Athina vendos të kërkojë nga Gjermania dëmshpërblimet | Evropa | DW | 19.04.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Evropa

Athina vendos të kërkojë nga Gjermania dëmshpërblimet

Parlamenti grek ngulmon për të marrë dëmshpërblim për krimet e gjermanëve në Luftën e Dytë Botërore. Edhe opozita e dha votën por nuk është e vendosur. Komunistët nuhasin manovër për fushatën zgjedhore.

"Mbledhje historike e parlamentit," e quan gazeta e majtë "Ethnos" takimin e parlamentit grek. Shumica e tij i kërkoi kryeministrit grek, të majtë,  Alexis Tsipras që t'i thotë Gjermanisë se duhet të paguajë reparacione në shumën e 290 miliardë eurove. Shuma është dhënë në një raport të përpiluar nga një komision ekspertësh në vitin 2016, të ngarkuar nga parlamenti të merret me këtë çështje. Shuma është llogaritur duke u bazuar në kursin e këmbimit të dollarit amerikan dhe dhrahmisë greke në vitin 1938, shpjegon Triantafyllos Mitafidis. Ai është deputet i partisë së majtë, Syriza që ka në dorë pushtetin në Athinë dhe kryetar i "Komisionit të separacioneve", një komisioni special i parlamentit grek. Por për llogaritjen e shumës janë përdorur edhe metoda të tjera të bërjes së llogarive, që marrin parasysh rritjen e inflacionit që nga Lufta e Dytë botërore, tha Mitafidis për Deutsche Wellen në Athinë.

Tani duhen bërë hapa konkret në nivel politik. Ministria e Jashtme dhe e Drejtësisë në Athinë janë përgatitur që t' i dërgojnë një notë verbale qeverisë gjermane me këtë kërkesë, tha Mitafidis. Se kur do të ndodhë kjo tamam, nuk mund të thuhet që tani. Nëse kërkesat greke nuk pranohen, atëherë Athina do të ndërmarrë hapa ligjorë, tha politikani i majtë.

Pavarësisht nga kjo politikanët grekë duan të tregojnë prezencë tek publiku gjerman, shpjegon Mitafidis: "Më 2 maj unë dhe kryetari i parlamentit Nikos Voutsis do të marrim pjesë në të ashtuquajturin Marshim i atyre që jetojnë, një marrshim përkujtimor që do të mbahet midis ish kampit të përqëndrimit në Aushvic dhe kampit të zhdukjes, Birkenau."

Griechenland Parlament in Athen Abstimmung Reparationsforderungen an Deutschland Alexis Tsipras (Reuters/G. Baltas)

Kryeministri grek Alexis Tsipras në parlament- Vendim për t'i kërkuar Gjermanisë dëmshpërblimet

Një kërkesë që ka synime zgjedhore?

Rezoluta e fundit e parlamentit u aprovua jo vetëm nga partia e majtë në pushtet në Athinë, Syriza por edhe nga opozita që kryeson të gjitha sondazhet, Nea Demokratia konservatore, nga KINAL-i socialdemokrat dhe nga Unioni i Qendrës. Partia Komuniste greke (KKE), e cila tradicionalisht ka qenë e fortë e ka bërë kërkesën për pagesat e dëmshpërblimeve para Komisionit të Peticioneve në Parlamentin Europian që në vitin 2016. Megjithatë, komunistët nuk duan ta përkrahin këtë tentativë të fundit të parlamentit grek. Për këtë ka disa arsye, thotë parlamentari europian, Sotirios Zarianopoulos: "Qeveria e Tsipras ka kohë që nuk ka lëvizur gishtin dhe e gjeti tani, 40 ditë para zgjedhjeve europiane që të mendojë papritur për të kërkuar dëmshpërblimin. Kjo për ne është taktikë në fushatën zgjedhore. Ne nuk duam të bëhemi bashkë me ta për këtë gjë", tha ai për DW.

Buchcover Reparationsschuld von Karl Heinz Roth und Hartmut Rübner (METROPOL)

Fuqitë e mëdha morrën shpërblime pas Lutës por vendet e vogla europiane dhe shumë viktima vazhdojnë të mbeten me duar bosh.

Zarianopoulo,s kërkon që të shihet se komunistët e kanë paguar me shumë gjak Luftën e Dytë Botërore dhe prandaj e kanë seriozisht me "Luftën për pagimin e dëmshpërblimeve". Komunisti nga Athina nuk beson se kryeministri i majtë, Tsipras e ka seriozisht me përpjekjen që po bën. Këtë e tregon edhe përvoja e re në Parlamentin e BE: "Para takimit të Komisionit të peticioneve për këtë çështje ne patëm kërkuar një qëndrim zyrtar të qeverisë së Athinës". Një ditë para atij i pati ardhur një raport i Komisionit të ekspertëve, dhe jo qëndrimi zyrtar i qeverisë, thotë Zarianopoulos.

(Jo vetëm) pasojë e vonshme e krizës ekonomike

Kritika të tilla politikani i Syriza-s, Mitafidis nuk do t' i lerë pa përgjigje: Duhet ndalur në fund të fundit përpjekja për ta parë çdo lloj vendimi të qeverisë si manovër të fushatës elektorale. Nuk ka qenë vetëm kryeministri Tsipras, ai që ka thënë shpesh se kërkesa për dëmshpërblime do të bëhet në kohën e duhur. "Ta bëje më parë kërkesën, do ishte e pafavorshme, sepse krijohej përshtypja sikur Athina do dëmshpërblimet për të zbutur kërkesat e kreditorëve në programin për shpëtimin e Greqisë nga kriza," thotë Mitafidis.

Sotirios Zarianopoulos (Imago Images/ITAR-TASS)

Sotirios Zarianopoulos

Gjatë krizës financiare Greqia e pati bërë herë pas here kërkesën për dëmshpërblimet. Shumë njerëz bënë në atë kohë përgjegjëse Gjermaninë për masat e marra në vend që të bëheshin sa më shumë kursime. Po ashtu e vërtetë është se debati për dëmshpërblimet është bërë shumë më parë: Sipas të dhënave të kryetares së socialistëve, Fofi Gennimata që në vitin 1965, kryeministri i atëhershëm Georgios Papandreou i pati dërguar një notë verbale ministrisë së Jashtme gjermane në Bon, për tu marrë me kërkesat greke për dëmshpërblime. Siç dihet, pa sukses.