Balkan Booster 3: Ndryshimet klimatike në fokus | Ballkani | DW | 09.09.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Balkan Booster 3: Ndryshimet klimatike në fokus

Që në takimin e parë në Mal të Zi u bë e qartë: Sukseset e viteve të fundit e kanë mprehur profilin e projektit, i cili ndërthur trajnimin e gazetarisë me shkëmbimin dhe mirëkuptimin mes kandidatëve.

 

Në tre muajt e ardhshëm, 21 gazetarë të rinj nga dhjetë vende të Ballkanit do të trajtojnë problematikat e mjedisit në rajon përmes web-videove që do të publikohen në kanalet e mediave sociale të DW. Të paktën 240 video nga gjashtë dyshe dhe tre treshe do të shfaqen deri në dhjetor në Facebook. Temat e këtij viti janë ndryshimi i klimës, niveli i grimcave ndotëse në ajër, mbetjet plastike dhe industriale, si edhe problemi i ujërave të zeza. Dihet, se të gjitha vendet e rajonit po përballen me probleme të mëdha ekologjike. Ajri i ndotur i kalon kufijtë, edhe kufirin Kosovë Serbi. Një lumë nga Bosnja që rrjedh në Mal të Zi lë të njëjtën ndotje në tokën e të dyja vendeve. Shkaqet e ndotjes së mjedisit në Ballkan shpesh përkojnë me problemet e njohura të rajonit si: mungesa e sundimit të ligjit, korrupsioni, favorizimi ekonomik.

Adelheid Feilcke, drejtuesja e seksionit të Evropës në DW, sheh potencial të madh në temat e përzgjedhura të këtij viti: "Problemet ekologjike i shqetësojnë Ballkan-Boosterat e rinj. Ata duan të tërheqin vëmendjen njësoj si për problemet ashtu edhe zgjidhjet e mundshme të tyre, e në të njëjtën kohë të motivojnë gjeneratën e tyre të bëhen më aktivë në proceset demokratike. "Ballkani ofron shembuj të panumërt, se si konfliktet politike në rajon, jo vetëm që i heshtin problemet mjedisore, por edhe i përkeqësojnë ato."

Me DW për hulumtime të përbashkëta

Liqeni i Prespës lidh Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë. Cilat janë sfidat mjedisore këtu? Si ndikon ndryshimi i klimës në jetën e njerëzve pranë liqenit? Me këtë do të merren Ballkan Boosterat nga tre vendet. Që në trajnimet për prodhimin e videove me smartphone në Herceg Novi, Mali të Zi, ndryshoi perceptimi i pjesëmarrësve. "Njohja me të rinjtë nga vendet e ndryshme të Ballkanit është një përvojë frymëzuese. Tani ndihemi të lidhur me njëri-tjetrin dhe mësojmë sa sfida të përbashkëta kemi”, thotë Lorin Kadiu nga Shqipëria.

Ai dhe ekipi i tij tani janë në fazën e hulumtimeve paraprake. Për Efterpi Mouzakiti nga Selaniku, kjo është një përvojë që sjell rivlerësim të situatës: "Po filloj të rishikoj plotësisht pozicionin e Greqisë në Ballkan. Me reportazhet tona, ne mund t'u tregojmë njerëzve aty, se kemi probleme që duhet t‘i zgjidhim së bashku, pavarësisht dallimeve që kemi." Petar Dogov nga Maqedonia e Veriut shton:" Ne të gjithë kemi metodat tona, por mund të mësojmë nga njëri-tjetri. Kjo na bën gazetarë më të mirë dhe këtë përvojë e marrim në punën tonë ".

Adelheid Feilcke vlerëson se për Ballkan Booster-at kjo është një ekspeditë e dyfishtë: "Ata për herë të parë përjetojnë kulturat e fqinjëve ende të ngarkuara me paragjykime dhe mësojnë se sa ngjashmëri ka mes tyre. Po ashtu ata zbulojnë se sa të rëndësishme janë çështjet mjedisore për jetën dhe të ardhmen në atdheun e tyre ".

Miliona njerëz e kanë klikuar projektin Balkan Booster

Pas trajnimit intensiv në Mal të Zi, gazetarja Aida Salihbegovic e cila e menaxhon projektin është optimiste: "Ballkan Booster-at i kanë zotëruar detyrat e para me interes, kreativitet dhe humor. Ata gjithashtu tregojnë gatishmëri të punojnë në ekip."

Videot do të publikohen në faqet e Facebook-ut, shikuesit mund të marrin pjesë në ekspeditën e Balkan Booster në gjuhën shqipe, boshnjake, bullgare, greke, kroate, maqedonase, rumune dhe serbe. Ky projekti është i pari ne këtë formë në Evropë dhe arriti më shumë se gjashtë milion ndjekës të DW në vitin 2018.