të njëjtin mendim për Kosovën: “Nuk kemi përse ta fshehim, kjo tashmë dihet. Ka vende që këtë procedurë e shohin me shqetësim, madje ka disa që do të preferonin që të mos gjendej zgjidhja,“ – thotë shefi i diplomacisë gjermane.

Fjala është për statusin e ardhshëm të Kosovës, që i ngarkuari i OKB-së, Marti Ahtisaari do të propozojë mbas zgjedhjeve. Një nga pikat që pritet të përmbajë ky propozim është misioni civil nën drejtimin e Bashkimit Evropian, që parashikohet të jetë më i madhi i këtij lloji në historinë e BE-së. Parakusht për dërgimin e misionit për manaxhimin e krizës në Ballkan është që të gjitha vendet e BE-së të jenë dakord me statusin që do të propozojë Ahtisaari për të ardhmen e Kosovës. Ky parakusht është caktuar qysh në prill të vitit të kaluar. Steinmeier është shprehur optimist se do ta bashkojë BE-në në këtë pikë.

Këshilli i ministrave pritet që të marrë një vendim për parimet, prioritetet dhe kushtet për “Partneritetin Evropian” mes BE-së me Malin e Zi. Në kuadër të takimit të ministrave të jashtëm të hënën në Bruksel do të zhvillohet edhe takimi i parë i troikës evropiane me Malin e Zi. Treshja, e përfaqësuar nga Finlanda, Gjermania dhe Portugalia, do të takohet edhe me OSBE-në, e cila do të jetë një nga organizatat kryesore, krahas KFOR-it të drejtuar nga NATO-ja, që do të mbështesë misionin civil në Kosovën e passtatusit.

Ministrat do të trajtojnë gjatë dy ditëve edhe çështje të tjera si situatën në Lindjen e Mesme, sidomos mbas vizitës që i bëri rajonit në fundjavë kryediplomati i BE-së, Javier Solana, si edhe gjendjen në Somali e Sudan. Përveç kësaj ata pritet të dalin me një deklaratë të përbashkët kundër dënimit me vdekje të gjashtë infermiereve dhe mjekut bullgar në Libi.