1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Avokati i Popullit- Kritika e BE

4 Nëntor 2010

Në Shqipëri nga muaji shkurt i këtij viti ka mbaruar mandati i Avokatit të Popullit, parlamenti ende nuk e ka zgjedhur zëvendësuesin. Për këtë ka patur së fundi dhe një reagim të fortë ga delegacioni i BE-së në Tiranë

https://p.dw.com/p/PyMJ
Fotografi: DW

Në Shqipëri nga muaji shkurt i këtij viti ka mbaruar mandati i Avokatit të Popullit, por parlamenti ende nuk e ka zgjedhur zëvendësuesin. Për një pjesë të komisionerëve në këtë institucion kushtetues ka mbaruar, ose është në mbarim mandati, gjë që pritet të shoqërohet me bllokimin e funksionimit të tij. Për atë, që ndodh me Avokatin e Popullit, ka patur së fundi dhe një reagim të fortë nga delegacioni i BE-së në Tiranë. Sipas Delegacionit “ngërçi politik nuk duhet të pengojë miratimin nga ana e Parlamentit të reformave dhe masave, që janë në interes të Shqipërisë dhe të qytetarëve të saj”. Përfaqësuesit e shoqërisë civile në Shqipëri e shikojnë me mjaft shqetësim gjendjen në institucionin e Avokatit të Popullit, duke e lidhur këtë me cënimin e lirive dhe të drejtave të qytetarëve, por dhe si bllokim të proceseve integruese të vendit.

Reagimi i delegacionit të BE-së në Shqipëri ishte i drejtpërdrejtë

Që të bëhet votimi i Avokatit të Popullit, apo i komisionerëve të këtij institucioni, që i mbaron mandati, duhen të paktën 84 nga 140 vota, që ka parlamenti. Në këtë votim të cilësuar veç deputëtëve të mazhorancës duhet të jenë pro dhe nga ata të opozitës. Por klima aktuale politike nuk është aspak e favorshme për një kompromis të tillë. Ndaj dhe reagimi i delegacionit të BE-së në Shqipëri ishte i drejtëpërdrejtë, duke iu bërë thirrje të gjitha partive politike parlamentare që “të procedojnë në mënyrë urgjente me emërimin e Avokatit të ri të Popullit”.

Por klima aktuale politike e pafavorshme për një kompromis

Vjollca Mecaj
Vjollca Meçaj, drejtore ekzekutive e Komitetit Shqiptar të HelsinkitFotografi: DW

Sipas Delegacionit “ngërçi politik nuk duhet të pengojë miratimin nga ana e parlamentit të reformave dhe masave, që janë në interes të Shqipërisë dhe të qytetarëve të saj”. Menjëherë pas deklaratës së BE-së pati një reagim nga mazhoranca, ku ajo lëshoi për opozitën një ofertë që ta zgjidhte ajo kandidatin për Avokatin e Popullit, duke vënë si kusht të vetëm faktin që kandidatura të mos ishte pjesmarrës në gjyqe politike. Por nga opozita kjo ofertë u përshkrua si një heqje e vëmendjes nga kërkesa kryesore, që ajo ka në axhendë: hetimi parlamentar i zgjedhjeve të kaluara. Çka do të thotë se oferta e mazhorancës nuk është pranuar dhe situata mbetet sërish pezull.

Vjollca Meçaj, drejtore ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, i shikon me mjaft shqetësim konfliktet mes mazhorancës dhe opozitës, që pasqyrohen dhe në mosrealizmin e reformave në sistemin e drejtësisë. Kjo sipas Meçajt bën që shteti ligjor të çalojë, sepse nuk balancohen dhe ndahen pushtetet. “Kur shteti ligjor nuk funksionon si duhet, sigurisht që është mbyllur hapësira për të drejtat e njeriut dhe qytetari fillon të mos ndihet komod dhe të mos realizoje të drejtat e tij, të cilat janë sanksionuar me ligj. Në fakt Avokati i Popullit jo vetëm që është një organ kushtetues, por në fund të fundit është një lloj garanti për qytetarin, që ai ka se ku të drejtohet, përveç rrugës gjyqësore. Sepse rruga gjyqësore kërkon kosto dhe kohë të gjatë”.

Ilir Alia
Ilir Alia, Drejtues i Qendrës për Zhvillimin dhe Demokratizimin e InstitucioneveFotografi: DW

Për Ilir Alinë, që drejton Qëndrën për Zhvillimin dhe Demokratizimin e Institucioneve, ajo që po ndodh sot me Avokatin e Popullit është treguesi i qartë për keqperformancën e partive kryesore politike. Bllokimi i punës në këtë institucion ndikon në respektimin e lirive e të drejtave të qytetarëve, por dhe ndërprerjes se reformave në sistemin gjyqësor. Alia kujton për DW rastin e mosvotimit prej një kohe të gjatë nga parlamenti të ligjit për ngritjen e Gjykatës Administrative. “Në çdo raport ndërkombëtar, që shkruhet për Shqipërinë, vazhdueshmëria e reformës në gjyqësor është elementi numër 1. Gjithë ky ngërç politik ka një efekt shumë të madh të drejtëpërdrejtë në jetën e qytetarëve dhe në stopimin e reformave për aderimin e vendit në BE, duke qënë se gjyqësori është pika kryesore e vazhdimësisë e procesit të integrimit europian të Shqipërisë”.

Kastriot Dervishi
Kastriot Frashëri, drejtues i Institutit të Çështjeve KombëtareFotografi: DW

Nuk është vetëm institucioni i Avokatit të Popullit, ku zvarritet procesi i zëvendësimit të anëtarëve të tij, thotë Kastriot Frashëri, drejtues i Institutit të Çështjeve Kombëtare. Ai përmend dhe praktikat, që kanë ndodhur në Gjykatën Kushtetuese, apo atë të Lartë, si dhe në gjykatat e Apelit në disa zona të vendit. “Unë po marr rastin e Gjykatës së Apelit në Vlorë, e cila kishte mbetur vjet me 6 gjyqtarë dhe nga kjo ishte bllokuar puna në këtë institucion mjaft të rëndësishëm po të kemi parasysh nevojat, që kanë qytetarët.”

Vjollca Meçaj nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit vë re me shqetësim se ka patur raste, kur në institucionet e drejtësisë janë zgjedhur persona, që nuk kanë garantuar pavarësi dhe integritet profesional, por janë të njohur dhe si të lidhur me politikën .

“Prandaj ne jo vetëm bashkohemi me thirrjen e delegacionit të BE-së në Shqipëri, por shtojmë me forcë dhe zërin tonë për të kërkuar që personat që do të konkurojnë dhe do të zgjidhen si kandidatë të mundshëm të jenë të pavarur, me tregues të mirë profesionalë, të japin garanci që do të funksionojë si duhet institucioni i Avokatit të Popullit”, thotë Meçaj për DW.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Angjelina Verbica