1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Austri: FPÖ e ekstremit të djathtë fiton - parashikimet

29 Shtator 2024

Pas zgjedhjeve parlamentare në Austri, parashikimet e hershme tregojnë se Partia e Lirisë së ekstremit të djathtë FPÖ do të jetë grupi më i fortë në parlament, duke kaluar për herë të parë ÖVP-në konservatore.

https://p.dw.com/p/4lDHY
Österreich | Nationalratswahl 2024 | Herbert Kickl nach der Stimmabgabe
Fotografi: Lisa Leutner/REUTERS

Qendrat e votimit u mbyllën në Austri të dielën pas zgjedhjeve të përgjithshme, me parashikimet e hershme që flasin për një fitore historike të së djathtës ekstreme ndaj konservatorëve në pushtet.

Sipas parashikimeve të Institutit Foresight, FPÖ pritet të marrë më shumë se 29% të votave, një rezultat pak më i lartë se parashikimet e sondazheve të kryera përpara zgjedhjeve të së dielës. Nëse këto parashikime konfirmohen, FPÖ do të ketë numrin më të madh të vendeve në parlamentin e ri austriak.

Të dielën në mbrëmje, Herbert Kickl, kreu i FPÖ, deklaroi se partia e tij ishte e gatshme të negocionte me forcat e tjera politike.

Herbert Kickl
Fotografi: Heinz-Peter Bader/AP Photo/picture alliance

"Ne jemi gjithashtu të gatshëm të udhëheqim një qeveri," i tha ai transmetuesit publik ORF, duke shtuar se tani u takon partive të tjera t'i përgjigjen "pyetjes se ku qëndrojnë në lidhje me demokracinë".

Ai tha gjithashtu se votuesit e kishin bërë të qartë se "ne nuk mund të vazhdojmë kështu në këtë vend".

Edhe ÖVP-ja(konservatorët e qendrës së djathtë të udhëhequr nga kancelari Karl Nehammer) performoi më mirë se sa pritej, me 26,2%, ndërsa socialdemokratët e qendrës së majtë shënuan 20,4%. Të Gjelbrit, të cilët janë pjesë e koalicionit qeverisës me konservatorët, pritet të marrin 8.6% të votave.

Parashikimet e para u publikuan pak minuta pas mbylljes së qendrave të votimit. Megjithatë, kancelari Nehammer pranoi humbjen të dielën në mbrëmje. Ai tha se ishte "e hidhur" që partia e tij nuk arriti vendin e parë, por vuri në dukje se kishte marrë më shumë nga rezultatet e mëparshme në sondazhe.

Parashikimi i Institutit Foresight u bë me kërkesë të kanalit ORF. Ai përfshin edhe një parashikim të votës postare dhe aktualisht ka një diferencë luhatjeje prej 1.4 pikë përqindjeje.

Pritej kthesa djathtas. Deri tani, Austria drejtohej nga një aleancë midis ÖVP dhe të Gjelbërve. Këtë herë, të Gjelbrit morën vetëm 8.7%, krahasuar me 13.9% në 2019, dhe ÖVP humbi 11.1% të votave. Neosi liberal mori 9.1%.

Karl Nehammer
Kancelari Karl Nehammer Fotografi: Roland Schlager/APA/AFP/Getty Images

ÖVP refuzon të bashkëpunojë me kreun e FPÖ

FPÖ ka bërë përparim të rëndësishëm në krahasim me zgjedhjet e 2019, kur kishte 16.2%. Vetëm ÖVP do të ishte një partner i mundshëm qeveritar për FPÖ, pasi të gjitha partitë e tjera kanë përjashtuar një koalicion me të. Megjithatë, ÖVP nuk dëshiron të bashkëpunojë në qeveri me kreun e partisë FPÖ Herbert Kickl. "Kështu ishte dje, kështu është sot dhe kështu do të jetë nesër”, deklaroi në reagimin e parë sekretari i përgjithshëm i ÖVP-së, Christian Stocker.

Sekretari i Përgjithshëm i FPÖ Michael Schnedlitz tha: "Austriakët kanë bërë histori sot". Nëse shikoni rezultatin e zgjedhjeve, "atëherë dëshironi një ndryshim në vend," tha ai. "Ne do ta menaxhojmë çdo votë me përgjegjësi”.

Për populistët e krahut të djathtë, fitorja në zgjedhjet parlamentare, të Këshillit Kombëtar, siç quhet parlamenti në Austri, do të ishte triumfi më i madh deri sot.

ÖVP shpresoi deri në fund për të dalë para FPÖ në metrat e fundit të garës. Kancelari Karl Nehammer u përpoq të pozicionohej si një alternativë e përgjegjshme ndaj Kickl-it.

aud (dvv, tgsch)