1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Athina vlerëson lart anëtarsimin e Shqipërisë në NATO

Niko Anagnosti5 Prill 2008

Përkundër vetos qe vendosi ndaj Maqedonisë, Athina shprehet me vlerësimin më të lartë për Shqipërinë. Analistet parashikojnë një "pranverë të re" në marrëdhëniet shqiptaro-greke.

https://p.dw.com/p/DcZO

Objektivi strategjik i politikes greke është krijimi i një “gjitonie evropiane” në Ballkan nënvizoi kryeministri grek në konferencen e zgjeruar për shtyp pas përfundimit të samitit të Bukureshtit. Në këtë kuptim Greqia do të mbështesë me forcë integrimin e të gjitha shteteve ballkanike në strukturat euroatlantike, përfshi sigurisht dhe Shkupin me kusht që të gjendet një “zgjidhje e pastër” në çështjen e emrit për të cilën, siç vlerësoi, ka kohë deri në shtator kur të fillojnë negociatat integruese me Bashkimin Evropian. Paralelisht nuk la asnjë dyshim për një veto të dytë në rast se nuk arrihet marrëveshja për emrin dhe hodhi poshtë opinionin se me Maqedoninë të paftuar në NATO “krijohen kushte destabilizimi në Ballkan”.

Në antipod ishin vlerësimet e kryeministrit grek për Shqipërinë por edhe Kroacinë, për të cilat bile shprehu “gëzimin e veçantë” për ftesat që moren këto dy vende për në Aleancë. “Vendosem integrimin si të Kroacisë po kështu dhe të Shqipërisë... dy vende me të cilat kemi marrëdhënie miqësore dhe kemi investuar shumë në përspektivën e tyre euroatlantike” , dy vende të cilat “bënë shpesh përpjekje të mundimshme për tiu përgjigjur kërkesave të NATO-s dhe për të përballuar në mënyrë konstruktive vështirësitë” tha Karamanlis. Po shprehet kështu vlerësimi më i lartë nga ana e Athinës dhe në nivelin më të lartë për Shqipërinë pas të cilit analistët shikojnë një “pranverë të re” në marrëdhëniet shqiptaro-greke. Kështu së shpejti, me vizitën e pritshme dhe të presidentit Papulias në Gjirokastër ku do të shpallet qytetar nderi, do të kemi dhe zgjidhje të problemeve pezull dhe disi “tabu” si ai i vorrezave për ushtarët grekë të Luftës Italogreke në frymën dhe të vizitës së suksesshme të ministres së jashtme Bakojani në Tiranë fill pas Gërdecit. Një ofensivë miqësie pra edhe ndaj faktorit shqiptar, nga e cila Athina aspiron të përforcojë dhe imazhin e saj si faktor “stabiliteti” në Ballkan dhe që në analizë të fundit do të ndihmojë për neutralizimin dhe të “klimes së ftohtë” që po krijohet me Shkupin ende të shokuar nga vetoja në Bukuresht.