Athina për rrugët e zgjidhjes së statusit të Kosovës | Ballkani | DW | 27.04.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Athina për rrugët e zgjidhjes së statusit të Kosovës

Kosova - vend të veçantë në takimin mes ministrit grek të mbrojtjes Vangjelis Meimaraqis, pas takimit me homologun e tij bullgar, Vesselin Bliznakof

Kryeministri grek, Kostas Karamanlis

Kryeministri grek, Kostas Karamanlis

Vendi i veçantë që ministri grek i mbrojtjes Vangjelis Meimaraqis, pas takimit me homologun e tij bullgar, Vesselin Bliznakof, i kushtoi çështjes së Kosovës, i dha thekse të reja një ndryshimi të dukshëm në qëndrimin e deritanishëm të Athinës që nga njëra anë fliste për kurs unik evropian dhe nga ana tjetër “për një zgjidhje të pranueshme nga të dyja palët”, ajo shqiptare edhe serbe.

“Përsa i përket çështjes së Kosovës ndjekim me kujdes të veçantë zhvillimet dhe mbështesim një zgjidhje që do të jetë e qëndrueshme edhe funksionale me horizont afatgjatë” tha ministri grek me të cilin ndau të njëjtin mendim mysafiri i tij bullgar kur foli në vazhdim nga ana e tij “për zgjidhje efikase dhe të qartë” të problemeve të rajonit.

Në këtë kontekst ministri grek i mëshoi rolit që i rezervohet NATO-s, e cila sipas tij me “gatishmerinë e lartë operative do të kontribuojë në kalimin normal të Kosovës në statusin e ri” edhe shprehu mbështetjen e vendit të tij “për një prezencë të fuqishme evropiane, me një rrjet dinamik aktivitetesh në të gjithë rajonin dhe veçanërisht në Kosovë”, sikurse tha shprehimisht.

Sinjalin e parë të këtij ndryshimi, ose “rreshqitjes” sipas shprehjes karakteristike të analistëve grekë nga kursi i deritanishëm i Athinës, e dha këtë të hënë vetë kryeministri grek Karamanlis pas takimit që pati me homologun e tij, slloven Janus Jansa.

“Duhet të vazhdohen përpjekjet për një zgjidhje të qëndrueshme edhe funksionale, e cila duhet të jetë të paktën e pranueshme nga të gjithë” tha Karamanlis duke i lehtësuar edhe më tepër rrugën diplomacisë greke që vërtet nuk është shprehur hapur në favor të pavarësisë së kushtëzuar, siç bëri bashkëbiseduesi i tij slloven kur tha se vendi i tij “mbështet propozimin e Ahtisaarit”, por as e ka kundërshtuar atë.

Vërtet disi e diferencuar, gjithnjë qoftë edhe gjysëm hapi më prapa nga të tjerët, për të ruajtuar ekuilibrin me Beogradin, por Athina edhe kësaj radhe me realizmin e saj politik të viteve të fundit s'ka se si të mos bashkërendohet me një kurs që ofrohet si e vetmja zgjidhje për paqën edhe sigurinë në Ballkan, në pajtim të plotë sigurisht edhe me interesat e saj të gjëra në rajon.

Ky ishte edhe argumenti i zëvendësministrit të jashtëm anglez, Hoon në takimet që pati me homologun e tij grek Valinaqis, por edhe shefen e diplomacisë greke, Bakojani ku dominoi, sipas komunikatës së ministrisë së jashtme, çështja e Kosovës.


  • Data 27.04.2007
  • Autor Niko Anagnosti
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArWA
  • Data 27.04.2007
  • Autor Niko Anagnosti
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArWA
Reklamë