1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

WikiLeaks Guardian

1 Shtator 2011

Një katastrofë e madhe për platformën e zbulimeve WikiLeaks: i gjithë arkivi i kabllogrameve sekrete të ambasadave të SHBA-së qarkullon në internet plotësisht i paredaktuar. Edhe emrat e informantëve janë bërë publike.

https://p.dw.com/p/12Rhf
Fotografi: picture-alliance/dpa

Dikur ata ishin një "dream team" - skuadër ideale: platforma e zbulimeve WikiLeaks dhe gazeta e njohur për gazetarinë investigative. Por zënka për fajin pas avarisë me kabllogramet konfirmon edhe njëherë çarjen e thellë mes WikiLeaks dhe Guardian.

Është një dramë me tre akte: në nëntor të vitit të kaluar Julian Assange i vuri në dispozicion 251000 kabllograme diplomatike gazetës Guardian, të cilat dyshohet se WikiLeaks i kishte marrë nga ushtari amerikan Bradley Manning. Sipas perceptimit të Assange-it gazeta në mënyrë të pajustifikuar ka menduar se mund të bënte çfarë të donte me dokumentet me përmbajtje delikate:

Zanafilla e zënkës

The Guardian
The GuardianFotografi: fotolia/AP/DW

„Në 1 nëntor filloi zënka juridike me Guardian, e cila ia kishte përcjellë të gjithë bazën e të dhënave të kabllogrameve gazetës New York Times, megjithëse me shkrim ishte rënë dakord se dokumentet duhej t'i merrte gazeta Washington Post.“

Për këtë Assange bën përgjegjës drejtuesin e seksionit të hulumtimeve investigative në Guardian, David Leigh.

„Që atëherë ne nuk kemi folur më me z. Leigh.“ - thotë Assange.

Vetë Leigh e konfirmon zënkën:  „Ai (Assange) ishte i inatosur, pasi ne donim të përfshinim New York Times. Ai ishte i zemëruar, pasi gazeta kishte bërë një portret tejet negativ për të, çka ishte e vërtetë.“

Akuza të ndërsjellta

Jahresrückblick international 2010 November Flash-Galerie

Akti i dytë: në dhjetor të vitit të kaluar Assange u zemërua me Guardian, pasi gazeta kishte botuar material konfidencial të hetuesve suedezë kundër Assange-it, në lidhje me akuzat për përdhunim. Shefi i platformës së zbulimeve, thotë:

„Akuza në Suedi në një farë mënyrë ka arritur t'i kalojë shtypit pjesë nga dosjet e saj të hetimeve.“

Akuza: WikiLeaks nuk arrin të fshehë identitetin e informantëve

Julian Assange gjatë një konference për shtyp në Londër, 23 tetor 2010.
Julian Assange gjatë një konference për shtyp në Londër, 23 tetor 2010.Fotografi: picture-alliance/dpa

Akti i tretë: në shkurt të këtij viti u publikua biografia e Assange nga David Leigh. Në të përmendet edhe fjalëkalimi, që Assange kishte krijuar për kabllogramet e paredaktuara. Sot WikiLeaks thotë se është faji i Guardian që të dhënat qarkullojnë tani në internet. Gazeta kundërpërgjigjet: libri është në treg prej shtatë muajsh, kohë e mjaftueshme për të ndryshuar fjalëkalimin. Veç kësaj Assange kishte thënë se bëhej fjalë për një fjalëkalim të përkohshëm. Në të vërtetë varianti, që qarkullon tani, nuk vjen nga vetë WikiLeaks, por nga një server i rrjetit BitTorrent. Sulmi ndaj Guardian tregon, se sa të nervozuar janë tek platforma e zbulimeve, thotë David Leigh:

„WikiLeaks dhe Julian ishin dikur një trupë sekrete piratësh interneti. Tani ata kanë famë botërore.“

Për reputacionin e WikiLeaks avaria me kabllogramet është një katastrofë, pasi duket se organizata nuk mund të ofrojë asnjë mbrojtje të besueshme për informantët. Ndërsa për gazetën Guardian katastrofa me të dhënat sekrete nga WikiLeaks është burim për një tjetër artikull të mirë mbi Assange.

Autor: Sebastian Hesse / E. Xhani

Redaktoi: Angjelina Verbica