1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bajrami: Kosova e gatshme për marrjen e përgjegjësive

Bahri Cani10 Shtator 2012

Intervistë me Arsim Bajramin, ish-ministër, autor i shumë dokumenteve dhe ndryshimeve që kanë sjellë Kosovën në prag të heqjes së mbikqyrjes së pavarësisë.

https://p.dw.com/p/165EA
Mikrofon, Autoren, Neu

Zoti Bajrami, çfarë sjell konkretisht heqja e mbikqyrjes së pavarësisë për Kosovën?

Arsim Bajrami: Tani po merr fund mbikqyrja ndërkombëtare, e cila është instaluar që nga momenti i shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Në kohën e shpalljes së pavarësisë është vendosur që Kosova të monitorohet dhe tani kësaj po i vie fundi. Kosova po merr sovranitetin të plotë dhe po merr përgjegjësi të plotë për pavarësinë e vet.

A do të thotë kjo se Kosova tani i merr përgjegjësitë në të gjitha lëmitë, për të gjitha zhvillimet në vend?

Arsim Bajrami:  Jo, këtë nuk duhet kuptuar në këtë mënyrë, sepse sovraniteti në kohën moderne nuk mund të jetë absolut. Kosova edhe më tej ka nevojë për asistencën e KFOR-it dhe të NATO-s në kuptimin e sigurisë dhe integritetit territorial. Por në segmente të tjera të qeverisjes së brendëshme, ajo merr përgjegjësinë për rendin demokratik dhe për zgjidhjen e të gjitha sfidave, në rrugën drejt krijimit të një shteti të qëndrueshëm dhe funksional, i cili duhet të ndjekë rrugën e integrimit evropian.

Zoti Bajrami, sa ligje dhe dokumente janë ndryshuar në Kosovë, në përgatitje të këtij vendimi?

Arsim Bajrami: Ne kemi plotësuar dhe ndryshuar ligjet me të cilat i jepet fund implementimit të pakos së Marti Ahtisarit. Tani pritet të miratohen edhe 22 amandamente kushtetuese. Me këto ndryshime hiqet tërësisht nga sistemi kushtetues dhe legal  prania ndëkrkombëtare. Këto kompetenca kalohen në duart e institucioneve vendore. 

A do të ketë ndonjë ndryshim edhe ndaj pakos së Ahtisarit?

Arsim Bajrami: Në fakt tani po i vie fundi aplikimit të pakos së Ahtisarit. Kjo nuk duhet të kuptohet nga opinioni si shfuqizim i pakos së Ahtisarit, sepse ajo tani është bërë pjesë e Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Kushtetuta e Kosovës do të ketë tani supremacinë dhe nuk do të ketë më asnjë akt ndërkombëtar, siç ishte pakoja e Ahtisarit, që është mbi Kushtetutën tonë.

Cilat do të jetë detyrat kryesore të Kosovës në të ardhmen?

Arsim Bajrami: Tani Kosova duhet të ballafaqohet me probleme shumë serioze. Unë do t'i ndaja këto detyra në tri grupe. Problemi i parë dhe kryesor është integrimi i plotë i veriut brenda institucioneve dhe sistemit kushtetues të Kosovës. Kjo çështje ka mbetur pezull, sepse bashkësia ndërkombëtare nuk e ka kryer. Ndonëse integrimi i veriut parashikohet edhe me pakon e Ahtisarit. Çështja e dytë është stabiliteti i rendit politik apo krijimi i një demokracie të funkcionueshme mbi parimet e sundimit të ligjit. Dhe problemi i tretë është integrimi evropian, sepse Kosova si shtet sovran duhet të futet në marrëdhënie kontraktual dhe të marrë obligimet që i takojnë në procesin e integrimit.

Ju keni marrë pjesë në krijimin e shumë institucioneve të Kosovës dhe me siguri e dini se a janë në gjendje këto institucione t'i marrin përgjegjësitë që u takojnë?

Arsim Bajrami:  Ne duhet të jemi real: shteti i Kosovës është ende i ri dhe i brishtë. Ende ka nevojë për qëndrueshmëri dhe stabilitet. Por përvoja ka treguar se kur institucionet e Kosovës marrin përgjegjësinë ato bëhen edhe më të përgjegjshme dhe më efikase. Përfundimi i mbikqyrjes do t'i bëjë institucionet vendore edhe më të përgjegjshme, sepse nuk mund të hedhin fajin mbi dikë tjeter. Jam i bindur se në Kosovë do të krijohen institucione demokratike, me një përgjegjësi dhe me kulturë të lartë shtetërore por edhe opozitare.  

Mendoni se këto institucione janë të gatshme të përballen edhe me problemet si korrupsioni, kriminaliteti i organizuar, funksionim i shtetit juridik...?

Arsim Bajrami:  Këto janë sfidat më të mëdha të brendëshme. Krimi i organizuar dhe korrupsioni janë dukuri që zhvillohet brenda Kosovës dhe sinqerisht mendoj se vetëm institucionet e Kosovës janë në gjendje t'i luftojnë ato me sukses.  Në shumë raste bashkësia ndërkombëtare ka dështuar në luftimin e këtyre dukurive. Institucionet e Kosovës duhet të luftojnë këto dukuri në mënyrë shumë të denjë. Unë shpresoj se tani me të vërtetë ekziston një vullnet politik për krijimin e një shteti të mirëfilltë të Kosovës.